Albert Vataj: A mundet Shkodra me u përtri prej humusit t'vet?!
Esse nga Albert Vataj
Shkodra, ka kenë, asht dhe ka me mbetë nji
prej qyteteve ma t'randsishme, pavarsisht lëkundjeve të thekme transformuese të
kohmbaskohshme. Asht e gjithpranueme dhe gjithmondëshmueme se ky qytet ka
luejtun nji rol përcaktues në fatin e Shqipnisë. Tash qi shndrrimet janë njaq
t'themelta dhe ernat njaq t'fuqishme, kanë ba t'mujtun mjaft lëvizje dhe
zhvendosje, kapacitetesh dhe mundsish, e megjithatë Shkodra sërish ndihet nji
"zonjë e randë", e hijshme dhe e hyjshme n'truellin qi vet zafillja i
ka ba vend. Sado shkodranë qi e kanë braktisë qytetin dhe s'bashku me të i kanë
kthye shpinën mundësisë me kenë vazhdues të njasaj udhe shkëlqimtare, të njatij
urdhnimi t'shenjtë, me hyjnizue tançka me vullnesën e shpirtit dhe amën e të
bukurës, prap ajo jeton dhe dhe përtrin kreninë, sërish mbi bedena të saj
valëvin flamuri i betejave sfiduese. Anipse shumçka s'ka mujtë me ken si ma
parë, gjithçmos asht ba ndryshues i ngulmët dhe deridiku shterrues i
kapaciteteve përtrise, rishtaz ky truell guxon me besue dhe e tue u ndi n'borxh
ban çmos me e ushqye me tharmin e njatij shpirti gufues krahnoresh.
Prolog
Tash qi përmbas kanë mbetë vite e njiherash me
ta fort ndryshesa t'hovshme, m'kanda qi tue u rikthye, me u përpjekë me ba
diçka rreth asaj se ç'ka ishte, ç'ka mundi me kenë dhe ç'ka asht sod Shkodra,
me mujtë me e përshkue kallzimin tem tue u ballafaqë me ate, se çfarë asht
përpjekë dhe ç'ka ka mujtë me u përmbushë prej tan atyne mendjeve dhe vullneteve,
zemrave dhe përjetimeve.
Unë i përkas gjeneratës vërshuese të viteve
'90, t'shekullit t'shkuem, atyne andërrtarve qi besuen te mundësia e përtrimjes
së Shkodrës, krenarisë së hirshme të kësaj madhështie qi gjithnji ka kenë nji
shtysë e fuqishme me u hov përpara.
"Shkodra mundet me u përtri prej humusit
t'vet...", - asht kjo shprehje qi nji emën i atyne përpjekjeve
t'asokohshme, Shpëtim Kelmendi, ma tha n'nji nga ndejet mramjeve shkëlqimtare
t'këtij qyteti.
Shkodra si kryeqendër ku kanë bulue t'para
dëshmime të ngadhnjimeve kulturale, patriotike dhe historike, Shkodra si qytet
ku u lindën për me u shndërrue n'yje t'përgjithmonshëm ndritës së krenarisë së
këtij testamenti qytetnimi dhe gufimi promovues, Shkodra po e thërret gjakun e
vet.
Prej saj nji zà kushtrues gjimon tue lypë ç'ka
mundet me dhanë sekush qi e ndin n'zemre borxhin e pashlyem. Ai humus i paluem
në kohpaskohjen e periudhave të ndryshme po kërkonte mbimjen e njatij filizi qi
ka me lshue shtat e ka me xan vendin e vet, bash njaty ku kryqëzohen stuhitë,
ky shkulmon vullkani, ku marazi e hidhnimi lypin flì e ku krenia dhe zani
gjithkahrrok, asht Shkodër.
Ishin fillimvitet '90, kohë kur n'pamjen e
përgjithshme n'Shkodër nuk ndodhte diçka qi me mujtë me e ndezë shandanin e
krenisë. Mizerja dhe kaosi, vulgu dhe banaliteti, antishteti dhe antikanuni,
ndesheshin si desh mitikë tue lyp territor frike e tue gllabërue t'atëhershmen
e kujtesës ngjethëse. Gjithqysh Shkodra s'ka pranue me kenë pjesë e asgjasë në
gjithçkanë e mëtuese të njasaj qi ka mëkue si frymë shndërrimi, si nevojë e
proceseve zhvilluese. Gjithherë ka pasë emna dhe personalitete, kontribute dhe
veprues, t'cilët me punën dhe veprimtarinë e tyne krijuese, kanë mujtë me ba
njaq sa mos me e lanë me u shue zjarrmi i shpirtit të këtij qyteti, të këtij
përcaktimi gjeografik dhe shpirtnor kungues vlerash t'epërme dhe mëtimesh
krijuese t'afta me kenë konkuruse gjithkah përballen vlerat dhe lypin sprova
sfiduese format shprehëse estetike.
Kah po
ziente...
Teatri "Migjeni", Radio
"Shkodra", "Jeta e Re" e plot vatra të sprovës dëshirdhanse
u përpjekën n'kushtet e pamundësisë me ba diçka, e cila me mujtë me kenë
vazhduese e atij emni t'madh, "Shkodra djepi i kulturës". Funddekada
e nji t'shkueme ku diktatura zvarritej në agoninë e vet, i gjen bijtë e Shkodrës
tue ba çmos ma shumë se n'politikë, n'kulturë me ba diçka qi mundet me mbetë
nji zà n'erën e re të ndryshimeve. Kapërcyelli politik e gjen Shkodrën e njasaj
kohe nji qytet qi kurrë s'ka pranue me e lshue vedin në mëshirën e përuljes,
zvarritjes dhe nënshtrimit.
Asokohe kur gjithkah Shqipnia ziente
politikisht dhe Shkodra gjithashtu mujti me kenë nismëtare e këtyne
ndryshimeve, kujtojmë këtu demonstratën e parë antikomuniste dhe rrëzimin e
torsit të Stalinit n'qendër t'qytetit, më 14 janar 1990. Prej këtu pishtari i
demokracisë u çue kah kishte nis me u farkëtue era e demokracisë. I madh e
vogël u banë pjesë e atij vërshimi, sekush dha prej vedit pjesë së asaj qi po
transformohej.
Ndërsa tançka ziente, në auditoret e dijes së
qytetit, në kafe "Lux", te "Oaz" gatitej landa e atij
shpërthimi, mbruhej brumi i njasaj buke, hidhej fara e njasaj bime, Shkodra e
vlerave ma t'nalta promovuese po përtrihej. Flitej për poezinë dhe pikturën,
jetohej për muzikën dhe teatrin, debatohej për autorë dhe rryma, diqysh nji
botë tjetër jetonte përmbi shtresëzimin vërshues politik dhe erëna të
garrametshme që kishin ngërthye gjithçka e lypnin trazim sekund. Gjakmarrja
gati çdo ditë shuente etjen e vet mitike, tue u përpjekë me e trazue kët melodi
që kishte nis me endë hymnin e rilindjes së qytetit. Çdo ditë e ma shumë, emna
dhe personalitete të krijimtarisë dhe veprimit artistik i shtoheshin këtij
karvani qi rendtte nën nji atmosferë të mjegullt.
Çka asht zàfillje mundet me kenë vazhdim. Prej
këtu lyp me nisë me shfletue fjalorin emnor të krenisë së Shkodrës, kësaj
kryeqendre, jo vetëm kulturore por edhe ekonomike, shtetkrijuese e
ligjzbatuese, por edhe atdhedashunie e trimnie, si tue dashtë me bashku dy
skajet e atij filli me përvijue.
Yjet qi
përcaktuen konstelacionin e fatit të qytetit
Cekim në kët pelegrinazh apostujsh të
shkodranëve të mëdhenj, atyne qi gjithçka qi kishim ma t'mirën e tyne e lanë
për emnin e mirë të qytetit ku lindën, qytet t'cilin kudo qi shkuen e morën me
vedi, tue çu ma nalt e tue e lanë dorzanë brezave. Kët parakalim hyjnuer po due
me e nis me humanistët e mëdhenj, Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon e Pal
Gazulli, për me vijue me figurat e shqueme patriotike; Hams Kazazi, Dasho
Shkreli, Oso Kuka, Hodo e Isuf Sokoli, Zef Jubani, Jusuf Uruçi, Filip Çeka,
Luigj Gurakuqi, etj; e me vazhdue me historiografët: Frang Bardhi, Pashko Vasa,
Tef Curani, Ndoc Nikaj, Nikoll Ivanaj, Nesuf Dizdari, Atanas Gegaj, Marin
Sirdani, Zija Shkodra, Gazmend Shpuza, etj., etj.
Kët vargan krenues e ndjekim me gjuhtarët: Ndre
Mjedja, Mati Logoreci, Justin Rrota, Kolec Topalli, Bahri Beci, Jup Kastrati,
Kol Ashta, Rrok Zojzi, Martin Camaj, etj. Për me viju me shkrimtarët: Gjergj
Fishta, Filip Shiroka, Hil Mosi, Risto Siliqi, Migjeni, Ernest Koliqi, Vinçens
Prennushi, Gaspër Pali, Kol Mirdita, Zef Harapi, Ndre Zadeja, Andrea Skanjeti,
Fadil Kraja, Skënder Drini, etj. Në vazhdim ekonomistët: Zef Jubani, Rrok Gera
Gaspër Guga, Luigj Gurakuqi, Zija Shkodra, Gaspër Ljarja - kimist; Shkodra e
muzikës ka ndër emnat ma të ndritun të saj, (Palok Kurti), Martin Gjoka, (Mikel
Koliqi), Prenk Jakova, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Avni Mula, Tish Daija,
Pjetër Gaci, Pjetër Dungu, Gapër Çurçija, Frederik Shiroka Doktor, Tonin Zadeja
muzikant. Për me zgjatue në kët parakalim krenues me helenistët, latinistët,
orjentalistët, përkthyesit dhe eruditët, Franc Allkej, Pashko Geci, Henrik
Lacaj, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Willy Kamsi, Nikolle Dakaj, Jonuz Tafili,
Tahir Dizdari, Daut Boriçi, Hamdi Bushati, etj.
Kët emnore e vijojmë piktorë, skulptorë e
mjeshtra të mëdhenj të skenës: Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rrota, Pjerin
Sheldija, Vladimir Jani, Lin Delija, Ismail Lulani, Danish Jukniu, Gjovalin
Paci, Gjergj Pali, Mensur Gushta, Gjergj Spathari, Pjerin Kolnikaj; apo Loro
Kovaçi, Marije Logoreci, Pjetër Gjoka, Marije Kraja, Luçije Miloti, Lukë Kaçaj,
Naile Hoxha, Shyqyri Alushi, Xhevdet Hafizi, Tonin Tërshana, Nikolin Gjergji,
Justina Aliaj, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Ndrek Prela, Ndrek Luca, Ndrek
Shkjezi, Andrea Skanjeti, Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela,
Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka, Tef Krroqi, Pjetër Deda,
Ejëll Gjusi, Lec Prendi, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin
Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef
Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia, Domenika Veli, Violeta Pali,
Diamanta Pema, Ndoc Çikliqi, Rrok Ashta, Rrok Sheldia, Shyqyri Bakalli, Çesk
Vuksani, Gjovalin Vjerdha, Ndoc Çikliqi, Kolec Tafrruku, Julka Kakarriqi,
Veronika Prela, Domenika Veli, Rrok Sheldia, Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati,
Gjovalin Çarkaxhia, Gjina Paskali, Paulin Preka, Ana Ujka, Rrok Ashta, Lec
Fishta, Franc Ashiku, Çesk Vuksani, Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano
Gjelaj, Ludovik Pepa, Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, Adem Kastrati,
Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Frederik
Ndoci, Bujar Qamili, Zef Deda, Serafin Fanko, Bardh Smaja, Katerina Biga,
Paulin Selimi, Rita Gjeka, Merita Smaja, Alfred Çapaliku, Sadik Spahia, Agim
Kadillari, Merita Selimi, Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Besnik Cinari, etj, etj.
Kur flet për emnat qi e çuen Shkodrën në
kreshtën e krenarisë jo vetëm shqiptare, s'mundesh pa përfshi në kët yjësi edhe
sportistët, t'cillët me përpjekjen e tyne lanë gjurmë të pashlyme në kujtesën e
kohnave dhe në testamentin e visareve të qytetit. Ata janë njaq shumë, por ne
mundena me veçue ma të shndritshmit e tyne: Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhevdet
Shaqiri, Ibrahim e Feti Dizdari, Renato Radoja, Ali Bushati, Faruk Kalleshi, Lin
Shllaku, Ramazan Rragami, Mehdi Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Astrit Hafizi,
Vera Bregu, etj.
Edhe fotografia asht nji ndalesë e patëdytë e
shenjimit të këtij qyteti në listimin e qytetnimeve të kohnave. Ajo, fotografi,
behu maspariherë në Shkodër, për me mbetë atëditë e sot nji pasuni e paçmim dhe
nji frymëzim për gjeneratat. Kjo piketë u vendos jo aq nga emna të përvetshëm
se sa nga dinasti të fotografisë, e cila fillon me Marubin, për me vijue me ato
Pici, Jakova, Kodheli, Nënshati, etj.
Shtypshkrimi,
era e re e dëshmimit
Dhe vjen shtypshkrimi, njaj za qi tue shumfish
në letër emna dhe kontribute, kushtrime dhe kumtime, ngulmime e ngadhnjime,
bani at qi njaq shumë dishkrum, i'a ndali gojdhanave të breznive dëshmimin e
historisë dhe tana formave të tjera shprehëse dhe komunikimi estetik e
shpirtnor, për me ia besue letrës, për me ju lan dorzan penave dhe punës së
palodhun të qëmtuesve dhe endsave. Saora erdhi në jetë e drejta jonë legjitime
me pas tekstin shqip; t'shkruem, t'shtypun e t'shumfishuem, siç dhe vendet e
tjera t'qytetnime e kishin. Mujti kjo ligjësi e komunikimit me i dhanë krahë e
liri çdo force dhe gufimi, çdo andrre dhe andje, e me e lëshu fjalën dhe
mendimin tonë, kangën dhe kujën, shëlbimin dhe shpirtin, vërshimeve e me
përpjekë me simotrat e veta t'kohës, si në nji përballje detyruese dhe
dëshmuese, me kenë e me mbetë nji shkulm hovi, nji buçitje e potershme n'veshtë
e njerzisë.
E kush tjetër do mujte asokohe me i vu gjoksin
këtij tërbimi t'garrametshëm të nevojës për me i'u dhanë zanit, etjes zhuritëse
me folë e me shkrue shqip, veç klerikëve. Asht shtypshkronja e Jezuitëve, ku
sipas studiuesit e gjuhëtarit Hamdi Bushati, e cila që nga viti 1871, e deri në
1938, ka shtypun 411 tituj. Mbas kësaj u hapën edhe të tjera si “At Gjergj Fishta”,
apo e Françeskanëve. E kështu nis me hecë me kambtë e veta, anipse në nji tokë
të ashpër, libri, shkrimi shqip, zani i zgjuem i kohëve, kallzimi i traditave
dhe dokeve, miteve dhe legjendave, pa lanë mënjan prumjen n'shqip të
kryeveprave t'letërsisë botnore. Edhe përkthimi qi ka pasë dishepujt e saj fort
të zellshëm, lypi dhe gjeti vendin e vet t'nderuem, duke u ba dëshirim dhe
filozofi t'jetuemit, edukim dhe dije e brezave, andje e patjetërsueshme dhe e
përgjithmonshme e t'ushqymit më kët dritë.
Shërbestarët
e Zotit dhe Shkodrës
Nji rol t'themeltë t'shenjimit të Shkodrës në
hartën e pretendimeve për me kenë e me mbetë nji zà i randësishëm kultural dhe
dijetues, ka dhanë kleri, tue u nis me at katolik “...më 1861, Françeskanët
themeluen seminarin e tyne, në t'cillin mësohej edhe gjuha shqipe. Më 1877,
Jezuitët themeluen n'Shkodër nji tjetër qendër me influencë për arsimin e
naltë, Kolegja e Shën Françesk Saverit, i cili pajiste me arsim teknik e
tregtar rreth 400 studentë. Nji risi shkencore në Kolegjin e Saverit ishte
Observatori Meteorologjik, i themeluem aty kah viti 1888, si i pari Observator
astronomik në Ballkan. Ai vazhdoi shërbimet e tij t'vlefshme deri më 1946, kur
u konfiskua për t'u shkatërrue gjithçka nga regjimi komunist. Më 1878, motrat
stigmatine themeluen shkollën femnore Françeskane për 200 vajza. N'at kohë
njoftohej se kishte 21 shkolla fillore të tjera shqipe, që zhvillonin
veprimtarinë e tyne në Durrës dhe qytete tjera Veriore. Secila prej tyne kishte
rreth 30 nxanës, përveç asaj të Prizrenit që kishte 80...”. Kësisoj t'gjallët e
kësaj kryeqendre lypte me kenë nji kontribut vlerash, nji shtysë e hovshme kah
nevoja e këtij qyteti e tan Shqipnisë për me lypë ndër rranjtë e veta njat
vullnes t'bekueme gjallimi e përjetsimi, jo aq të emnit dhe poterës, se sa të
veprës si gurthemel i njasaj ngrehine ku naltohet e i bahet zap zotnimeve.
Libri
nji andje e andrrës
Tue rrëmue nëpër njat të drejtë me u ndie
krenar dhe me e lshue ma thellë parmendën e detyresës qi jehon prej kohnave qi
shkreptitën zà drite, ndalena te libri, te historia e njatij testamenti
shpirtnor qi ka gjetë n'Shkodër njaq vend sa ç'mujtën me i lshue kryeqendra
t'qytetnimit botnor.
Shkodra shquhet për traditën e bibliotekave, e
cilla asht shumë e hershme, madje fillesat e saj shkojnë qysh prej periudhës
ilire. Nji shqiptaro-kroat i njoftun me emnin, Aleksandër Stipçeviç, në
“Historinë e librit” shënon se në Iliri ka pasë 72 biblioteka dhe disa syresh
kanë kenë edhe n'Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, “Rrethimi
i Shkodrës”, thuhet se ka pasë anale të shkrueme në gjuhën e popullit. Sipas të
dhanave të Daniele Farlatit në “Illyricum Sacrum”, “qendra të randsishme të
administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë kenë
arqipeshkvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit”. Madje Shkodra njihet
edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipni. Në vitin 1917, u hap
e para bibliotekë shtetnore, e cilla mori emnin Biblioteka e “Komisisë
letrare”, e cila u drejtue nga Hilë Mosi.
Me krijimin e shteti shqiptar, banorët e
Shkodrës ia falën kët bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922, u krijua
Biblioteka Kombëtare me nji fond prej 6 mijë librash. Simbas rendit kronologjik
bibliotekat e Shkodrës i përkasin periudhës 1683, Biblioteka Bogdani, 1750, Biblioteka
e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston ma, sepse
u dogj... ka kenë shumë e pasun me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka rrokë
gjithnji vëmendjen e studiuesve të huej; më 1834 biblioteka e Vakëfit, më 1858
biblioteka e Etënve Jezuitë, më 1875 biblioteka e Françeskanëve, më 1899 e
Shoqnisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqnisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në
vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqnisë Vllaznia. E tash "Marin
Barleti" nji vazhduese e kësaj tradite, në t'cillen ruhen vlera fort
t'çmueme dhe përcillen dëshmì e vullnesa, t'cillat gjejnë dëshirim e zell me i
promovue dhe përfaqësue çdo zà dëshmues dhe çdo vezullim shpirtnor dhe estetik
krijues.
Muzika
lyp me kenë ndër krenuese ma krenarja
Shkodra asht kenë, ka vijue, asht dhe ka me
mbetë tanaheret nji za këndues. T'drejtat e saj me lyp rol kryesor jan njaq
legjitime sa dhe t'meritueme, kjo jo vetëm se i dedikohet asaj kreshtat ma
t'nalta t'përfaqësimit shqiptar në kët gjini t'kumtimit estetik, porse asht ajo
qi t'cilës i lypin hallall emna gjenish të muzikës.
Krijimi i bandës së parë daton më 1870 dhe
drejtues i parë i saj ka kenë, Giovanni Canale, e mandej, nxanësi Palokë Kurti,
i cili shquhej për ndjenjat e nji artisti popullor e atdhetar i flaktë. Ma vonë
mësohet të ket ardhë në jetë banda muzikore e Frano Ndojës. Më 1901, zen fill
formacioni i bandës muzikore të artizanatit, që u krijue fill mbas shpërndamjes
së bandës së parë qytetëse. Pjesëmarrësit e saj ishin gjithsej 50 instrumentistë,
t'cillët i drejtonte mjeshtri Palokë Kurti. Instrumentistët ishin nxanës
zanatçinj të profesioneve të ndryshme. Banda pati jetë deri më 1911, kohë kur
ajo u shpërnda. Ndër formacionet qi fituen popullaritet n'Shkodër qe edhe banda
e shkollës "Plotore e Parrucës", nën drejtimin e mjeshtrit Sulë
Liçaj.
Nën shembullin e Shkollës së Parrucës, u
formue edhe fanfara e konviktit të "Maleve Tona", veprimtaria e së
cillës daton më 1931, me drejtues Zef Kurtin, me përbamjen e 20
instrumentistave. Më 1971, pak kohe pas krijimit të shkollës së mesme artistike
"Prêng Jakova" krijohet edhe orkestra frymore e shkollës, e cilla
vazhdon edhe sot veprimtarinë e saj, gjithashtu edhe banda e qytetit.
Muzika e qytetit ndryshon nga ajo e fshatit,
por t'dyja gëzojnë popullaritet n'Shkodër. Muzika e veriut asht nji kombinim i
rafinuem i romantizmit dhe me nëntinguj të sofistikuem orientalë dhe nji
zhdërvjelltësi në maxhor e minor. Ka nji ngjashmëni me sevdalinkën e Bosnjës
dhe me Sanxhakun fqinj, por ndryshon prej tyne ngase ruen cilësi tipike
shqiptare në rrjedhshmëninë karakteristike të ritmit dhe tempos. Përshkrimet e
para të ktyne grupeve muzikore, qi datojnë kah fundi i shekullit XIX, dëshmojnë
për përdorimin e violinës, klarinetës, sezit, dhe disa stile indiane. Të mëdhenjtë,
Lec Kurti, Prêng Jakova, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Tish Daija luejtën nji rol
qendror si udhrrëfyesa për kompozitorët e Shqipnisë. Sot, fizarmonika dhe
kitarra kanë zavendësue instrumentet ekzotike. Ndër përfaqësuesit ma të mdhaj
të muzikës (kangës) shkodrane janë Ludovik Ndoj Gjergji, Luçie Miloti, Xhevdet
Hafizi, Marie Kraja, Tonin Tërshana, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Frederik Ndoci,
Bujar Qamili, e zgjaton e zgjaton kjo listë njaq shumë, si tue dashtë me
kallxue se, prej t'tan "zejeve", kanga asht njaq e pranishme dhe e
gjithkundndodhshme, thue se n'Shkodër din me ba shum' gjana tue mos lanë mënjan
t'këndumin, jo si argëtim, po si frymmarrje.
Nji
shkreptim zjarrmtare vlerash
Ndërsa i njitena kreshtës së njasaj qi Shkodra
ka dhanë e nisun prejkëtu mbetet hyzdajë me përshkue ma përtej, shfletojmë nji
faqe qi mbetet diftuese e trokut të djepit të kulturës shqipkunguese. Asht
fjala për lëvizjen teatrore, qi Shkodra ka pasë nji traditë të pasun,
t'lakmueshme e rrezatuese. Kështu, në hapësinën kohore, deri në themelimin e
teatrit profesionist, lindën dhe shfaqën portretin e tyne artistik shumë
shoqni, si: "Shkolla Fretnore" (1861), Kolegji Saverian (1905) me
grupet debutuese: "Seminari papnuer", "Kongregacioni i Zonjës
Nunciatë", "Oratoria e Zemrës së Krishtit", "Rrethi bamirës
i Sh'Jozefit", "Orfanotrofi i zemrës së Krishtit"; e ma vonë
shoqnitë: "Leka", "Iliria" (1931), Shkolla e Motrave
Stigmatine (1878), Shoqnia "Rozafat" (18.02.1918), "Shoqnitë:
"Mustafa Pasha" me kryetar Ibrahim Gjyrezin e "Vaso Pasha"
me kryetar Hilë Mosin, të cillat u shkrinë dhe morën emnin "Vllaznia"
(1919-1935); "Gëzimorja" (Shirokë, 1922), "Populli" më vonë
u quejt "Shkodra" (1923), "Grupi i Gjon Krajnit" (1923),
"Atmja e lirë" (1932), "Djelmnia Antoniane" (1933) në
përbamje të cillës ma vonë: "Rrethi i Don Boskos" e "Scuola
Cantorum" (1935); "Malet Tona" (1934), "Grupi
shkodran" (1936), "Besa" (1937), "Komuniteti bamirës
musliman" (1938), "Karnavalet" (1861, ndoshta dhe ma parë), si
dhe shoqnitë ndihmëtare e punëtore. etj. Ky aktivitet i gjanë u zhvillue ndër
shtatë lokale teatrore: Saloni i Kolegjit Saverian kishte 450 vende, i shkollës
së Françeskanëve me 300 vende, i shkollës Stigmatine me 250 vende, saloni i
shkollës së Parrucës (ndërtue për kinema-teatër nga ushtritë austro-hungareze
gjatë Luftës së Parë Botnore) me 400 vende, saloni i shoqnisë
"Bogdani" me 350 vende, saloni i shoqnisë "Vllaznia" me 400
vende. Me 23 nandor 1919, u krijue shoqnia "Bogdani". Për 20 vjet u
ba feneri i lëvizjes teatrore në Shkodër dhe njikohësisht bërthama kryesore e
aktorëve profesionistë të teatrit "Migjeni".
Zafillja
e kësaj përçapje e zani në kushtrimin e kohës
Ishim të dehun nga krenaria, jetonim dhe
frymonim në rrugët e pragjet, në kthinat e në skenat ku ata kishin skalitë me
shpirtin e vet të sakrificës, me përkushtimin dhe pasionin e zellshëm emnin e
vet, përmbi gjithçka emnin e Shkodrës. Tue ken pjesë e kësaj andrre qi
hyjnueshëm kërkonte shteg e me marrë trajtë realeje, na nji grup t'rinjsh,
t'dalun prej shpërgenjve të kësaj madhështie, t'ushqym prej gjinjve të kësaj
legjende, kërkuem e gjetëm arsye me ba diçka, pa menue se jena tue e ba për
Shkodrën, për vedi, apo thjesht tue dashtë pa u drashtë, me ba diçka qi mundena
me e ba me dashni e me amëlci.
Ndoshta ishte koha me lanë edhe na nji gjurmë
t'përgjithmonshme n'historinë e këtij qyteti. Ndoshta diçka qi rrezikonte me
humb, me u shterrë, me hupë n'tollovinë rrapëllimeve politike. Tue shty
njani-tjetrin, tue cyt në yrysh, aty kah fundi i vitit 1994, krijuem
"Rozafa", e cilla nji vit ma vonë u ba Shoqata Rinore,
Social-Kulturore, "Kristal". Asht marsi i vitit 1994, kur del numri i
parë i gazetës "Thyerje", nji përpjekje modeste e promovimit të
pikpamjeve dhe krijimeve, mundësive dhe përçapjeve. Asht ky zà, kjo qasje, e
cilla do të çilte udhën e gjatë e të mundimshme të veprimtarisë së këtij
grupimi, i cilli as ma shumë e as ma pak, mujti me shkrue nji faqe të
randësishme të Shkodrës së njat'hershme.
Kur flasim për këtë bashkim, kët turr
zjarrmtar e andërrtar, s'mundem me ndejtë pa listue emnat e atyne që me mish e
me shpirt dhanë për "Kristal" dhe ajo vetë mujti me u dhanë sa kishte
për ta, për Shkodrën e për kulturën shqiptare. Nji nga emnat ma të randësishëm
të kësaj ere të re ku hynte Shkodra, s'paku kështu guxoj me mendue edhe sot,
ishin Blendi Kraja, Irhan Jubica, Albri Brahusha, Anila Zhugri, Albert Vataj,
Gilmana Bushati, Kujtim Kraja, Bardhyl Ulqinaku, Almir Haxhia, Aferdita Isufi,
Brikena Smaja, për me vazhdue me ata qi ju bashkuen kësaj lëvizje t'përtrimjes
së qytetit, Eduart Grishaj, Arben Prendi, Brikena Smajli, Bujana Hoti, Entela
Tabaku, Ilda Toska, Ledia Dushi, Niketa Stefa, Vjollca Osja, Siana Elezi,
Valbona Karakaçi, Meritan Spahija, Silvana Lahi, Blerti Delia, Marjan Shkreli,
Ledri Kurti, Ermira Juka, Mimoza Muça, Blerinda Çarçani, etj., etj, t'cillët u
ofruen me gjithçka prej Shkodre e lan at që sot asht nji memuar i këtij qyteti.
Revista "Orana" asht dëshmia e kësaj pune, asht mëtimi i atyne
kapaciteteve krijuese dhe promovuese të vlerave qi ky qytet, kjo krenari, kjo
detyresë e ushqeu në gjakun e tyne, në shpirtin qëi me kaq amëlci e derdhën
n'ato punë qi mbeten atëditë e tash vlerë. Kësodore lyp me përmendë nji vijimsi
të kësaj dërgate kushtrimesh t'zashme të mëkimit krijues, bahet fjalë për
revistën "ARS", periodik letrar, numri i parë i së cillës doli më 31
mars 2002 dhe i fundit 26 gusht 2006.
Puna e palodhun dhe përpjekja ngadhnjyese e
atij çka besoi dhe rrezikoi ma shumë se kurrkush n'ne, n'andrra dhe n'realen e
këtyne vlerave, ishte Irhan Jubica. Ishte kjo revistë, e drejtueme prej tij, qi
guxoi me thonj e me dhambë me tubue njato vlera dhe njato kontribute, qi i
banin nder letrave shqipe, e i jepnin tagër krenues dhe konkurues gjithnjatyne
qi e kishin lidhë jetën dhe shpirtin me kumtimin. E kështu mujti kjo krijesë me
hecë bajagi rrugë nëpër nji terren të egër, me ma shumë pengime dhe mëni, smirë
dhe inate, se sa falënderime dhe mirnjoftje. Sepse ishte kohë e vështirë, ishte
nji e mundshme që kacafytej me t'pamujtunën insistuese. Gjithqysh eci dhe u
ndal, për me mbetë nji gur kilometrik në udhën e gjatë të promovimit të vlerave
dhe dëshmimit të sakrificave n'emën të ideales, n'emën t'Shkodrës. Përgjatë 5
viteve t'jetës s'saj, u botuen 40 numra, u gatit nji land e u mëkue njajo gosti
e përbame prej 7120 faqesh ku janë promovue dhe përcjell rreth 2000 autorë, përfaqsues
t'spikatun t'letërsisë shqiptare e t'huej.
E
tashmja e trazimeve
Nuk asht befasi nëse e tashmja e këtij qyteti
ka degdis n'nji gjendje jo dhe aq shndrrimi se sa stanjacioni. Tue ik prej saj,
përdhunshëm, ndoshta kapacitetet ma t'njimendta, e tuj mbetë aty të tjera forca
t'afta për me përshkue rrugën e parathanë t'fatit të këtij qyteti, jo gjithçka
e jo gjithqysh, si asht dashtë ka pasë kushtet e përshtatshme me ndodh. Megjithëse,
përpjekejt dhe kontributet vijojnë me ken përfaqsuese. Emna dhe vlera, ngulme
dhe sfida, s'reshtin së përkunduni njat djep t'kulturës, s'prajn së kunguemi
t'hyjshmen e t'shkumes dhe t'tashmes së kësaj krenie dhe detyrese, t'njasaj
andrre e dëshirimi qi ka ndez e ka me zjarrmue sod e përgjithmonë Shkodrën e
shkodranët.
Politika, e cila gjithherë tue dashtë me
përfitue, asht përpjekë me e denigrue kët qytet e tue synue me i'a mbrri këtij oguri
t'keq, me mujt gjithqysh me e shkurorzu kyt zonj t'rand, kyt hyjnesh. N'vëzhgim
turraz, mundem me thanë qi diçka ka mujtë me marrë prej kësaj dashakeqsije, jo
vetëm duke shmangë dashtazi kapacitetet përfaqsuese dhe ata qi denjësisht do
t'kishin kenë udhëpërshkues të vazhdimsisë, por tue rrëmue me e diftue kët
kryqendër të qytetnimit shqiptar me disa zelltarë jopërfaqësus, njiherash ka
arritë qëllimin për me hedhë baltë mbi përmendoren e krenarisë së këtij qyteti,
tue përdorë pjellën e vet. Tue e lan n'mshirë të fatit, tue e pa ma shum me
synin e njerkës se t'nanës, politika, shteti, e pse jo edhe vetë shkodranët
kanë ba t'mujtin me e frenue n'nji far mënyre ecjen e këtij qyteti, daljen e
saj prej anatemës: "...se Ajo krenohet me kujtesën... e jo me
mundësinë".
Ndoshta goditjen ma t'randë kjo nevojë për me
kenë dhe me u ndie ma e hyjshmja ndër hyjnesha, Shkodrës ia ka dhanë ikja, e
cila tue kenë e kushtëzueme prej ndryshesave e zhbani endjen e dëshirueme
t'fatit krenues të këtij qyteti.
Megjithëse dita-ditës, rranjtë e saja, thirrja
e kakohëshme amanetqare, borxhi i pashlyem, kanë gjetë vullnete dhe hove me
marrë zjarm e me lshue turr. Asht inkurajues fakti se sot ka pena fort t'mira,
t'cillat po përpiqen me vu nji gur n'themelet e traditës shkodrane dhe asaj
shqiptare. Kanga dhe poezia, arti dhe skena, dëshmimi dhe përpjekja kanë
mbushun krahnore e kanë buçitun zane. Edhe pse konsumizmi, tue kenë nji e
tashme imponuse, duket se nuk ka frenue qi shumësia e këtyne vlerave të kumtojë
at nevojë që ndin secili për me i ruejtë dhe me i çue ma tej gjanat krenuese
t'Shkodrës, kët traditë qi n'themelet e saj janë murue; jetë dhe shpirtna,
sakrifica dhe kontribute, vlera dhe veti, tipare dhe karakteristika dalluese,
përpjekje dhe vepra.
Epilogu
Gjithqysh, ajo asht dhe ka me kenë tanaheret
Shkodër, e barku i vet ka me diftu gjithkah këtë dëshmi, mundet me pranu gjithkund
këtë sprovë të vullneteve të fuqishme përtrise, ka me i kenë mirënjohës
shpirtit t'pasun e zemrës bujare t'shkodranve, t'cillët gjithëkujanë kanë dijtë
e kanë me dijtë me e diftue vedin se kah janë, e se me çfarë misioni kan ardhë.
E vetmja gja qi koha ka ndryshue asht se e ka shpërnda tharmin e t'mirës, tue e
çue Shkodrën gjithkah ku ka shkodranë.
Comments
Post a Comment