Mijëvjeçari i ri, sfidat anarkiste – Michel Foucault


Parathënie e librit të Gilles Deleuze dhe Felix Guattari “Anti Edipi: kapitalizëm dhe skizofreni”
Gjatë viteve 1945-1960 (flas për Europën), kishte një farë mënyre korrekte të të menduarit, një farë stili të diskureve politike, një farë etike të intelektualit. Duhet ta kishe grurë me Marksin, të mos i lije ëndrrat të endacakëronin gjer përtej Frojdit dhe ta trajtoje sistemin e shenjave –shenjuesin- me respektin më të madh. Të kësisojta ishin të tri kushtet që e bënin të pranueshëm atë përkushtim të tjetërfartë, i cili është fakti i të shkruarit dhe të shprehurit të një pjese të së vërtetës mbi veten dhe epokën.
Pastaj erdhën pesë vite të shkurtër, pasionantë, pesë vite shugurimesh dhe enigmash. Në portat e botës sonë Vietnami dhe, me sa duket, edhe goditja e fillimtë e pushteteve të konstituar. Por çfarë po bënti vaki në brendësi të mureve tanë? Një amalgamë politike revolucionare dhe antishtypëse? Një luftë e zhvilluar mbi dy fronte: shfrytëzimin shoqëror dhe represionin psikik? Një ngjitje e libidos, moduluar prej konfliktit të klasave? Ka gjasa. Sidoqoftë, është interpretimi familjar dhe dualist ai që mëton të ftillojë ngjarjet e këtyre viteve. Ëndrra që, ndërmjet Luftës së Parë Botërore dhe ardhjes së fashizmit, kishte mbajtur nën sharm fraksionet më utopiste të Europës, Gjermaninë e Hitlerit dhe Francën e surrealistëve, kishte përqafuar vetë realitetin: Marksi dhe Frojdi ndriçoheshin me të njëjtën inkadeshencë.
Po a është e mirë kjo që ka ngjarë? A është e mirë një rimarrje e projektit të viteve tridhjetë, këtë herë në shkallën e praktikës historike? Apo, përkundrazi, ka patur një lëvizje drejt luftrave politike, që nuk i përshtateshin më modelit të përshkruar nga tradita marksiste? Drejt një mushtimi dhe një teknologjie të dëshirës që nuk ishte më frojdiane? Sigurisht, flamujt e vjetër janë valëvitur, por beteja është shvendosur dhe ka zaptuar zona të reja.
Që sefte Anti-Edipi rrëfen hapësirën e tokës së mbuluar. Por bën më shumë. Nuk hapërndahet në denigrimin e idoleve të vjetër, por zbavitet goxha me Frojdin. Dhe veçanërisht na cyt të shkojmë më larg.
Do të ishte gabim ta lexoje Anti-Edipin si një referencë të re teorike (ju e njihni teorinë e famshme që na i kanë thënë shpesh: atë që do të globalizojë gjithçka, atë që është totalitarizuese dhe qetësuese, atë, për të cilën na sigurojnë se “kemi shumë nevojë” në këtë epokë hallakatjeje dhe specializimi, ku “shpresa “ është firasur). Ai nuk sheston kërkimin e një “filozofie” në këtë mbushulli të jashtëzakonshme nocionesh të reja dhe konceptesh të pataksshme: Anti-Edipe nuk është një xhingël hegeliane.
Mënyra më e mirë për të lexuar Anti-Edipin, them se është t’ i qasesh si një art, p.sh në kuptimin, ose në të folurën e artit erotik. Mbështetur mbi nocionet me dukje abstrakte të shumësisë, të fluksit, të dispozitivave, të degëzimeve, analizës së raportit të dëshirës me realitetin dhe të “makinës” kapitaliste, sillen përgjigje për pyetje konkrete. Pyetje që kanë më pak hararet për përse-në e gjërave, sesa për si-në e tyre. Si ngafulet dëshira në mendim, në diskur, në veprim? Si diskuret mundin dhe duhet t’ i shpalosin forcat në sferën e politikës, dhe të intesifikohen në proçesin e rendit të vendosur? Ars erotica, ars theoretica, ars politica.
Që prej këtu edhe tri kundërshtarë me të cilët Anti-Edipi gjendet në shemri. Tri kundërshtarë që nuk kanë të njëjtën forcë, që përfaqësojnë shkallë të ndryshme kërcënimi dhe që ky libër i lufton me mjete të ndryshme.
1) Asketët politikë, militantët e vrugët, terroristët e teorisë, ata që orvaten të mbrojnë rregullin e qashtër të politikës dhe të diskureve politike. Burokratët e revolucionit dhe funksionarët e të Vërtetës.
2) Vajmedetësit teknicienë të dëshirës, psikoanalistët dhe semiologët që regjistrojnë çdo shënjë dhe çdo simptomë. Dhe që gjakojnë ta rrudhin organizimin e morishëm të dëshirës në ligjin dyjar të strukturës dhe të mungesës.
3) Së mbrami, armiku madhor, kundërshtari strategjik: fashizmi (ndërkohë që kundërshtia e Anti-Edipit ndaj armiqve të tjerë qëndron më së shumti si një angazhim taktik). Dhe jo vetëm fashizmi historik i Hitlerit dhe i Musolinit që ka ditur bajagi mirë t’ i mobilizojë dhe t’ i përdorë dëshirat e masave, por edhe fashizmi që është tek ne të gjithë, që s’ i shqitet mëndjeve dhe sjelljeve të përditëshme. Fashizmi që na bën ta duam pushtetin, që na bën ta gjakojmë vetë atë gjë që na dominon dhe na shfrytëzon.
Dua të them që Anti-Edipi (le të më falin autorët e tij) është një libër i etikës, libri i parë i etikës që është shkruar në Francë qysh kahershëm (ka gjasa që kjo të jetë dhe arsyeja e suksesit të tij, i cili nuk është kufizuar vetëm në një “lectorat” të allasojtë: të qënurit antiEdip është bërë sot një stil jete, një modë të menduari dhe të jetuari. Si i bëhet për të mos u bërë fashist kur (veçanërisht kur) beson se je një militant revolucionar? Si t’ i qiqërosh diskuret, veprimet, zemrat dhe kënaqësitë tona prej fashizmit? Si të çstrofullosh fashizmin që është kallur në sjelljen tonë? Moralistët kristianë kërkonin gjurmët e mishit që ishte strehuar në gufuliqet e shpirtit. Deleuze dhe Guattari, nga ana e tyre, hulumtojnë gjurmët më imtësore të fashizmit në trup.
Duke i bërë një homazh modest Saint-François-de-Sales, mund të thuhet që Anti-Edipi është hyrje në jetën jofashiste.

Ky art i të jetuarit i kundërshton të gjitha format e fashizmit, që janë vendosur, apo mund të vendosen së afërmi, shoqëruar me një sasi parimesh themelore, që unë, nëse do të më duhej të bëja prej këtij libri të madh një manual, ose një guidë të jetës së përditshme, do t’ i përmblidhja si më poshtë:
-Çlirojeni veprimin politik nga çdo formë e paranojës unitare dhe totalitarizuese;
-Bëni të rritet veprimi, mendimi dhe dëshira për mbushulli, përputhje dhe ndarje, më mirë, sesa përmes nëndarjes dhe hierarkëzimit piramidal;
-Kapërceni kategoritë e vjetra të Negativitetit (ligjin, limitin, tredhjen, mungesën, mangësinë), të cilat mendimi perëndimor, qysh kahershëm, i ka shuguruar si forma të pushtetit dhe mënyra të hyrjes në realitet. Preferoni atë që është pozitive dhe e shumëfishtë, të laryshitshmen për uniformen, fluksin tek njësitë, jeratisjet levarashe tek sistemet. Vlerësoni se ajo që është produktive nuk është sedentare, por nomade;
-Mos e përdorni mendimin për t’ i dhënë një praktike politike një vlerë të vërtetë; as aksionin politik për të diskretiuar një mendim, sikur të mos ishte veçse një spekullim i qashtër. Përdoreni praktikën politike si një intesifikuese të mendimit dhe analizën si një shumëzuese të formave dhe fushave të ndërhyrjes së aksionit politik;
-Mos i kërkoni politikës të vendosë të drejtat e individit, ashtu siç i ka përcaktuar filozofia. Individi është produkt i pushtetit. Ajo çka duhet është “çindividualizimi” përmes mbushullisë dhe shvendosjes së ujdisjeve të ndryshme. Grupi nuk duhet të jetë lidhja organike që bashkon individët e hierarkizuar, por një gjenerator konstant i “çindividualizimit”.
-Mos bini në dashuri me pushtetin!
Zaten mund të thuhet se Deluze dhe Guattari e donin aq pak pushtetin, sa patën kërkuar të neutralizonin efektet e pushteteve lidhur me diskuret e tyre. Prej nga ku edhe lojrat, kurthet që gjenden paksa kudo në libër, të cilat e bëjnë përkthimin një ububushmëri të vërtetë. Por këto s’ janë kurthet familjare të retorikës, të atyre që mëtojnë ta mashtrojnë lexuesin pa qenë ai i ndërgjegjshëm për manipulimin, dhe kundër vullnetit të tij, ia dalin mbroth për shkak të autorëve.
Kurthet e Anti-Edipit janë kurthe të humorit: të kaq ftesave për t’ u lëshutur jashtë, për t’ u ndarë me tekstin duke përplasur portën. Ndërkaq, libri të bën të silloisesh se humori dhe loja nuk mund të jetë aty ku diçka e rëndësishme po ngjet, aty ku diçka ka një seriozitet të madh: ndjekja e të gjitha formave të fashizmit, qysh prej atyre, kolosaleve, të cilat na rrethojnë dhe na shtypin, gjer tek format imtësore që e bëjnë të shtarrët tiraninë e jetëve tona të përditëshme.
E përktheu: Balil Gjini

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk