A me anarkista, a me hekun dorë prej çashtjes kombëtare?

Anton Harapi
Tash sa kohë publiku shqip kaq i pafat ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohen keq dhe do të komentohen ndoshta edhe më keq, due t’ia çoj në vend dishirin: due ta thom fjalën t’eme. Por, vall shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndodhi nji punë të mbar, pse sa për fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak!
1-      Ja, pra, se nji punë e parë u ba: mbas sa muejësh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrëzikshme sot mirë a keq kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji auktoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë, a me sy të keq, aq sa edhe miqtë e dashamirë të minj mrritën me thanë: Shka iu desht Pater Antonit me ia hy kësaj pune? Këtyne due t’iu përgjegj, jo si zyrtar por si mik, jo për të përligjë veten por për të ndritun mendimin t’em të tyne. Më rren mendja se nuk ka zog shqiptari qi të mendojë se unë e mora këtë barrë për kulltuk, për interes a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji manie imja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnis, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombëtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh a të baj nji marri tue e pranue ketë zyrë, ose të tregoj nji dobsi tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marri: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të komprometohen.
Shqipnin do t’a shpëtojë Zoti
2-      Ja, arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptar; pse nuk ruajta t’a shoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për ne shqiptarët anarkija asht nji turp edhe nji delikt: po, turp asht të ngatërrohemi sho me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonin shqiptare, pa qenë të zotët t’i gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ket moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundjevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokull! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.
3-      Mani. E po si kujton Pater Antoni Harapi se ai po e shpëton Shqipnin?!…Jo zotni. Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra? Shqipnin do t’a shpëtojë Zoti e kurse na i kemi vu vehtes nji misjon; të përpiqemi me të gjitha fuqit për të pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d.m.th se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ket shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por po muejtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen nji gur sado të vogël për konsolidimin e çashtjes shqiptare, do të jemi të lumtun.
4-      Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni ta baj ket hap: Qaje, Zot të keqen thashë me vehte, si mos me gjetun në Shqipni burra të zotët qi të marrin përgjegjësi publike dhe të flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në këtë rast me shikue hollë, për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnisht të hap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, më parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin t’em personal, se sa me rrezigue vehten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija.
5-      Edhe komunistave due t’u a thom nji fjalë, por kjo kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak jenë ata Shqiptarë të cilët vertet e kuptojnë doktrinën komuniste, por tashma të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipni. Kjo asht e vërtetë e kjo don me thanë se gadi gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes, pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po, thonë se e kanë për Shqipni, e vetëm për Shqipni. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare, sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë dishmues organizatorët komunistë, ua më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare. Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu? Masat terroristike, mandej, vallvrasja lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim, nuk i lanë vend dyshimit. More me kubure në gjoks nuk bahet kush as vlla, as shoq, por ja skllave, ja mizuer apo hypokrit. Gjithmonë tue rrënue nuk ndërtohet.
Porse, mbas gjase, komunizmi sot ndër ne e ka lanë m’anesh doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare. Kjo për mue asht nji kontrast. Nuk due të bjeri kohë tue polemizue me komunista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla më thes nuk hyn. Nuk kemi si t’a-nrrojmë me ngrehë republikën e Platonit, kurse jemi ende në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcehejmë n’internacjonalizëm, kurse ende nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjen kombëtare. E pse atyne u asht mbushun mendja se luftën e fillojnë udhëheqësit e së tretës internacjonale nuk asht kjo nji arsye qi na qysh tash t’i a nxjerrim syt shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk