Më 23 shkurt të vitit 303, Perandori romak Diokleciani urdhëron përndjekjen e të krishterëve në përgjithësi - së shpejti, Konstandini do të bëhej perandor dhe do ta mbështeste krishterimin. Diokleciani (245 - 312 ) ishte ilir nga fisi i njohur i dalmatëve. Duke shërbyer në radhët e ushtrisë romake ai u shqua dhe pati karrierë të suksesshme. Si perandor, Diocleciani shtoi numrin e trupave përgjatë kufijve të Perandorisë dhe pengoi përparimin e fiseve barbare në trojet ilire (nën pushtimin romak). Diokleciani ishte reformator. Ai i dha fund "Krizës së Shekullit të Tretë" duke krijuar “Tetrarkinë”, mënyrë qeverisjes me 4 perandorë për çdo 4 ndarje administrative. Në vend që të vdiste në detyrë si gjithë perandorët e më parëshëm, Diokleciani dha dorëheqjen, caktoi në poste ata që deshi dhe kaloi i qetë vitet e pensionit në pallatin e tij në Split. Edhe pse hoqi dorë nga froni, Diokleciani nuk ishte edhe aq modest; puthja simbolike ose gjunjëzimi për të puthur dorën ose cepin e mantelit të një monarku, është zakon që u krijua nga Diokleciani.
Por si zgjidheshin perandorët romakë? Në radhë të parë perandori nuk zgjidhej, përveç të parit (gjeneral ose komandant që ndihmohej nga ushtarët e tij për të ardhur në fron); të tjerët midis ishin pjesëtarë të ngushtë të rrethit familjar; ndërsa i fundit e së njëjtës familje ose dinasti, dilte në pension, vdiste ose shpesh vritej nga pjestarë të dinastisë së ardhëshme. Gjeneralët krijonin një lloj grupimi, ku përfshiheshin zakonisht ushtarakë të lartë me lidhje etnike ose prejardhje nga zona të përbashkëta gjeografike. Ata ishin gjithmonë në fushata dhe kur shihnin se ndihma e nevojëshme nga perandori në Romë vonohej, ata zgjidhnin komandantin e tyre si perandor, marshonin në Romë, dhe rrëzonin perandorin aktual. Kjo ishte traditë e krijuar që nga Jul Qezari, paraprirësi i sistemit perandorak romak. Nga ky kënd duhet vështruar edhe çështja pse për rreth 3 shekuj një numër perandorësh të Romës ishin me prejardhje nga Iliria - Ndoshta sepse Ilirët mbizotërornin ushtrinë ose përbënin forcën elitë të perandorisë romake?
Comments
Post a Comment