Shuhet shkrimtari që “parandalonte” të ardhmen



Ray Bradbury, gjigant i letërsisë amerikane, që ndihmoi popullarizimin e romaneve fantastiko-shkencore, me vepra si “The Martian Chronicles”, ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar shtëpia botuese e tij. Gjatë karrierës, Bradbury ka publikuar më shumë se 50 vepra, duke përfshirë edhe romanin klasik për censurën e librit në shoqërinë e së ardhmes “Frahrenheit 451” dhe të tjera si “The Illustrated Man” dhe “Something Wicked This Way Comes”. “Bradbury ka vdekur qetësisht, mbrëmjen e kaluar në Los Angeles, pas një sëmundjeje të gjatë”, ka thënë një zëdhënës i shtëpisë botuese “Harper Collins”. Si shkrimtar i romaneve fantastiko-shkencore, Bradbury kishte thënë se nuk dëshironte të predikonte të ardhmen, por në njëfarë forme donte ta parandalonte atë. I tillë ishte edhe rasti i romanit “Fahrenheit 451”, i publikuar në vitin 1953, që fliste për totalitarizmin e shoqërinë antiintelektuale, ku librat e ndaluar digjeshin. Romani shtjellon një botë që mund të tingëllojë familjare edhe për lexuesit e shekullit XXI. “Në letërsi fantastiko-shkencore, ne ëndërrojmë”, i kishte thënë shkrimtari gazetës “New York Times”. “Nëse duam të kolonizojmë hapësirën, të rindërtojmë qytetet tona, ne duhet të imagjinojmë të ardhmen, duke përfshirë edhe teknologjitë e reja që janë të nevojshme...”.

Bradbury ishte lindur në Waukegan, Illionis, dhe ishte shpërngulur në Los Angeles në kohën kur ishte adoleshent. Ai nuk kishte shkuar në kolegj, por në vend të kësaj ishte edukuar vetë duke lexuar me orë të tëra në librari dhe më pas kishte nisur të shkruante për disa revista. Më 1950 ai publikoi “The Martian Chronicles”. Të tjerë titujt të njohur të Bradburyt, janë edhe “The Illustrated Man”, “Dandelion Wine”, “I Sing the Body Electric” dhe “From the Dust Returned”.

Në vitin 2004, presidenti amerikan George W.Bush, e kishte nderuar Bradburyn me Medaljen Kombëtare për Art. Interesimi i Bradbury për të shkruar ishte shfaqur qëkur ishte i vogël. “Kënaqësia më e madhe në jetën time ishte kur zgjohesha në mëngjes dhe shkoja te makina e shkrimit sepse kisha ide të reja”, kishte thënë shkrimtari në ditëlindjen e 80-të.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk