Ikën intelektuali kontrovers, zëri liberal, Gore Vidal


Shkrimtari dhe aktivisti i njohur politik amerikan, Gore Vidal, vdiq në Los Angeles, në moshën 86-vjeçare, thuhet në lajmin e publikuar nga familja në web-faqen e tij. Vidal shkroi novela, ese dhe skenarë për film dhe teatër, dhe konsiderohej zëri më liberal i periudhës së pas viteve të 50’a të shekullit të kaluar. Ai u lind në një familje me ndikim politik në Amerikë, gjë që pati ndikim të madh në veprimtarinë e tij. Megjithëse u rrit në një rreth që shumë lehtë mundi ta shndërronte atë në një kryetar të ri amerikan, ose të paktën në një politikan të rangut të lartë, Gore Vidal gjatë tërë jetës së tij u mor me kritika ndaj pushtetit. Ishte i pasur, i famshëm, dhe shoqërohej me qarqe njerëzish të fuqishëm, por fuqia nuk e tërhoqi asnjëherë. Për më tepër, pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi kritikimit të sistemit, në krye të të cilit shpeshherë vinin njerëz që ai i njihte personalisht. Por, kjo nuk do të thotë se nuk e sprovoi veten fare në politikë. Në vitin 1960 Vidal ishte kandidat i demokratëve për Kongres, por u mposht, përkundër mbështetjes që mori nga Roosevelt dhe Truman. E mbështeste presidentin Kennedy, por pas disa pijve më tepër seç duhet, u kap keq me Robert Kennedy, kështu që shumë shpejt filloi që Keneditë t’i portretizonte si asgjë më tepër se “manipulues të ftohtë”. Ishte intelektual, dramaturg dhe, bashkë me Norman Miller dhe Truman Capote, një prej shkrimtarëve të fundit amerikan që gjatë jetës gëzonin statusin e yllit. Pjesë të opusit të tij krijues janë qindra ese e bestsellerë, si "Lincoln" e "Myra Breckenridge", por edhe shfaqja e shpërblyer me Çmimin Tony, "The Best Man". Mirëpo, njësoj siç i qëndronte përballë establishmentit politik, Vidal pozicionohej edhe ndaj “forcave” letrare, kështu që animoziteti ishte i dyanshëm. Në të vërtetë, përveç shpërblimit prestigjioz National Book Award, Vidal gjatë jetës fitoi fare pak shpërblime letrare. Përkundër kësaj, admirimi i tij nuk mungoi, kështu që u bë pjesë e rrethit të mendimtarëve të lirë, krah për krah me Mark Twain dhe H.L. Mencken. Intelektualisht i “thyente” politikanët - e gjallë dhe të vdekur, tallej me religjionin dhe etikën, ishte kundër luftërave në Vietnam e Irak, ndërkohë që hapësirën në media shpesh e fitonte falë barsoletave në llogari të kolegëve të vetë. Nuk kishte vështirë të krijonte miq (e as armiq). Në mesin e miqve të tij ishin Hillary Clinton, Paul Newman e Joann Woodward, Frank Sinatra, Bill Clinton, Marlon Brando, Tennessee Williams, Orson Welles dhe Mick Jagger. Megjithëse, nga ana tjetër, kishte edhe miq me të cilët nuk mund të lavdërohej. Njëri prej tyre ishte edhe “Bombahedhësi nga Oklahoma City”, Timothy McVeigh, me të cilin, me kalimin e kohës, Vidal krijoi një “lidhje” interesante. "Ai është shumë inteligjent. Nuk është i çmendur”, pat thënë Vidal me një rast për McVeigh. Gore Vidal ishte një njeri i lexuar, dhe konsiderohej ndër intelektualët më të admiruar amerikan, edhe pse s’kishte fare fakultet. Klasat i konsideronte të mërzitshme. Në fakt, arriti të përfundojë akademinë elite Phillips Exeter, por pas saj u lajmërua për ushtri, dhe kurrë nuk e regjistroi fakultetin. Megjithatë, librin e parë të tij, "Williwaw", e shkroi pikërisht në kohën kur shërbente në ushtri. Ishte vetëm 20-vjeçar.

Nga ana tjetër, i pëlqente të pinte, e me një rast deklaroi se i kishte provuar të gjitha llojet e drogave – të paktën nga njëherë. Kurrë nuk u martua, ndërsa vilën në Itali e ndante me partnerin e tij, Howard Austen. Gore Vidal shpesh bashkëpunoi edhe me Hollywood’in. Shkroi skenarin për filmin "Suddenly Last Summer", kurse klasikut të Hollywood’it, filmit "Ben-Hur", i shtoi një kontekst të hollë homoerotik. U mor edhe me aktrim. Aktroi në filmat "Gattaca", "With Honors" dhe në satirën politike "Bob Roberts", ndërkohë që u shfaq edhe në filmin dokumentar për homoseksualët e Hollywood’it, "The Celluloid Closet".

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve