Letra dashurije të romancierit francez Gustave Flaubert për Louise Colet
Sonte nata është e ngrohtë dhe e butë; tani që
po të shkruaj, papuçet e tua të vogla i kam këtu, para syve, i vështroj. Veç
gëzim do desha të të ngjallja dhe me lumturi të patrazuar dhe të pareshtur të
të rrethoja, si shpërblesë për gjithçka që më ke falur me dashurinë tënde
fisnike. Druaj mos dukem I ftohtë, i akullt, egoist dhe vetëm zoti e di se ç'po
më ngjet këtë çast. Sa kujtime! Dhe sa ëndje! Më duket që po shkruaj keq; s'po
të shkruaj asgjë nga ato që dua të të them. Frazat e mia përpiqen si
psherëtima; për ti kuptuar ato duhet mbushur ai boshllëk që ndan njërën nga
tjetra; do ta bësh apo jo? A do të ëndërrimesh pas çdo shkronje, pas çdo shenje
shkrimi? Si unë, që duke vështruar papuçet e tua bojë kafe, përfytyroj lëvizjet
e këmbëve tua tek i veshin ato...shamia është ende brenda...
..A e di ç'po mendoj? Fytyrën tënde të zbehtë
e serioze, kur ti rrije përdhe, mbështetur mes gjunjëve të mi...dhe llambën!
Mos e thyej, lëre; ndize çdo mbrëmje ose më mirë në ndonjë ditë solemne të
jetës tënde të brendshme...A e di se në çfarë qëndrimesh të përfytyroj? Në
studio duke pozuar: nga njëra anë të ndriçonte dita, unë të kundroja në anën
tjetër; dhe pastaj në mbrëmje, në hotel të shoh të shtrirë në shtratin tim,
flokët derdhur mbi nënkresë, vështrimin drejt qiellit, e venitur, duarlidhur,
duke më dërguar fjalë çmendurie. Kur u veshe ishe e freskët posi buqetë lulesh.
Në krahët e mi një ngrohtësi e ëmbël, kapitëse dhe dehëse buron prej teje. Po
unë si të dukem? Si ngrihet shëmbëlltyra ime para syve të tu?... Sa dashnor i
mjerë qenkam. Ajo që më ndodhi me ty kurrë s'më kishte ngjarë. Kisha frikë se
do të më urreje. Duhej pra të të dashuroja fort, meqë ndieja të kundërtën e
asaj që ndjeja për të tjerat, s'ka rëndësi cilat. Ti do më bësh mua pagan, o
muza ime!!!...
....Para se të të njihja isha i qetë, po hyja
në një periudhë burrërie për nga shëndeti moral. Rinia më kishte ikur. Ndërkohë
ti erdhe në majë të gishtave dhe e trazove gjithë këtë. Llumi i ndenjur zjeu
sërish, liqeni i zemrës sime fërgëlloi porse stuhia për oqeanet është. Po u
turbulluan pellgjet vjen erë e keqe. Të dua pa ti them këto. Po munde harromë.
Shkule shpirtin me duart e tua dhe eci sipër për të fshirë gjurmën time. Hajde
mos u zemëro...
...Ndihem i trishtuar, i mërzitur, tejet i
tendosur. Po më mbërthen, si para dy vjetësh, një ndjeshmëri therëse. Kursemë;
ndiej marramenth prej dashurisë tënde. Duhet të jemi të bindur se nuk mund të
jetojmë tok. Duhet ti jepesh një jete më pak të spikatshme, më të cekët. Do të
doja të të takoja, ta bëja zakon këtë, në mënyrë që shëmbëlltyra mos të të
djegë e ngushëllojë, por të ngrohë dhe dëshpërojë...duhet të të qortoj diçka që
më lëndon dhe skandalizon, për merakun tënd të pakët në lidhje me Artin. Mirë
për lavdinë, skam kundërshtim që nuk merakosesh; por jo për Artin, që është e
vetmja gjë e vërtetë më e mirë në jetë! A mund ta krahasosh atë me një dashuri
tokësore? A mund ta parapëlqesh adhurimin e një bukurie të përkohshme ndaj
kultit të së vërtetës?....
....Sa më kënaq kuvendimi më ty. Pena shkruan
si t'ia ketë ënda pa e vrarë mendjen se vajti vonë. Çlodhem kur ti dërgoj ashtu
kuturu të gjitha mendimet e zemrës.
E dashura Luizë, ti më flet për mjerimet e
femrës; dhe unë jam në këtë mes. Do ta shohësh që do të më duhet të zbres
poshtë në pusin e ndjenjave. Po të jetë i mirë libri im, ai do të miklojë
ëmbëlsisht shumë plagë femërore të cilat do të buzëqeshin duke njohur aty veten
e tyre. I njoh mirë ato dhimbjet tuaja, të gjorat shpirtra të errët, njomur
prej trishtimit të fshehtë, si ato oborret e pasme në provincë, muret e të
cilëve i ka mbuluar myshku.
Kam jetuar dashuri të zjarrta, që kullosnin në
zemrën time si kuajt në lëndinë. Disa të tjera qenë akull të ftohta,
mbështjellë rreth vetes, si gjarpërinjtë kur tretin ushqimin. Kam pasur më
shumë epshe, se flokë të rëna. Tani u plakëm bukuroshja ime; qofshim hija jonë
e fundit, gënjeshtra jonë e fundit; qoftë e bekuar, sepse është e ëmbël! Uroj
të mbajë sa më shumë, sepse është e fortë.
Comments
Post a Comment