Kush don ta zhdukë Luigj Gurakuqin nga historia e Shqipërisë?
Willy Kamsi *
Në këtë vit Jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së
Pavarësisë konstatojmë me keqardhje se nga institucionet shtetërore dhe madje
edhe nga personalitete të politikës shqiptare, nuk përmendet fare Luigj
Gurakuqi, për rolin që ka luajtur në atë ngjarje madhore të kombit shqiptar.
Përmenden gjithfarë emrash të tjerë, por jo ai i “krahut të djathtë” të Ismail
Qemalit.
Duhet të mos harrohet, sidomos sot në këtë 100-vjetor, roli
kryekreje që luajti Luigj Gurakuqi në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28
nëntor 1912.
Veprimtaria e tij politike e atdhetare nis që kur, ende
student, është ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të revistës “Albania” të
Faik Konicës. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për Gjuhën shqipe (1908).
Është drejtori i parë më 1909 i Shkollës Normale të Elbasanit. Më 1911 merr
pjesë me Ismail Qemalin në
Kryengritjen e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e
Dedë Gjo’ Lulit, dhe harton Librin e Kuq të Gërçes me kërkesat e malësorëve
ndaj Perandorisë Osmane. Dhe ishte vetëm 32 vjeç. Ndoqën përpjekjet e fundit
për të arritur te Pavarësia, dhe këto u konkretizuan duke u takuar me Koloninë
shqiptare të Bukureshtit, për të vijuar me shkëmbime të nivelit më të lartë me
Ballplatzin në Vjenë. Mbas këtyre përpjekjeve arriti momenti kaq i pritur prej
të gjithë atdhetarëve shqiptarë, i ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku në rolin
kryesor gjejmë përsëri Luigj Gurakuqin, i cili harton e shkruen me dorën e vet
tekstin që lexohet në dokumentin e Shpalljes. Të mos harrojmë edhe më vonë
luftëtarin, me të tjerë atdhetarë, për mbrojtjen, në kohën e princ Wied-it, të Shtetit Shqiptar (1914),
kur mbet i plagosur, apo kontributin duke qenë Drejtor i Drejtorisë së Arsimit
(1916-1918) në vitet e Luftës së Parë Botërore, duke hapur me qindra shkolla,
ku mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, duke themeluar gjithashtu Komisinë
Letrare të Shkodrës. Ai u përpoq të bashkonte Veri e Jug, të krishterë e
myslimanë, gjuhë gege e toske. Dhe kështu u bë faktori kryesor në afrimin e
shqiptarëve për një qëllim të vetëm: Bashkimin Kombëtar me synim Pavarësinë
Kombëtare.
Si të harrohet koha që qe ministër i Financave në qeverinë e
Nolit dhe, si i tillë, kur e vranë, nuk i gjetën në xhep veçse 400 lireta. O
tempora! O mores!
Përpjekjet kundër nji figure të tillë u realizuan edhe me
shembjen e shtëpisë së tij. Në qoftë se qe vrarë një herë më 2 mars 1925, ai qe
vrarë për të dytën herë nga gjyqi i Tranit në Itali, duke e liruar nga burgu
vrasësin, të tretën herë me shembjen e shtëpisë, dhe sot duke e varrosur në
harresën e amshuar. Sot në programin shtetëror parashihet ndërtimi në Tiranë i
Monumentit të Pavarësisë, si dhe monumentet e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës,
Ahmet Zogut, por fatkeqësisht jo ai i Luigj Gurakuqit, si bëri edhe Enver Hoxha
me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, në të cilin nuk gjendet atdhetari ynë i
shquar. Sa për Shtëpinë Muze në Shkodër, me gjithë përpjekjet e vijueshme që
nga viti 1995, kur kishte nevojë vetëm për mirëmbajtje, u arrit te shembja e
plotë në ditët e sotme, pa ndërhyrë askush për të ndaluar një krim të tillë
bërë trashëgimisë sonë historike. Dhe ishin vënë në dijeni ndërkaq jo më pak se
katër ministra kulture, të djathtë e të majtë, dhe instancat më të larta të
Shtetit Shqiptar. E sot po shohim një përpjekje të mëtejshme për ta errësuar
këtë figurë e për ta zhdukur nga Shpallja e Pavarësisë e prandaj nga historia e
Shqipërisë. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse më në fund ka kaq atdhetarë për të
mos lejuar që të arrihet të kryhet kjo vepër antikombëtare. Prandaj, edhe një
herë, u lutemi autoriteteve më të larta të Vendit tonë për një ndërhyrje
energjike duke e vlerësuar Luigj Gurakuqin për çka i përket: duke e përkujtuar
një-për-një me Ismail Qemalin, duke i ngritur monument në qendër të Tiranës, duke
rindërtuar Shtëpinë-Muze, mbasi në Institutin e Monumenteve gjenden rilevimet e
ndërtesës së vjetër me të gjitha hollësitë.
*Ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan pas rrëzimit të
komunizmit.
Comments
Post a Comment