Ernest Hemingway, nobelisti i dy luftërave botërore
Ernest Hemingway, i cili vrau tragjikisht veten më 2 korrik
1961, kujtohet nga të gjitha qarqet artistike si një ndër shkrimtarët më në zë
amerikanë të shekullit XX dhe si përfaqësuesi kryesor i Brezit të Humbur. Ai
përjetoi thellë tragjedinë e dy luftërave botërore, u gjend disa herë ballë për
ballë me vdekjen dhe shkroi një letërsi ku dhunës njerëzore i kundërvihet
dashuria, ndërsa kotësisë dhe zhgënjimit të jetës, përpjekja për të qëndruar me
çdo çmim dhe me çdo kusht. Hemingway, i lindur në Oak Park Ilinois më 21 korrik
të vitit 1899, u rrit në një mjedis mbytës provincial, nën autoritetin e një
nëne të rreptë, ndërsa vetëvrasja e të atit la gjurmë të pashlyera në zemrën e
tij. Universiteti i parë për Hemingway-n u bë Lufta e Parë Botërore. Ai shkoi vullnetar
si sanitar në Itali, ku u njoh me tmerret e luftës, por edhe me burrërinë dhe
vetëmohimin, që do të mbushin faqet e tregimeve dhe romaneve të tij të
mëvonshme. Atë që mundi të shkruante, duke bashkuar llojin e gazetarisë me atë
të letërsisë artistike, e mblodhi në vëllimin e parë "Në kohën tonë"
dhe në vëllimin e dytë "Burra pa gra". Por në mbarë botën Hemingway u
bë i njohur me romanin "Lamtumirë armë", ku trajton një histori
dashurie, që përfundon tragjikisht në një botë ku sundon ligji i luftës dhe ku
njeriu vret njeriun. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hemingway udhëtoi dhe mori
pjesë në veprime luftarake si korrespondent. Në tregimet e kësaj kohe tingëllon
e fuqishme ideja antifashiste kundër luftës. Hemingway u bë i famshëm me
botimin e romanit "Plaku dhe deti" për të cilin u nderua me çmimin
Nobel për letërsi. Si për të vazhduar traditën familjare, Ernest Hemingway,
vrau veten duke pasur frikë nga sëmundja, e cila e mundonte prej kohësh.
Comments
Post a Comment