Tintoretto, “I furishmi” i shkollës së Rilindjes italiane



Nga Albert Vataj

420 vjet më parë vdiq, Tintoretto, (1518 – 31 Maj 1594). Nofka të cilën ai mbajti dhe që mbetet si emri i tij i dytë ishte Jacopo Comin. Tintoretto është një nga përfaqësuesit e njimendtë dhe nga më të spikaturit e shkollës së Rilindjes Italiane. Energjia shpërthyese e këtij dimensioni estetik të penelit ishte e ndryshtë përnga intensiteti dhe forca vërshuese e kumtit artistik. Kësodore ai u quajt “I Furishmi”. Puna e tij karakterizohet nga figura muskuloze, gjeste dramatike dhe përdorim i spikatur i perspektivës në stilin manierist, ndërsa në vazhdën e krijimtarisë së tij ruajti ngjyrën dhe ndriçimin tipik të shkollës veneciane, të cilës ai i përkiste. Më i madhi i 21 fëmijëve, piktori me një talent të lindur u dërgua nga i ati në studion e Titian, për të cilin thuhet se e përzuri vetëm pas dhjetë ditësh. Hamendje orvaten ta cilësojnë këtë dëbim si ndjenjë xhelozie e Titianit për Tintoretto. Që prej asokohe, Tintoretto ngeli admirues i Titian, megjithë akullsinë e murit që ndante këtë njohje. Talentin shpërthyes të Tintoretto nuk do ta ndalte ky dëbim, përkundrazi, do t’i ndërsente edhe më egër admirimin e tij për pikturën, do ta flakëronte më furishëm talentin e tij të pazakontë. Ai filloi të studionte vetë me zell dhe përkushtim të madh, ngadhnjyeshëm, ditë e natë, ndërsa koncepti i tij fisnik për artin dukej nga mbishkrimi që vendosi mbi studio “Vizatimi i Michelangelo dhe ngjyrat e Titian”. Ndihmoi pa pagesë Andrea Schiavone në piktura murale, tashmë të zhdukura prej kohësh dhe ishte i varfër. Pikturoi falas, duke xhindosur 4 mjeshtra të asaj kohe të ftuar për të konkurruar, përfshirë Paolo Veronese, muret e Shkollës së Madhe të San Rocco. Vazhdoi të bënte punë të tilla, duke pranuar çdo pagesë të mundshme nga porositësit. Më vonë, bashkë me Veronese, realizuan disa prej monumenteve piktoreske nga më të shkëlqyerat në botë, megjithëse sot të degraduara. “Parajsa” e Tintoretto është piktura më e madhe realizuar ndonjëherë në kanavac dhe konsiderohet kryevepër e pashoqe, ndërsa u mbijetoi tre shekujve mospërfillje.
Pagesa për “Parajsën” nuk ishte vendosur ende kur ajo kishte nisur, por Tintoretto u tha senatorëve se i ishte lutur Zotit që ta paguante pas vdekjes. Kur piktura përfundoi gjithë Venecia u mblodh ta duartrokiste dhe i’u kërkua artistit të vendoste vetë pagesën, por ai ua la në dorë autoriteteve. Thuhet se shuma nuk ishte aq e madhe, megjithatë ai u ktheu një pjesë, “sepse nuk ishte aspak i babëzitur për pasuri”. U sëmur, nuk fjeti e nuk futi gjë në gojë për dy javë, derisa u varros pranë vajzës së tij të preferuar, e cila vdiq 30 vjeç, portretin e së cilës e kishte realizuar zemërplagosur në çastin e saj të fundit. Vetë Marietta ishte një piktore portretesh e talentuar, si edhe muzikante, vokaliste e instrumentiste, por sot shumë pak punë të saj janë të njohura. Thuhet se kur ishte 15 vjeç ndihmonte babain në art e veshur si djalë. Tintoretto i donte gjithë artet, luante në lahutë e instrumente të tjera, disa prej tyre shpikje të vetat, dhe dizenjoi kostume teatrore e bëri disa shpikje mekanike. Nuk pranonte askënd në studio e rrallë qeshte, pavarësisht se i bënte të tjerët gjithmonë gazmorë. Gruaja e vet, e cila i vishte me zor një rrobë veneciane kur dilte jashtë, i fuste para në xhep, por ai i harxhonte të gjitha me të varfër e të burgosur. Mendimi i venedikasve ishte se ai përdorte tre penelë: një të artë, një të argjendtë dhe një të hekurt. Sebastiano del Piombo thoshte për të se mund të pikturonte në dy ditë aq sa ai vetë në dy vjet. Si portretizues quhet i paarritshëm. Një një aspekt, dinamizmin e kompozimit, përdorimin dramatik të dritës dhe efektet perspektive të theksuara, Tintoretto duket si një piktor barok i parakohshëm. Do të mbetet një nga artistët që krenon njerëzimin me punën e jetën e vet.












Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk