125 vjet shtëpia-muze e Beethoven-it në Bon
Falë një nisme qytetare shtëpia e Beethoven-it i shpëtoi rrënimit nga koha. Përpara 125 vjetësh qytetarët e Bonit themeluan shoqatën për ruajtjen e shtëpisë së Beethoven-it.
Shtëpia në pjesën historike të Bonit është qendra më e rëndësishme ndërkombëtare e Beethoven-it. Në këtë shtëpi muze ndodhet koleksioni i madh në botë i dorëshkrimeve të partiturave, instrumentave, fotografive, dokumenteve dhe sendeve të Beethoven-it. Mbi 100.000 është numri i vizitorëvë të saj çdo vit. Kjo është bërë e mundur "falë tri dhuratave të fatit", tha Malte Boecker, drejtori i shtëpisë-muze të Beethoven-it, më 24 shkurt në hapje të ekspozitës së posaçme me rastin e 125 vjetorit të shtëpisë së Beethoven-it në Bon. "Së pari - deklaroi më tej Boecker - që Ludwig van Beethoven ka lindur në Bon. Së dyti e ndoshta kjo është dhurata më e madhe themelimi i një lidhjeje qytetare në vitin 1889 për ruajtjen e shtëpisë së lindjes së kompozitorit. Dhe dhurata e tretë është mrekullia, që kjo shtëpi gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u prek prej bombave."
"Tingeltangel" në dhomën e lindjes
Shtëpia e Beethoven-it ka një histori të larmishme. Në vitin 1889 p.sh. në katet e sipërme të shtëpisë në rrugën jetonin mbi 60 vetë. Në katin përdhes ishte një lokal. Atraksion ishte lulishtja e birrës aty pranë, në të cilën orkestra e grave të veshura lehtë "Tingeltangel" jepte ritmin për vallëzim. Me aq sa dimë sot, garderoba e grave ndodhej në dhomën e lindjes së Beethoven-it.
Pasi vizitoi shtëpinë e Beethoven-it në vitin 1885 kritiku me influencë i muzikës nga Vjena Eduard Hanslick u indinjua për gjendjen e saj. Ai e kritikoi ashpër qytetin e Bonit për "qëndrimin indiferent" ndaj trashëgimisë së Beethoven-it. Kryebashkiaku i Bonit asokohe Hermann Jakob Doetsch reagoi me fjalë jo të arsyeshme ndaj kritikës: "Një i 'çmendur' (duke nënkuptuar Beethoven-in) "ia del edhe postum që ta dëmtojë rëndë imazhin e qytetit."
Portret i Beethoven-it në moshën 13 vjeçare nga një mjeshtër i Bonit realizuar me bojëra vaji në kanavcë rreth vitit 1783
Dymbëdhjetë të apasionuar pas Beethoven-it
"Shtëpia e Beethoven-it në Bonngasse dita ditës rrezikonte të rrënohej", thotë botuesi Hermann Neusser. Ai është stërnipi i njërit prej shpëtimtarëve të kësaj shtëpie. "Më 24 shkurt 1889 dymbëdhjetë të apasionuar pas veprës së Beethoven-it u mblodhën në shtëpinë e stërgjyshit tim në sheshin "Münsterplatz", për të themeluar shoqatën për shpëtimin e shtëpisë", tregon me krenari Neusser. Ata vendosën që "ta blejnë shtëpinë, ta restaurojnë atë dhe të krijojnë në të një muze përkujtimor për Beethoven-in." Shuma për blerjen e këtij kompleksi përkujtimor ishte 57.000 marka.
Projekti mbështetet nga personalitete
Neusser dhe bashkëpunëtorët e tij jo vetëm që penguan, që shtëpia të shembej por ata blenë edhe të gjithë koleksionin e manuskripteve, fotografive, busteve dhe relikeve të Beethoven-it - që përbëjnë bazën e koleksionit të sotëm të Bethoven-it në Bon.
Qysh në vitin 1890 mundën të paraqiten 360 eksponate në ekspozitën e parë të madhe. Puna e kësaj shoqate menjëherë gjeti mbështetës tek personalitete të tilla si Johannes Brahms, Clara Schumann dhe Guiseppe Verdi. Po në atë vit violinisti i njohur Joseph Joachim organizoi një festival të madh të muzikës së dhomës. Shtëpia e kthyer në muze në Bonngasse u inagurua më në fund më 10 maj 1893 gjatë një festivali të dytë të muzikës së dhomës.
Dokumenta interesante të kohës
Ekspozita e posaçme "Një histori e pasur dhe interesante - 125 shtëpia e Beethoven-it" vendos një urë lidhëse mes epokës së themeluesve të saj dhe aktiviteve aktuale të shekullit të 21-të duke prezantuar dokumenta historikë, ndër to edhe sekuenca filmike dhe fonike, letra dhe artikuj nga gazetat e kohës, të cilat nuk janë prezantuar ndonjëherë për publikun.
Mjaft interesant është pavioni i ekspozitës kushtuar Luftës së Dytë Botërore. Si një ndër shtëpitë e pakta në Bon, shtëpia e Beethoven-it u ka shpëtuar thuajse pa u dëmtuar sulmeve me bomba: Duke rrezikuar jetën kujdestari i atëhershëm i shtëpisë e shpëtoi muzeun prej shkatërrimit nga sulmi ajror në tetor 1944. Bombat me zjarr që u hodhën në çatinë e shtëpisë ai i largonte menjëherë duke i hedhur në kopshtet përreth. Një nga bombat me zjarr kujdestari i shtëpisë e larrgoi me dart e veta nga çatia, për këtë ka edhe pjesë nga kronikat e revistës javore televizive si dhe fotografi për kthimin e koleksionit në maj 1945 që ishte trasnferuar gjatë luftës në një vend më të sigurtë. Të gjitha këto tregojnë për atë se çfarë i kanosej kësaj shtëpie në atë periudhë.
Vështrim drejt së ardhmes
"Ne kemi një traditë dhe një përgjegjësi për ta mbajtur të gjallë edhe në të ardhmen jetën, veprën dhe punën e Beethoven-it", thotë Malte Boecker.
E kjo natyrisht që fiton edhe më shumë peshë në kuadër të jubileut të 250 vjetorit të lindjes së kompozitorit në vitin 2020. Për këtë vit jubilar ndër të tjera janë planifikuar edhe një trajtim shkencor i historisë së shtëpisë së Beethoven-it gjatë periudhës së nacionalsocializmit (kjo në bashkëpunim me Universitetin e Bonit) si dhe është në plan rikonceptimi i muzeut me një përpunim rrënjësor si një ekspozitë e përhershme, shpjegon Boecker duke shtuar, se: "Kjo kërkon edhe zgjerimin e hapësirave për ekspozim."
Ekspozita e posaçme në shtëpinë e Beethoven-it me rreth 100 eksponate të paprezantura ndonjëherë publikut qëndron e hapur deri më 17 gusht 2014.
Comments
Post a Comment