Ngjallja‬ e Krishtit e bekoftë zemrën tuaj, e lumturoftë familjen tënde, me mrekulli e mbusht çdo shpirt e me dritë përtëritëse e ndeztë çdo besim



Nga Albert Vataj

Nise këtë ditë, me lutjen, "Unë besoj"...
...besoj se Krishti u Ngjall që të triumfojë jeta mbi vdekjen, e mira mbi të ligën, drejtësia mbi poshtërimin, virtyti mbi cytjen. Secili prej nesh, pa dallim përkatësish religjioze, ka nevojë për të besuar tek ajo që dëshirojmë me gjithë shpirt, për të besuar tek ajo që adhuron me gjithë zemër, për të besuar se ëndrrat tona do të bëhen realitet, për të besuar se mëkati ynë është falur dhe pendesa ka dëlirur shpirtin prej të keqes, e na ka larguar prej tundimit duke e bërë të sotmen më të bukur, të nesërmen më të motivuar, të ardhmen më kjartë.
Ndjehu edhe ti Krisht i ngjallur, dhe provoje se gjithë ato mundime të kanë bërë më të pamposhtur, gjithë ato fyerje dhe ato padrejtësi që të janë bërë të kanë fisnikëruar, gjithë ai besim që ti ke pasur të është shpërblyer me ngjallje.
Unë besoj se ngjallja e Jezusit është përtëritja që ne kërkojmë dhe e gjejmë përmes dyshimesh dhe hezitimesh pafund, ngurrimit dhe shterimit të shpresës.
Unë besoj, dhe ftoj të gjithë që duke dëbuar dyshimin, të besojmë se mirësia është ajo që do të triumfojë, se ne kemi ardhur në këtë botë për të qenë shëmbëllimi i krijuesit dhe vullnesa e tij e mirë.
Mirënjohje dhe respekt, nderime e mia më të përulura për secilin ndër ju që ka forcë të besojë te vetja se ai është një rreze dritë që ndez një shpresë, një dorë që shtrihet të të nxjerrë nga terri në dritë.
Me gjithë zemër ju uroj gëzuar Pashkët.
E bekoftë besimin tuaj Ngjallja e Krishtit.











Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk