Rrathët misteriozë të Namibisë-pamjet satelitore te tokës së zhveshur


Në jug të Afrikës, në Namibi, janë zbuluar disa hapësira të zhveshura toke, të cilat qëndrojnë në një distancë të caktuar mes bimësisë dhe kanë formën e rrathëve (qarqeve) . Në rrafshin e shkretëtirave të atij vendi, në fakt, ka me qindra struktura rrethore të njohura si “rrathët e zanave”, të cilat shfaqen dhe zhduken pas disa vitesh pa ndonjë arsye të dukshme dhe të njohur deri më tani.


Sa më të mëdha të jenë në sipërfaqe, aq më shumë zgjasin në kohë. Mesatarisht ato ‘jetojnë’ për rreth 24 vjet, por disa arrijnë edhe deri në 75. Këta rrathë të mistershëm janë qartësisht të dukshëm, sepse bimësia rrethon në mënyrë ekzakte, pa shkelur brenda territorit të tyre, perimetrin e këtyre qarqeve të tokës, të cilët mund të kenë një diametër që varion nga 2 deri në 12 metra.


Ekzistenca dhe shkaqet që mund të kenë çuar në formimin e këtyre rrathëve i ka vënë shkencëtarët përballë vështirësive dhe ndaj ata vijojnë të jenë të veshur nga misteri. Në fakt, ekzistojnë disa hipoteza të ndryshme, por asnjë nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme shkencërisht për të përligjur krijimin e qarqeve. Ka nga ata që hipotetizojnë praninë e një temperature shumë të lartë poshtë sipërfaqes ku janë formuar rrathët, por ende është gjetur ndonjë korrelacion i vërtetë me mungesën e bimësisë. Ndërkohë, disa sugjerojnë ekzistencën e disa ushqyesve në tokë që mund të shkaktojnë formimin e avujve toksikë, çka bën të pamundur rritjen e bimësisë në këto sipërfaqe, por edhe kjo hipotezë nuk është arritur të mbështetet me dëshmi dhe prova shkencore.


Në fakt, të pakta kanë qenë kërkimet mirëfilli shkencore të zhvilluar rreth tyre. Para së gjithash, sepse për të arritur tek rrathët e Namibisë duhet të përshkosh të paktën 180 km nga fshati më i afërt i banuar, në një zonë të mbushur plot me kafshë të egra si leopardë, strucë, antilopa, luanë. Por, edhe për shkak të klimës së papërshtatshme,pasi temperatura gjatë ditës shkon në 45 gradë, ndërsa gjatë natës në disa gradë nën zero. Në këtë mënyrë studiuesit janë përqendruar në hulumtimin e pamjeve të marra në rrugë satelitore gjatë viteve 2004-2008, një periudhë gjatë së cilës rrathët kanë mbetur të ‘palëvizur’.
Disa shkencëtarë kanë dhënë një konkluzion matematikor lidhur me fenomenin. Sipas tyre, shkaku është një formë vetërregullimi mes bimëve ekzistuese. Pra, disa bimë mund të tërheqin burimet minerale që gjenden në tokë drejt sipërfaqes ku ato shtrihen. Si rezultat, përfitimi i mineraleve për këto bimë, e bën të pamundur zhvillimin për bimë të tjera që zënë zonat më të largëta. Në fakt, kjo hipotezë, në mënyrë teorike mund të çojë në krijimin e rrathëve të tillë, por ajo që mbetet ende e papërligjur shkencërisht është se, si arrijnë konkretisht bimët të krijojnë hapësira të tilla kaq proporcionale, çka e bën ende të largët çelësin e këtij misteri.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk