“Mein Kampf” dhe “Manifesti” si libra

Ardian Ndreca
A ka ndonji njeri që mendon se themeli i krimeve të komunizmit qëndron në nji libër si “Manifesti i Partisë komuniste” i vitit 1848? Dhe a ka ndonji që kujton me të vërtetë se po të mos ishte shkrue dhe botue në vitin 1925 Mein Kampf-i i Hitlerit bota do të kishte shmangë tmerret e nazizmit?
Për me iu përgjegjë këtyne pyetjeve nji pjesë e shqiptarëve as që e ndien të nevojshme me i pasë lexue ma parë këto libra, prandaj edhe opinioni i këtyne mund të hidhet shumë lehtë mbas krahësh si i padobishëm.
Prej personave që i kanë lexue të dy ato libra do të merrja ma seriozisht opinionin e atyne që shprehen o pozitivisht o negativisht për të dy njiherit.
Për ata naivë që mbasi i kanë lexue kujtojnë se të këqijat në histori vijnë prej nji libri, shmangia e të zezave do të ishte mjaft e lehtë: do të konsistonte në djegien dhe në ndalimin e atij libri.
Sa libra antinjerzorë, ekstremista, minues vlerash, imoralë, shkatrrimtarë dhe të rrezikshëm janë botue gjatë shekujve XIX-XX?
Do t’ju numroja të paktën nja dy duzina, madje disa sish të shkruem me stil dhe me gjuhë shumë ma të zgjedhun dhe joshëse se dy të masipërmit, por asnjeni prej tyne, fatmirsisht, nuk ka gjetë ndjekësa dhe rrethana historike të volitshme për me shkaktue tmerre si ato të komunizmit dhe të nazizmit.
Nji debat idiot në faqet e të përditshmeve shqiptare po zhvendos vemendjen prej problemeve reale të vendit tue u marrë me punë boshe, si botimi apo ndalimi i Mein Kampf-it të Hitlerit.
Kushtet historike në të cilat nazizmi mori pushtetin, shkaqet e fitores së tij, nuk janë krijue prej nji libri që shpreh në mënyrë vulgare disa parime të njohuna ekstremiste, si superioritetin e racës ariane, inferioritetin e parlamentarizmit, rolin negativ të katolicizmit dhe të borgjezisë, luftën kundër ideologjisë bolshevike, nevojën e ekspansionit drejt Lindjes etj.
Kush ka lexue biografinë ma të mirë që asht shkrue ndonjiherë për Hitlerin, atë të historianit gjerman Joachim Fest, e cila do të duhej të shoqnonte botimin shqip të Mein Kampf-it, e ka të qartë se nazizmi dhe vetë Hitleri janë pjellë e nji epoke dekadente që e gjeti vetveten në zellin mohues e përmbysës të nji vegjetariani që donte kafshët dhe urrente gjysmën e njerzimit.
Ndalimi i Mein Kampf-it në do vende asht i lidhun me bremjen e ndërgjegjes dhe ndjenjën e fajit të disa popujve që kanë kontribue drejtpërdrejt në triumfin e nazizmit. Ketë raport e ka sqarue mjaft mirë Thomas Mann te vepra e tij “Mendime të nji jopolitiku” (që s’di nëse asht përkthye në gjuhën shqipe!).
Te ne kobin ma të madh në shekullin e kaluem e kanë shkaktue ndjeksat e Manifestit, por askujt sot, me të drejtë, nuk i shkon në mend me kërkue ndalimin e atij libreci.
Madje diçka vërtetë e pështirë siç janë kujtimet e Ramiz Alisë apo të Nexhmije Hoxhës, botohen dhe i përcillen lexuesit së bashku me nji aurë sentimentalizmi që përpiqet me nda të mirat esenciale prej të këqijave gjoja dytësore e të paqëllimshme të despotizmit enverian!
Nazizmi dhe komunizmi si ideologji janë varrosë. Në qoftë se ndonji ditë diçka e ngjashme ka me u ringjallë, kjo gja nuk ka me ndodhë siç ka ndodhë herën e parë, por në kushte dhe me premisa të reja historike. Pra, në thelb të ndonji ideologjije vrastare që mund të kërcënojë botën me terror dhe me dhunë kanë me qenë të tjerë libra, të tjera ide e të tjerë individë.
Sot shqiptarët duhet të shqetsoheshin jo prej nji libri të mërzitshëm si Mein Kampf, por prej leximit të “vendimeve të arsyetueme” që trupat gjykuese kanë depozitue apo do të depozitojnë së shpejti për çeshtjet “Meta”, për Gërdecin e për disa dhjetëra të tjera të ngjashme, por ma pak të famshme.
Janë ato vendime që dëshmojnë degradimin e demokracisë në Shqipni, dështimin e parlamentarizmit dhe tkurrjen e çdo shprese për përparim.
I vetmi që do të përfitojë diçka prej përkthimit të Mein Kampf-it në gjuhën shqipe do të jetë botuesi i tij, jam i sigurt se shumica e lexuesve do të mbetet tejet e zhgënjyeme prej atij libri. Pjesa tjetër e polemikës asht folklor dhe topitje shpirtnore.
Për me u ba revolucionar në Shqipni mjafton me lexue Fletoren Zyrtare dhe shpalljen e arsyetueme të vendimeve të gjykatave shqiptare. Mjafton me pa sesi Shqipnia po shitet copa-copa, si po minohen prej themeleve institucionet shtetnore me korrupsion dhe me partishmëni, si shqiptarët po vriten kundër çdo ligji dhe mandej poshtnohen prej vetë njerzve të ligjit, si krimi i organizuem vijon me mbetë i pandërshkuem, si e keqja triumfon e pandalun prej asgjaje.
S’na e kanë fajin librat, sado të mbrapshtë qofshin ata, pse e keqja buron prej vullnetit të gjallë të atyne që e realizojnë dhe të atyne që e lejojnë ketë gja.
I vetmi libër që do të doja të digjej, shkruente njiherë Karl Kraus, asht indeksi i librave të ndaluem.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk