Nga fletorja e leximeve, Novalis
Fragmente
Çdo lloj hiri është polen, petëlat janë qielli.
Poezia është menjëmend reale absolute. Ja bërthama e
filozofisë sime. Sa më poetike, aq më e vërtetë.
Përralla është e ngjashme me kanonin e poezisë. Çdo gjë
poetike duhet të jetë përrallore. Poeti i përkulet rastit.
Kur vdes shpirti, ai bëhet njeri. Kur vdes njeriu, ai
shndërrohet në frymë. Vdekja e lirë e Frymës është vdekja e lirë e njeriut.
Çfarë i korrespondon lartësisë së ekzistencës njerëzore? Ekzistenca e demonëve
apo gjenive, me të cilët trupi është ajo po ajo gjë çka rezulton për ne
shpirti.
Lulja është simbol i misterit të frymës sonë.
Çfarë është më e madhe se jeta? – Është shërbimi ndaj jetës,
si shërbimi ndaj dritës.
Çfarëdo magjepseje – është eksitim artificial i çmendurisë.
Çfarëdo pasioni – është magjepsjeje.
Një vashë e bukur nga të gjitha pikëpamjet është një shumë
më magjistare nga ç’e pandehim.
Ne jemi njëkohësisht brenda dhe jashtë natyrës.
E habitshme që sinteza absolute dhe e mrekullueshme është
shpesh herë boshti i një përralle – ose qëllimi i saj.
Më e mrekullueshmja për mua është të shkoj me atë që më
beson dhe më kupton.
Çdo fjalë është fjalë betimi. Cilin shpirt të thërrasë – e
tillë është.
Qielli është shpirti i sistemit yjor, ndërsa sistemi – trupi
i tij.
Çdo gjë e dukshme priret për kah e padukshmja, e dëgjueshmja
– kah e padëgjueshmja, e prekshmja – kah e paprekshmja. Ndofta dhe e
mendueshmja – për kah e pamendueshmja.
Njeriu i parë – është njeri profetizues. Atij gjithçka i
shfaqet në trajtë fryme.
Ç’janë tjetër fëmijët përpos se njerëz të parë? Vështrimi
llamburitës i fëmijës është më i begatë se ndjenja e profecisë së orakullit më
të guximshëm.
Në ëndërrojmë për shtegëtimet tona nëpër gjithësi; po a nuk
është brenda nesh gjithësia? Thellësinë e shpirtit tonë ne as që e marrim me
mend. Përbrenda nesh kalon rruga misterioze. Në ne ose askund është amshimi me
botërat e tij, Të kaluarën dhe të Ardhmen.
Bota e jashtme – është bota e hijeve, ajo hedh hijen e saj
në mbretërinë e dritës. Tash në na bëhet sikur përbrenda ka kaq terrinë, vetmi,
përçudnim.
Por sa krejtësisht ndryshe do të na duket, nëse do të kalojë
ky eklips dhe ky kurm i fantazmët do të flaket tej. Në do të mbërrijmë
kënaqësinë që s’ka të përshkruar: se Fryma jonë nuk ka asfarë nevojash.
Çdo gjë e mbaruar shpreh jo vetëm vetveten, por edhe gjithë
botërat e ngjashme. Prandaj, përreth gjitha gjërave të përfunduara ndehet
velloja e Virgjneshës së amëshueshme, e cila prej përçikjes më të lehtë
shndërrohet në avull magjik, që bëhet koçi e mjegullt profeti.
Nuk është veç statujë e lashtë, të cilën e shohim. Kjo vello
është njëkohësisht dhe qiell, dhe tejqyrë, dhë yll i palëvizshëm dhe
përgjithkah – Zbulesë e përnjëmendtë.
Forma është antiteza. Përmbajtja – teza. Përmbajtja është
diçka origjinale, e qëndrueshme; forma – relative, e ndryshueshme, baza e
mohimit është është po njësoj si përmbajtja – baza e realitetit.
Çka mundemi të shestojmë veçmas, është përmbajtje. Çfarë
duhet të shestojmë në lidhje me diçka, është forma.
Vija e shtrembër është triumfi i natyrës mbi rregullin.
Jeta është liria e natyrës – liria ndjenjësore.
Çdo zanafillë jete duhet të jetë antimekanike, vrujim i
fuqishëm, kundërvënie ndaj mekanizmit; materie absolute – stijia parësore e
frymës = shpirt. Gjithë jeta është një rrjedhë e pandërprerë. Jeta rrjedh prej
jetës dhe mandej kështu… Përmbi shpjegimin e jetës.
Poezia përthith qenësinë e huaj në tënden.
Në poemat e vërteta s’ka unitet tjetër, pos unitetit të
shpirtit.
A nuk është vallë përqafimi diç e ngjashme me mbrëmjen?
Tëk të lashtët religjioni ka qenë në një shkallë të njohur
po njajo gjë që për në duhet të bëhet poezi praktike.
Fryma shfaqet gjithëherë sall në trajtën e huaj të imazhit
ajror.
Ne kërkojmë gjithkah të Padyshimtën, ndërsa prore gjejmë
veçse gjësende.
I zoti e di se çfarë simboli i përnaltësuar është gjaku?
Mefshtësia e pjesëve përbërëse organike na shtrëngon pikërisht të sosim mbi,
kinse, shumë të përnaltësuarën ndër to.
Ne, mu si para fantazmave, ngjethemi para tyre dhe me një
lebeti fëmijnore ndjejmë në këtë amalgamë të çuditshme botën misterioze, ndërsa
lipsej të kishtë qenë për ne thjesht, një i njohur i vjetër.
Njeriu: është Metafora.
Instinkti është një art pa qëllim.
Ekstaza është një fenomen i brendshëm dritësor i soditjes
intelektuale.
Si po më duket mua, gjithkund në fondament qëndron mistika
gramatike, e cila shumë lehtë mund të cysë habinë e parë në lidhje me gjuhën
dhe shkrimin (letrën). (Popujt e egër deri më tash i quajnë shkrimet/letrat –
magji).
Gjuha – është Delf.
Poeti dhe falltari (prifti i tempullit) kanë qenë dikur një,
dhe vetëm kohërat e vona i kanë ndarë e veçuar. Por poeti i vërtetë gjithëherë
ka mbetur falltar, sikundër se dhe falltari i vërtetë – poet.
A nuk duhet vallë që Ardhmëria sërish ta kthejë gjendjen e
lashtë të gjërave?
Comments
Post a Comment