Martin Camaj, shërbestari vullnetmirë i shqipes


Nga Albert Vataj
Njëzet vjet më parë do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit. Një zemër e tretun tuj shndrit u ndal për me lan mbasvedi, vullnesën e mirë të endun me përkujdesin që diti vetëm ai për me e dëshmu. Martin Camaj me mbylljen e syve, ndal kandën për me shkel në tokën amë, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuni nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rand të mërgimtarit. Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në tokën amë, për kurrnji moment nuk u shqit shpirtit të lënduem dhe plagëve lënguese të shqiptarëve.  Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes, dhe arbërishtes. S’andejmi ai mundi me dëshmu botnisht mbi atë që vete ka të mbrujtun shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bani gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e tana përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyne në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtu gjithseçka të mirë, e për me i shtru në një sofër larushinë e dialekteve si vlerë gjuhësore e dallon atë dhe e rrjeshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.
Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtu, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisun, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht. Megjitjkëtë ai nuk e flligu gojën dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuni damkën, e cila mund të gjehej e përligjun te ndokush tjetër por kurrqysh jo tek ai. Tuj dëshmua mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues për tana ata që kanë në dorë shqipen dhe i’a duan t’mirën asaj. Ai nuk bani dallime e dasi, nuk e kqyri shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”. Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitete dhe nuk priret prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu. Kinse, kqyrim shpërthimet greke të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për me ardh masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u naltësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standartit. Duke mos pas tavan mbi krye, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari munena me e pagzu si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese.
Camaj rendi tuj shkru e lëvru gegnishten, pa e ndal turrin, e pa kqyr përsipër nëse kishte qiell për kreninë e tij, apo jo, nëse kishte kresht për me e majt këtë naltësim. Gjithë sa bani ai e rriti brenda vetes me tagrin një besimi dhe mëvetësie që kishte si zanafillë, si vazhdë dhe si mbramësi. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloj përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata i dhanë dhe morrën prej njani-tjetrit shumëçka, por në kryerend, motivin e ngulmit për me u ngjit në ma t’naltat kjartësina, prejnga nuk do të mund t’i zdrypte ndokush. Mveshun prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, ai ban me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe. Ma shumë se një perifrazë, një urti e nxjerr prej lëmit të tij letrar, kjo është një sentencë e gjithë asaj përpjekje të pashoq që ai bani për shqipen dhe kandën artshkruese të saj. Ai  me këtë dëshmoi njëmëndësinë e asaj që e udhërrëfeu atë dhe duhet të ysht tankënd që don me lan mbas të gjallëve të tij, një vepër të patëdytë, një kreni për tankush e njohu dhe e përcolli asohere dhe tashembas.
Gjithqysh, në kryeherë, gegnoshtja dukej se do të ishte për të një sfidë, një apogje ku ai ngulmonte të ngjiste kreaturën që shfaqet tetan çka ai la, që nga poezia, proza, drama, pa i lan mënjanë edhe në ngulmime të tjera që prekim punë të tij studimore dhe shkencore. Poetët dhe narratorët që skaliten letrat shqipe në këtë dialekt, siç mund të përmendim, Ndre Mjedën, At Gjergj Fishtën, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, etj fillëruan rrugën e tij shtegngushtë dhe përplot me hendeqe. E ai nën vullnesën shndritëse të këtyre titanëve të gegnishtes rendi, për të sosur të gjallët e tij, 20 vjet më parë, dhe për të lënë një vepër me vlera të njëmendta.  
Një meritim të veçtë, Martin Camaj mvesh kontributit dhe emrit të tij dhe teksti arbërisht. Mbamendjen e ketillë dhe shkrimtaria e tij, ka ngucatun studiuesi Behar Gjoka, i cili e ka qëmtuar këtë ngarendje të shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut, dhe jo vetëm. Sipas tij, romani "Karpa", novelat "Shkundëllima", dhe "Fshati me shtatë gjuhë", që e marrin motivin nga jeta e arbëreshëve, shpërfaqin përkujdesin e Camajt për arbërishten. Studiuesi “guxon” ta rëndisë Camajn të parin që ka lëvruar këtë copëz të vyer të shqipshkrimit. Sipas tij, Camaj është rilindasi i fundit që mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve. Nën barrën e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se këto dy variante vazhdojnë të jenë funksionalë, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor, saktëson studjuese. Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me ngjyresat bashkëkohore evropiane. Si ligjërues letrat, si qëmtues dialekti dhe si yshtës i vlerave të nëpërkëmbura në vendin e amës, Camaj dallon edhe për një frymë moderniteti, duke u bërë sakaq dorzan i një letërsie ndryshe, që po lindte. Poezia, gjithashtu mbart një trajtesë të atillë që ndeshet ndër përkimet e mjeshtërve të ligjërimit të asj kohe. Camaj me krjimtarinë e tij, mbajti shqipen dhe shqiptarët në radhën e atyre letërsive dhe kombeve që zotonin universin e letrave.
Siç asht përshkru edhe në enciklopeditë, Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit, Shkodër, më 21 korrik të vitit 1925 dhe vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih, bash 20 vjet më parë. U dha me mish e me shpirt shkrimtarisë, të cilën e endi me dialektet që ai gaditi me ëndje dhe kreni. Edhe si albanolog, mbetet një dimension i pamatshëm. Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit ai mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd romanistikën, mori gjithëpoaq mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Atje ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në fund të të gjallëve të tij. Emri dhe krijimtarinë  e Camajt e kudogjejmë në gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Qëmtimet akademike të Camajt u ngulmuan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Mëtimi letrar i Camajt në 45 vjet kumton disa hope të njimbasnjishme zhvillimi. Ai e pikënisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik përgjatë gjithë jetës. Anipse vitet e fundit të përkushtimit i’u dha ma s’shumti prozës. Galeria e tij krijuese asht e bollshme e plot larushi. Varganin e gjatë të asaj pene e pikënis: “Nji fyell ndër male” -Prishtinë 1953, për me vazhdu me “Kanga e vërrinit” -Prishtinë 1954, “Djella” (novelë) - Romë 1958, “Legjenda” - Romë 1964, “Lirika mes dy moteve” - Munih 1967, “Poezi” (1953-1967)- Munih 1967, “Njeriu më vete dhe me të tjerë” -1978, “Poezi 1981, “Drandja” (proza poetike)- Munih 1981, “Rrathë (novelë) – 1981, “Shkundullima” – 1985, “Karpa” (novelë) -1987. Vijon kjo kolanë krijimtarie e Camaj me botimet dygjuhëshe, “Poezi” (shqip-italisht)- 1985, “Me pendlat e korbit të bardhë” (shqip-gjermanisht). Për me vazhdu me një syshikim në lëmet e tjera të letrave, përpjekjet e tij albanologjike, gjuhësore, estetike, studimore, eseisike: “Meshari i Gjon Buzukut” - Romë, 1960, “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” - Wiesbaden 1969, “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” - Firence 1971, “Antologjia: Këngë shqiptare” - Dusseldorf 1974, Gramatika shqipe - Wiesbaden 1984. Tankjo mëvetësi krijuese, ndryshe ngase priret prej shumë emnash dhe penash që kanden duke mbete brenda vetes dhe duke mbushin zgafellën e vetmisë së tyne, Camaj e bani gjithseçka, ngriti deri në zenit ngulmin e vlerës dhe mëtimit, vetëm dhe veçmas për shqipen dhe shqiptarët, për vendlindjen dhe gjakun e t’parve. Megjithëse ai gjithë veprën e tij e shkroi jashtë Shqipërisë, në Beograd, Romë, Mynih, s’mundi me ken tjetërkush vetëm biri i Temalit, anda e një trolli të ashpër dhe ora e një djepi të mirë. Tançka bani e gjithçka la, kjartazi dhe dashtazi e kishte për bashkëkombasit e tij, të cilët edhe tash nuk asht se e njohin dhe aq edhe pse ai tashma asht riatdhesu si kijimtari, si botkuptim dhe si gjënezë, përkundër një dasie të stërgjatë që mbolli komunizmi ndër shqiptarë. Ky shërbestari vullnetmirë i shqipes, diti me shkru fort mirë emrin e tij në historinë e letrave shqipe dhe me mbet aty, ndoshta jo me hatrin e shumëkujt, qi u mundun me e mbajt larg këtë kolos të mendimit. Tash, shumëçka ka mbetun mbrapa, kujtimet e zehërta të një anateme, shija e helmët e do gojëve të liga, e kanda e vrame e një armate ngrehaluce mediokrish, të cilët tuj dasht me ndalu Camajn, guxun me besu se po e mbanin të përjashtume, gegnishten. Por ky dalzotës i këtij dialekti, diti dhe mundi me qëndru, me besimin se dokurdo do të lindte ajo ditë përplot me dritë pranie, pranimi dhe mëvetësimi të shqipshkrimit.


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk