Ernest Hemingway, Nobelisti i dy luftërave botërore


Ernest Hemingway, i cili vrau tragjikisht veten më 2 korrik 1961, kujtohet nga të gjitha qarqet artistike si një ndër shkrimtarët më në zë amerikanë të shekullit XX dhe si përfaqësuesi kryesor i Brezit të Humbur. Ai përjetoi thellë tragjedinë e dy luftërave botërore, u gjend disa herë ballë për ballë me vdekjen dhe shkroi një letërsi ku dhunës njerëzore i kundërvihet dashuria, ndërsa kotësisë dhe zhgënjimit të jetës, përpjekja për të qëndruar me çdo çmim dhe me çdo kusht.
Hemingway, i lindur në Oak Park Ilinois më 21 korrik të vitit 1899, u rrit në një mjedis mbytës provincial, nën autoritetin e një nëne të rreptë, ndërsa vetëvrasja e të atit la gjurmë të pashlyera në zemrën e tij. Universiteti i parë për Hemingway-n u bë Lufta e Parë Botërore. Ai shkoi vullnetar si sanitar në Itali, ku u njoh me tmerret e luftës, por edhe me burrërinë dhe vetëmohimin, që do të mbushin faqet e tregimeve dhe romaneve të tij të mëvonshme. Atë që mundi të shkruante, duke bashkuar llojin e gazetarisë me atë të letërsisë artistike, e mblodhi në vëllimin e parë "Në kohën tonë" dhe në vëllimin e dytë "Burra pa gra".
Por në mbarë botën Hemingway u bë i njohur me romanin "Lamtumirë armë", ku trajton një histori dashurie, që përfundon tragjikisht në një botë ku sundon ligji i luftës dhe ku njeriu vret njeriun.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hemingway udhëtoi dhe mori pjesë në veprime luftarake si korrespondent. Në tregimet e kësaj kohe tingëllon e fuqishme ideja antifashiste kundër luftës. Hemingway u bë i famshëm me botimin e romanit "Plaku dhe deti" për të cilin u nderua me çmimin Nobel për letërsi.
Si për të vazhduar traditën familjare, Ernest Hemingway, vrau veten duke pasur frikë nga sëmundja, e cila e mundonte prej kohësh.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk