Stefan Cvajg: Giacomo Casanova në letërsinë botërore përbën një përjashtim, është thjeshtë një çështje fati, e papërshkruar

Dashnori legjendar dhe pasionanti frelëshuar krevator, mikluesi i damave dhe eksploratori i botës toksore dhe jargavitëse, tejkalon veten për tu mbushur kur ai po shpërbëhej, duke iu dhënë tekstshkrimit, krijimtarisë, pikërisht atëherë kur bota, krevatet me purteka bardhoshe, të cilave iu dha me mish e me shpirt, e kishte flakur. Casanova në letërsinë botërore përbën një përjashtim. Thjeshtë një çështje fati, e papërshkruar. Bëri që sharlatani i famshëm të ndodhej në Panteonin e Shpirtit Krijues, aq i pajustifikuar sa edhe Pons Pilati para fesë, do të kumtonte Stefan Cvajg. Mund të vësh në dyshim të qënurit e tij fisnik, po aq sa dhe titullin tjetër të Kalorsit të Seingalit, të krijuar në një mënyrë fort të pafytyrë, nga disa shkronja alfabeti të mbledhura aty këtu. Ato pak vjersha të improvizuara me ngut, diku midis tryezës së lojës dhe shtratit, për nder të ndonjë zonjëze, kundërmojnë erë myku dhe zamke akademike. Madje për të shkuar deri në fund “Iskameronit të tij” këshillohet një uri qengji nën një lëkurë të regjur gomari. Kur i shtrenjti ynë Giacomo Casanova nis të filozofojë, rekomandohet të shtrëngoni mirë nofullat se mund t’ju ndrydhen nga hapja e shpeshtë e gojës.
Duke vazhduar Cvajg, në jetëshkrimin për të kumton se Casanova nuk i përket aspak fisnikërisë poetike, pavarësisht se nuk e ndal veten para mburrjes së poetit, ashtu siç nuk ka të bëjë fare as me Almanakune Gëtes. Edhe këtu ai është një parazit, i future pa pozitë dhe pa të drejtë. Por ama, megjithëse e di mirë se është një bir bushtre, një prift mëkatar, një ushtar i përbuzur, një lojtar me famën e baronit dhe një “batakçi me emër”. Ky lojtar i përjetshëm nuk e njeh përgjegjësinë e papërshkrueshme të një artisti të vërtetë, atë punë të mundimshme dhe titanike, vetmitare dhe të panjohur prej lexuesi, që kryhet shumë e shumë lega nën botën e ëmbël të ndjenjave, larg, shumë larg bashtinave ku shakadahen në dimensione e perversit, jargavitjes dhe dalldisë, në minierën ngadhënjimtare të përkushtimit apokaliptik.
Ai nuk e njeh kurrqysh gëzimin plot angakth të të projektuarit dhe brengën e të krjuarit, të shkrira në njësh me të, brendi dhe sipërfaqe, ëndrra dhe botë rrethanore, që aq fort i ngjajnë asaj etje të përjetshme. Ai nuk e njeh as nevojën e ndjeshme të formave për një mishërim tokësor dhe të ideve për të ndjekur tallazet e ftohta qiellore. Ai, Casanova, nuk i njeh netët pa gjumë, as ditët e hargjuara në punën krijuese plot përkushtim dhe shqetësim, për t’u dhënë formë fjalëve, në mënyrë që nëpërmjet thjerzës së të shprehurit, kuptimit, të shfaq qartë dhe plot ngjyra. Kësisoj nuk e njeh përjetimin përshkrues dhe depërtues të poetit. Ky është pra Casanova, dashnori legjendar, eposi i një mashkulli që zhgrrythet në shtretër e flirte si një derr në llucë, gjithnjë me të njëjtin pasion çmendurie, fal gjithnjë dhe gjithsecilës femër që i jepet të njëjtën përbetim të pafytyrë dashurie, petalet e të cilit bien ende pa u ngritur nga krevati, për tu hedhur në tjetër masë mishi të fshehur pas salltaneteve mondane të grave të kohës, grave që shkruan përjetësinë e tij. Ky është pra ai megaloman sharlatan, që ka bërë të pamundurën për ti ikur përndjekjes së vështirësive të jetës, ai që deri sa mbylli sytë nuk gjeti motiv për të sakrifikuar për një kauz asnjë thërrime lumturi, asnjë grim qejf, asnjë orë gjumë, asnjë minutë ëndjeve të tij kumtuese. Vetëm atëherë kur ta kenë shporrur si një qen e ta kenë përqeshur femrat, kur të ndjehet në vete lypsar i vetmuar dhe pafuqishëm, një hije e së shkuarës, e asaj jete të mbushur përplot me kotësia dhe net dalldie, kur ta shohë veten plak dhe llafazan, ai do të harrohet në punë, sikur kjo të jetë rrangallë e jetës, për të cilën e ka marrë malli, dhe për të cilën ai është i denjë. Prej mërzitjes dhe bezdisë, i torturuar si në ferr nga gjendja e rëndë shpirtërore si një gërdadhë plehrash pa dhëmbë, bëhet gati duke hunguritur dhe grindur ti tregojë vetes 70-vjeçare atë çka ai kishte jetuar. Kështu ai nis dhe rrëfen jetën e tij, pikërisht atë të vetmen gjë që ka patur dhe do të lërë trashëgim.
Nëse je aq e fortë sa të përballosh atë që quhet paragjykim, me një fjalë, nëse je e gatshme që të bësh gjithçka për të siguruar një pozitë të mirë, bëj shumë kujdes që të mos gabosh. Mos u beso fjalëve të bukura që do të të thonë burrat e dashuruar për të bërë të tyren, se sapo të të shtien në dorë zjarri i tyre do të ftohet dhe do të kuptosh se të kanë mashtruar, këshillon ai, Casanova, mjeshtri i mashtruesve, shenjtori i zemrave të brengosura e trupave të velur nga pranverat e shterruara. Megjithëse një grua, në jetën e një aventurieri, si Casanova, nuk duhet të ishte më shumë se një numër në historitë e shpenguara të pasionit te ketij perbindeshi oreksesh epshi.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk