Shqipëritë e Kim Mehmetit
I njohur si një njeri që nuk ka qime në gjuhë, Kim Mehmeti
ka nisur të quajë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë në një emër “Shqipëritë
tona”, pasi që, sipas tij, problemet mbarëshqiptare janë probleme të cilisdo
nga këto tri Shqipëritë.
Ai për popullin shqiptar mendon se është një popull që kurrë
nuk është ledhatuar nga të tjerët, dhe pikërisht për këtë fakt, shqiptarët kanë
harruar ta ledhatojnë edhe vetveten. Dhe tashmë, duke u bazuar në këtë, Kimi ka
shpjeguar edhe se si shqiptarët filluan t’i gjasojnë një populli që nuk e çmon
të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e vdekur
Zëri: Shqipëritë
tona. Ky është një emërtim i juaji për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Na
bën të ndihemi më shqiptarë nëse rrumbullakohemi nën këtë emërtim?
Kim Mehmeti: Kjo duhet të na bëjë më të vetëdijshëm.
Përkatësia etnike nuk është ndjesi, por mendësi e vetëtëdije për atë që je dhe
asaj që i takon. E ne duhet të jetojmë me vetëdijen se edhe kur jetojmë në më
shumë “shtëpi”, duhet të kemi synime të përbashkëta, duhet të keqen ta luftojmë
së bashku dhe të mirën ta kremtojmë bashkërisht.
Pra, duhet të fillojmë të mendojmë “shqip”, që më lehtë të
kuptojmë se problemet e cilësdo “Shqipërie” tonën, janë probleme
mbarëshqiptare, se nga të arrirat e cilësdo “Shqipërie” tonë, përfiton
shqiptaria. Ky është parakusht që t’i bashkojmë kokat, e që pastaj ta kemi më
të qartë se si do ia bëjmë me tokat shqiptare. Ne nëse nuk fillojmë të mendojmë
“shqip”, nuk do ia dalim të merremi vesh edhe kur e flasim të njëjtën gjuhë.
Zëri: Po këto tri
Shqipëritë tona u shitën nga udhëheqësit, edhe ky një mendim i juaji. Por nëse
shesin politikanët pse duhet të jetë kjo përgjumje popullore?
Kim Mehmeti: Nuk jam kundër shitjes së asaj që duhet shitur,
por jam kundër mënyrës si shitet prona publike, e që tregon se si popull jemi
të papërgjegjshëm ndaj saj, apo se na intereson vetëm ai oborri ynë, e lagjen e
konsiderojmë si diçka që nuk na përket neve. Duhet ngadalë të mësohemi ndaj
publikes, të jemi të përgjegjshëm po aq sa edhe ndaj “tonës”, sepse edhe ajo
është e jona. Duhet të dalim nga mentaliteti se mjafton dikush të mos e prekë
dhomën ku bëjmë gjumë, e sa i përket të përbashkëtës, me të pushteti të bëjë
çka të dojë.
Nuk duhet të mbetemi peng i mentalitetit se frutat e mia
janë vetëm ato që i vjel nga kopshti para shtëpisë sime, por të ndërtojmë
vetëdije se askush s’mund të sillet ndaj parkut të qytetit thuajse ai i takon
vetëm atij që është bërë i pari i “kasabës”. Këtë vetëdije tonë më së shumti e
keqpërdorin elitat që sundojnë e të cilat nxjerrin në treg pronën publike duke
e shitur atë me shpërfilljen e njëjtë me të cilën nipi shet atë që ka
trashëguar nga gjyshërit. Prona publike duhet të privatizohet në aso mënyrë që
pronari i saj- populli – të dijë si dhe pse ajo e ndërron pronarin.
Zëri: Mos iu shkoftë
mendja ta shesin edhe gjuhën e simbolet. Një lutje e juaja. Por në Kosovë u
prekëm edhe në këtë pikë. Të dhemb ky fakt?
Kim Mehmeti: Më shumë se dhembje ndjej çudi kur shoh me
çfarë lehtësie ngandonjëherë rrënojmë atë që kanë ndërtuar paraardhësit tanë,
për të filluar çdo gjë nga e para. Kjo lehtësi na ka bërë që shumëçka ta kemi
të “përkohshme”, që një gjeneratë të rritet me flamurin kuqezi, e tjetra me atë
që ka hartën e Kosovës. Kjo na bën që edhe përmendorja pranë të cilës gjyshi i
sotëm i nxjerr nipat e mbesat, të mos jetë ajo e njëjta pranë së cilës kanë
shëtitur prindërit e tyre përderisa kanë qenë fëmijë.
Ne shpeshherë lëmë përshtypje se jemi nga ata që pa e
rrënuar atë që është ndërtuar, nuk na shkon murimi, se mund të ndërtojmë vetëm
atë që vetë kemi projektuar, por jo edhe të mbindërtojmë ngrehinat e
projektuesve të mëparshëm. Andaj, shumëçka e jona duket njështresore, si e
përkohshme, gjithmonë e re.
Gjuha është materie e gjallë, ajo gjithmonë “bymehet”, atë
çdo gjeneratë e pasuron me diçka, por askush nuk mund të marrë kazmën e çdo gjë
ta fillojë nga themelet edhe atë vetëm pse mendon se ajo që u takon të gjithëve
edhe lejon që çdokush të vendosë për të.
Zëri: Dasmat e
njerëzve të thjeshtë dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj po vazhdojnë të
përcillen nën flamurin kombëtar. Kështu iku edhe Ali Podrimja. Një injorancë
ndaj simboleve të shtetit të ri apo një dashuri më e thellë për simbolet
kombëtare?
Kim Mehmeti: Të gjitha vuajtjet e veta Kosova, si dhe mbarë
shqiptaria, i lotoi me flamurin kombëtar. Edhe datat festive kjo shqiptari i
kremtoi me atë flamur. Flamujt nuk janë vetëm një copë pëlhure, por ato janë
rrëfim i ngritje-rënieve të një populli. Andaj, ky flamuri i ri i Kosovës,
asnjëherë nuk do mund të qëndrojë dhe nuk duhet të qëndrojë më lart se ai
kombëtar.
Flamurin kombëtar e qëndisën shekujt, e këtë shtetërorin të
Kosovës e vizatuan aq shpejt si të ishte emblemë e ndonjë klubi sportiv. Këtë populli
e ndjen, andaj feston e loton me flamurin në të cilin janë shtresuar të gjitha
lotëderdhjet gjatë shekujve dhe të gjitha kremtet e popullit shqiptar.
Zëri: Shqipëritë,
Shqipëria, shqiptarët…, sikur rritemi kur përmendim këto emërtime. Por në anën tjetër
kur zhgënjehemi nga një mik, pothuaj të gjithë thonë “mos paq punë me
shqiptarë” . Si mund të jemi kaq të mirë e kaq të këqij në të njëjtën kohë?
Kim Mehmeti: Jemi si gjithë të tjerët, popull që ka individ
nga të gjitha sojet që e përbëjnë gjininë njerëzore. Pastaj ne jemi popull të
cilin kurrë nuk e kanë ledhatuar të tjerët, e kështu mbase edhe kemi harruar ta
ledhatojmë vetveten. Kështu që ne në njëfarë mënyre filluam nga pak të ngjajmë
në popull që nuk e çmon të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e
vdekur.
U bëmë vajtues të mirë të atyre që na braktisin
përgjithmonë, e të pakujdesshëm ndaj vlerave që i kemi përkohësisht. E tëra kjo
ndërlidhet me mosbesimin ndaj vetvetes, nga prirja që me çdo kusht dhe pa asnjë
kriter, të bëhemi si të tjerët, të tjetërsojmë në vetvete edhe në atë pa të
cilën kurrë më nuk do mund të jemi atë që kemi qenë.
Zëri: Nuk ka pothuaj
asnjë gazetar shqiptar që kur ka intervistuar ndonjë të huaj e që nuk i ka bërë
pyetjen “Çfarë mendoni për shqiptarët”, pse na duhen lajkat e të tjerëve?
Kim Mehmeti: Mbase për shkak se ende nuk e kemi ndërtuar
mendimin për vetveten. Apo ndoshta shkaku se nuk kemi gjetur pasqyrën tonë ku
do shohim se si dukemi, e tani na intereson se ç’pamje kemi në pasqyrat e
huaja. Ne nuk duhet gjithaq të lodhemi me atë çka mendojnë të tjerët për ne,
por çka mendojmë ne për vetveten. E pastaj, duke kompletuar portretin tonë të
atillë siç është, të ndërtojmë edhe standarde vlerësuese si për të peshuar
vetveten ashtu edhe të tjerët.
Ne ngandonjëherë vuajmë të bëhemi të shkathët si hebrenjtë e
punëtorë të disiplinuar si gjermanët, por duke harruar se para së gjithash
duhet të jemi të moralshëm, fisnikë, besnikë, të ndeshëm dhe të përkushtuar siç
kanë qenë gjithmonë shqiptarët. Edhe që të jesh sa më i përafërt me të tjerët,
duhet së pari të jesh vetvetja.
Zëri: A është kjo një
shenjë se nëse lartësohemi nga të tjerët ( duke i shtyrë të na lartësojnë) kemi
grada më shumë?
Kim Mehmeti: Nuk është e panatyrshme që individi, apo një
grup të ndjejë nevojë të jetë i pëlqyer dhe i vlerësuar nga të tjerët. Por edhe
ky pëlqim dhe vlerësim që dëshiron të të vijë nga të huajt, është proporcional
me atë sa t’i je i kënaqur me atë që ke dhe atë që je. Shpeshherë ne dukemi si
ai që nuk e pëlqen vetveten. Që është i pakënaqur me vetveten, e që pret ta
pëlqejnë të tjerët dhe të huajt të jenë të kënaqur me të.
Comments
Post a Comment