A është e vërtetë Iliada e Homerit?
Një analizë e re e personazheve të tri tregimeve të njohura
mitike sugjeron se rrëfimet fantastike janë të bazuara në realitet. Rrëfimet e
mëdha mitologjike ekzistojnë në botën ndërmjet faktit dhe fiksionit. Të
ruajtura në mënyrë gojore nga një gjeneratë në tjetrën, ato tentojnë të ndjekin
një parim të thjeshtë dhe të japin disa të vërteta themelore rreth natyrës
njerëzore. Por a janë rrëfimet shpeshherë-fantastike ato që e thonë para se
gjithash të vërtetën, apo janë prodhim i imagjinatës së njerëzve të
antikitetit?
Një çift i hulumtuesve irlandezë ka sjellë një analizë të
sofistikuar statistike të tri teksteve kanonike dhe ka konkluduar se ato
bindshëm japin portrete realiste të shoqërive të tyre përkatëse – sapo t’i
largoni elementet e qarta fantastike dhe të supozoni se personazhet e caktuara
janë në të vërtetë të krijuar. “Ne nuk po themi se kjo apo ajo ka ndodhur në të
vërtet, apo madje se njerëzit e veçantë të portretizuar në tregime janë realë”,
tha Padraig Mac Carron nga Coventry University’s Applied Mathematics Research
Centre, i cili është bashkautor i analizës me kolegun e tij Ralph Kenna. “Ne po
themi se shoqëria e përgjithshme (që del në shesh nga tregimet) dhe
ndërveprimet ndërmjet personazheve duken realiste”.
Mac Carron dhe Kenna ekzaminuan rrjetet shoqërore të
paraqitura në ‘Iliadën’ e Homerit, e cila përshkruan betejat e brendshme dhe të
jashtme të ushtrisë greke gjatë luftës së Trojës; ‘Beowulf’, tregimin për
luftëtarin e madh skandinav, i cili e mund një përbindësh; dhe ‘Tain Bo
Cualinge’, një ep i vjetër irlandez, në të cilin një burrë i vetëm duhet të
mbrojë provincën e Ulsterit.
Hulumtuesit identifikuan 74 personazhe të emërtuara në
‘Beowulf’, 404 në ‘Tain’ dhe 716 në ‘Iliadë’. Ata pastaj skicuan lidhjet
ndërmjet tyre. “Prej tri miteve, rrjeti i personazheve në ‘Iliadë’ ka
karakteristika më të ngjashme me ato të rrjeteve të vërteta sociale”, shkruajnë
ata në revistën EPL (Europhysics Letters). “Kjo ngjashmëri ndoshta reflekton
provat arkeologjike që mbështesin historicitetin e disa prej ngjarjeve”. Po
ashtu, mënyra se si personazhet në ‘Beowulf’ janë të lidhur së bashku ‘ka disa
karakteristika të ngjashme me rrjetet sociale të vërteta’, shkruajnë ata. Kjo
konfirmon dëshmitë arkeologjike që një numër i personazheve janë të bazuar në
njerëz të vërtetë, ‘megjithëse ngjarjet e tregimit shpeshherë përmbajnë
elemente të fantazisë’.
“Për dallim nga këto, rrjeti shoqëror i ‘Tain’ fillimisht
duket i ngjashëm me atë të Marvel Universe, ndoshta duke treguar se është
ekuivalent i Epokës së Hekurt i stripave”, shkruajnë hulumtuesit. Por nëse i
hiqni lidhjet më të dobëta që kanë të bëjnë me gjashtë personazhet kryesore që
janë ‘tepër supernjerëzorë për të qenë realistë’, rrjeti social që rezulton
është i ngjashëm me Iliadën dhe rrjetet tjera sociale të vërteta’. Nëse
pretendoni se këto gjashtë personazhe janë ‘amalgamë të disa entiteteve’, që më
sa duket janë shkrirë derisa tregimi është ritreguar dhe ripunuar gjatë
shekujve, shoqëria që e banojnë duket aq e besueshme dhe realiste sikurse ato
të dy miteve tjera.
Kështu mund të ketë një arsye pse këto tregime të vjetra
evokojnë një ndjenjë të së vërtetës që aq shumë vepra fiktive dështojnë ta
përçojnë. Derisa përshkruajnë aventura të pabesueshme, këto rrëfime – së paku
sipas kësaj analize – duket se kanë argumentime të forta në botën e vërtetë.
Comments
Post a Comment