Helidon Haliti: Arti është i lirë të paraqesë çdo gjë si duhet

Piktori ka shprehur shumë nga ato që përjetohen sot në Shqipëri: paragjykimet, survejimin, frikën, sarkazmën, ironinë, tregun artistik të mbyllur, por edhe motive që i kanë rrënjët në fëmijërinë e hershme. Në ekspozitë gjen një tablo të madhe 8 x 2 metra, por edhe një pikturë kushtuar tronditjes së 21 janarit .
“Kur u ktheva nga Greqia, erdha me një depozitë të madhe parash që tashmë është bërë një kokërr rëre. Kjo është kontrata me artin”. Kështu thotë piktori Helidon Haliti në përfundim të ekspozitës së tij “Personale”, çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve prej datës 16 gusht. Duhej të ishte mbyllur dje, por do të qëndrojë e hapur edhe një javë. E komentuar për disa elemente: tematika ironike, trajtimi gati përrallor i personazheve, ngjyrat e forta dhe përmasat (tabloja më e madhe ishte 8 x 2 metra), Haliti thekson se ndihet i fituar pavarësisht se ka shpenzuar shumë për ta realizuar. Ka një sërë titujsh e disa cikle, mes të cilave “Delja e zezë” kushtuar paragjykimeve. Shtëpia është elementi më i dukshëm, një nxitje që ka rrjedhur nga poezia e të atit, Faslli Haliti, “Diell dhe rrëke”, e kritikuar në kohën e diktaturës. E ndonëse i kënaqur nga sfida që i bëri muajit gusht, gjithnjë e heshtur në institucionet e artit, Haliti nuk është i kënaqur me situatën artistike shqiptare. Sipas tij, artistët janë vazhdimisht të paragjykuar, të survejuar brenda një tregu të mbyllur dhe herë të frikësuar. I kthyer nga Greqia prej më shumë se shtatë vitesh, në intervistën e mëposhtme Haliti tregon të gjitha këto ndjesi.
Do ta ripërsërisnit një ekspozitë në muajin gusht?
Nuk do ta përsërisja, sepse nuk ka më vlerë. Unë e shijova pjesën e thyerjes së rekordit aty ku nuk ka njerëz e ku nuk bëhen ekspozita e nuk ka vizitorë. Kjo nuk përbën një sfidë dhe nuk dua të përjetoj më këtë lodhje fizike. Në një kërkesë të dytë që mund t’i bëj bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve, do të synoj kalendarin artistik, mundësisht atë të 6-mujorit të parë.
Tematika që sollët dhe trajtimi i personazheve dukej se mbartnin diçka sa përrallore aq edhe fëminore. Ishte zgjedhja më e mirë për t’u shprehur?
Në një treg të vogël, siç është Shqipëria, rrezikon të biesh në grackën që të vish gjithnjë novator. Unë u përpoqa t’i shmangesha kësaj dhe rimora motivin “brenda shtëpisë” që e kisha cekur në ekspozitën e fundit në “Mezuraj”. Janë ngjarje që i kam marrë nga poezia e babait tim “Dielli dhe rrëketë”, nga vizatimi im i parë, nga kujtimet kur shkoja në fshat pas dënimit të babait tim e ku insektet i lyeja me bojë e i lëshoja në qiell. Lart më dukeshin si gjigantë e kur i zbrisja në tokë, shumë të vegjël. Arti duhet të ketë ngjarje, sidomos personale. Të gjitha këto ndjesi, të gërshetuara me një kritikë që e kam lexuar kur isha në Liceun Artistik, ku thuhej se arti nuk mund ta paraqesë një mi si një elefant dhe anasjelltas, më nxitën të pikturoj një pjesë të këtyre tablove e të them që arti është i lirë të paraqesë çdo gjë si duhet. Në këtë moment jam më fëmijë se kurrë shpirtërisht, në një pafajësi dhe naivitet, të cilat bëjnë që në këtë moment të besoj çdo gjë, pavarësisht se mënyra se si trajtohen gjërat në Shqipëri është tejet paragjykuese, tejet djallëzore. Kjo më bëri të ndërtoja miniciklin “Delja e zezë” ose paragjykimi. Ajo që më habit në marrëdhëniet njerëzore është që çdo gjë paragjykohet. Ndoshta kjo vjen si pasojë e një tregu të vogël që e gjen paragjykimin si një mënyrë mbrojtjeje. Asgjë nuk është e “betonuar” në Shqipëri. Sot mund të jesh në majë dhe nesër mund të jesh në fundin e saj. Në kundërshtim me tregun perëndimor ku ti mund të bësh një sukses dhe mbas tij të hash gjithë jetën, në Shqipëri duhet të bësh sukses përditë, duhet të sjellësh gjëra të reja përditë dhe kjo na çon jo rrallë herë në grackën e plagjiaturës dhe të një frike nga tjetri e nga vetja. I kam shprehur të gjitha këto pasiguri në këtë ekspozitë, duke nxjerrë kështu si artist frikën e tregut, paragjykimit, frikën e një ambienti të vogël ku ti je i survejuar detyrimisht nga çdo gjë.
Sa e keni ndier personalisht këtë atmosferë paragjykimesh për të cilën flisni?
Shembulli është i thjeshtë. Kur bën një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve e kur periudha e qeverisjes është e djathtë, ti do të paragjykohesh nga të majtët, sepse suksesin tënd artistik e politizojnë. E njëjta gjë ndodh që nëse ekspozitën e vizitojnë të majtët, në sytë e të tjerëve ti je i tyre. Është një absurditet që e kam të vështirë ta kuptoj. Unë jam student i ‘91-shit, që kam përkrahur demokracinë, por e them me seriozitet që nuk është kjo demokracia që do të doja të përkrahja. Unë u rrita më tej në një vend që është djepi i demokracisë si Greqia dhe as atje unë nuk gjeta demokracinë e vërtetë. Ndjeva gjithnjë paragjykimin se isha një shqiptar dhe ndonëse në jetën e vërtetë nuk kishin takuar një shqiptar të keq, i shihnin të tillë përmes televizorit.
Cila është demokracia të cilën përkrahët në vitin ’91?
Nuk është kjo demokracia që kam dashur në pikëpamjen e ngushtësimit të të menduarit. Në momentin që ekziston pyetja: Çfarë është ai? Nga është? Ku ka punuar jashtë? Pse është kaq i veshur? Nga i gjen lekët?, në këtë moment je i survejuar. Nuk ishte kjo që unë kisha kërkuar. Unë kërkoja një komunikim me të gjithë, një barazi ku kishe të drejtë të konkurroje e të fitoje për hir të aftësisë dhe jo të një koniunkture. Dinastitë padyshim që janë të pashmangshme në kapitalizëm, por te ne po ndodh që zanatçiu ia lë fëmijës zanatin e vet. Kjo nuk më pëlqen. Më pëlqen liria absolute ku secili duhet ta zgjedhë vetë rrugën e tij. Në vendet ku ne kemi emigruar, ai që kishte mbaruar për biologji punonte si hidraulik dhe këtë duhet ta bënte për të mbijetuar. Në vendin tim unë dua të punoj për atë që kam studiuar. Këtu nuk ka treg për këtë gjë dhe kjo në vetvete të bën shumë të survejuar, të pakënaqur. Ekspozita ka disa komplekse e mllefe që unë i mendoj, ka frikën, por edhe thirrjen, ka pakënaqësinë, sarkazmën, ironinë, autosarkazmën.
Sa e kushtueshme është për një piktor të bëjë një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe sa e merr mbrapsht mundin?
Ekonomikisht është tejet e kushtueshme dhe mundin pothuajse nuk e merr asnjëherë mbrapsht. Në këtë vend ku investohet për gjërat më imediate, për ushqimin, për shtëpitë, për betonimin, shkatërrimin, për art nuk është investuar akoma. Ka 20 vjet që për art nuk investohet fare. Përkrahja e vetme janë disa koleksionistë nostalgjikë dhe mediat. Për sa u përket kritikëve, të cilët kanë një formim të fushës më shumë se gazetarët, pyesin gjithnjë se pse shkruajnë ata e jo ne. Përgjigjen duhet ta japin ata. Në momentin kur nuk ka një shkollë arti private do të thotë që nuk ka treg, dhe dikush e ka diktuar këtë. Kjo nuk do zgjasë shumë, do të fillojë të hapet ngadalë dhe për momentin “i fituar” është ai që nuk shet e jo ai që shet. Sot po shiten veprat me çmime shumë më të ulëta se vlera reale, ndërkohë që kapitalizmi nënkupton që ti investon një lek dhe duhet të marrësh tre mbrapsht. Ndaj nuk kemi një artist të pasur (flas për artet pamore), një artist të veshur mirë, një artist me vila në bregdet, nuk kemi një artist me makina të mira, përveç atyre që kanë jetuar në emigrim e kanë punuar për tregun. Unë prej shtatë vitesh i jam futur artit për art. Kam ardhur si një shkëmb i madh ekonomik nga Greqia, kisha një depozitë të madhe që tani ka përfunduar një kokërr rëre. Kjo është sakrifica ndaj artit që askush nuk e dëgjon.
I penduar që zgjodhët të ktheheshit nga Greqia?
Kur babai im ka qenë në Athinë në vitin 1994 dhe kur unë punoja artizanat për të jetuar, ai më lutej që të paktën të bëja ndonjë pikturë. Kur në vitet 2000 fillova të bëj ekspozitat e mëdha më tha: kujtova se të kisha humbur. Ekspozita të tilla me sakrifica kaq të mëdha mund t’i bëja vetëm në vendin tim. Ti mund të ndodhesh në një vend ku nuk paguhesh, por ke kohë të mendosh për art dhe në momentin kur ke krijuar bagazhin tënd artistik, kjo do të thotë se ka arritje shumë të mëdha. Kandari do të anojë ose nga leku, ose nga arti. Padyshim që arti ka fituar tek unë, pavarësisht se kam peshën edhe të kryefamiljarit. Unë nuk kam ardhur në këtë vend të më hapin dyert, por kam ardhur të imponohem. Mendoj se ia kam arritur. Asnjëherë nuk e ndjeva që do të isha shumë i paguar, i punësuar menjëherë. Për momentin vuaj shpirtërisht, por vuajtjet krijojnë ngjarje dhe ngjarjet krijojnë pikturë. Kontrata që kam bërë këto vite është me artin dhe jo me paranë. Oliverta Lila










Helidon Haliti, kumti i një penelate shpërthyese
Nga: Albert VATAJ
Si në një kryqkalim. Shtang duke ndjerë brenda vetes ankthin e pamundësisë për të gjetur kahun e duhur për të rendur. Përthyen vështrimin e hutuar mbi syprinë, duke parë qiellin, e ndërsa syt e vakët pulit, hedh hapin dhe nisesh. Nisesh për të mbërritur me domosdo. Kjo është ndjesi që të mbërthen kur gjendesh para tablove të piktorit Helidon Haliti. Shkas për penelin e tij drejt një kumti sa të magjishëm aq dhe dhe profesionist janë; që nga mitet, legjendat, tragjizmat, ironitë e fateve, ikonat e vetëdijes tonë kombëtare, deri tek grimca e një realiteti të sëmbuar brenda shpirtit e çasteve të përflakura intime. Për të mos u ndalur as në përjetimet e fëmijërisë e mëkatin biblik, as në perceptimin e prarimit të dritës në portretin e Evave të të gjitha rracave.
Penelata e Helidon Halitit rrëshqet mbi telajo me delikatesë dhe butësi si një fllad i lehtë vere mbi arën me grur, për t’u hedhur pupthi në një emocion të fortë e shpirt të trazuar me të kuqe gjaku e terratisje larushi ngjyrash të egra. Koloriti ndërfuten tek njëra-tjetra për të dëshmuar mishërim për nga kumti i të tëres. Profesionalizmi dhe guximi, përkarshi një gjendje mbingopjeje dhe velje që ka ngërthyer të tashmen e shpirtrave tanë, merr trajta dhe i jep formë dhe frymë gjendjeve, i vë ato në lëvizje, dedikuese dhe spontane. Këtë ai e përçon ngado ku ndjellja e tij krijuese e miklon dhe shpirti i zgjon një kushtrim. Po, edhe kur këmisha e gjakmarrjes nderet e varur deri në një kafshimin tjetër gjaksor. Edhe kur vajtojcat në tablonë “Otranto”, të vendosura si shkëmbinj të zinjë në prehrin katakomb të detit, mbushin rrethrrotullinë me kujë. Edhe kur kalëron mbi një gjel, jo veçmas kreshtat e miteve dhe legjendave, por dhe të personaliteteve tona kombëtare. Larmia e tematikës që shkrihet në kuadratin e tablosë së Halitit është e admirueshme. Ngjyra, forma dhe përmbajtja, drita, nervi dhe pasionio, gjithashtu tejshkojnë në caqet e asaj që do ta quaja besim. Besim në gjithçka që shpirti shpreh praninë e tij dhe talenti klasin për ta kumtuar, për t’ua rrëfyer gjithsekujt..
Dimensioni artistik përcepton në vetvete, pavarësisht fragmentit të impresionit të piktorit, një univers thërrmijash drite dhe amështin e një ngërçi emocional që përcillet nëpërmjet ngjyrave të forta. Shtresimet e koloreve në tablotë e Helidon Halitit, egërsimi i tyre, me shkas dominimi i detajit, por dhe krijimi i një pikëmbështetje të fortë të motivit të fanitin një Rembrand të sotëm. Ani pse krejt ndryshe. Fabula është ndjesia e parë që orvatet të të përfshijë në larushinë e ngjyrave dhe sfondin gjithnjë intrigues dhe mjaft domethënës.
Okra e kudogjendur në tablotë e Halitit, shpesh jo dominuese, qaset të ngrohë sadopak cergën që shpesh sundon botën shpirtërore të piktorit, e pse jo dhe një lloj çoroditje dhe nënshtrimi kolektiv përkarshi terrenit tepër të thepisur ku shpesh vendoset dita dhe ndjesitë tona. Seritë e punëve, trajtohen nga piktori si kohët e një simfonie. Shtjellimi duke ruajtur formën, rrëshqet duke humbur dominimin e koloritit dhe këndin e ndriçimit, duke na futur sejcila në një realitet ndryshe, në një botë ku edhe pse e tëra ngjan, nuk mund të ndjejmë. Kjo brenda një tabloje të vetme. Por edhe kur ndahen ato përçojnë një shtresim estetik dhe artistik, një etapë, e pse jo dhe një shkulm flakadani të shpirtit që duke djegur, ndriçon. Kjo veçanti dëshmon qartazi se piktori është mbarsur me një emocion që shumon në brendinë e tij, jo dhe aq formën se sa forcën e ndjesisë. Vetëdija e emocionale duke vërshuar nga një telajo në tjetrën formëson njësi në sejcilen prej tyre, i jep jetë në kohë të ndryshmë të vetmes qasje të kumtit emocional. Në çdonjëren prej tyre ndjehesh si përballë një realiteti, prej të cilit diçka tjetër do të marrësh, diçka krejt tjetër.
Duke u ndalur te hopet, natyrshëm edhe tek trajtesa si në simbolikë ashtu edhe në teknikë; të shtang tabloja “Emigrimi”. Këmbë hollake që rrënjëzojnë në tablo. Zgjatimi i tyre është vetë rruga e mundimshme dhe ende e gjatë e këtij pakti që gjallon në dëshirën e sejcilit për një jetë më të mirë. Mbi kupat e gjunjve piktori u vendos monedha greke, si për të dëshmuar dhe njëkohësisht për të pranuar një lloj gjunjëzimi material. Gjithsesi ai i mban në këmbë.
Mitikja gjen një shkrirje me të shumëkohëshmen, subjekti me impresionin, në një harmoni emocionuese ngjyrash si te “Gruaja shtatzënë”. Kohët e tragjizmit shtjellohen përmes një koloriti të vrashtë në një të kaluar, të tashmë, gri. Këtë magji që përcjell dhimbja, Haliti e servir me gjithë forcën dhe makthin e saj perceptues, si realitet social në ciklin “Ngujimi”. Ky tragjizëm shqiptar vjën nga piktori drithërueshëm si te “Kulla e ngujimit”, e cila në katër kohët e saj të ngjeth. Rrënjët e kullës ai i mpleks në një taban që zgjaton duke u shkrirë në tablo, ndoshta si për të shprehur atë vetëdije kolektive që në një mënyrë apo në një tjetër është dashur dhe vijon ta pranojë këtë si një realitet. E ngrysët dhe fatale si vetë gjakmarrja, edhe tabloja kumton kacafytjen e kohës me këtë ndëshkues mesjetar që gjallon ende në sedren tonë të sëmbuar dhe limfën tonë të ngjizur me intolerancën. Përkarshi këtij subjekti, në galerinë e punëve të Helidon Halitit gjysëm e shtrirë rri nudoja me sy të mbyllur. Një erozion dritimi verbues i ka ngrënë  një pjesë të profilit, duke e kafshuar nëpër pjesë të ndryshme të kurmit të saj epshndjellëse. Ngultas piktori dëshmon trazimin që e sëmbon në shpirt, edhe atëherë kur penelatat e tij deshifrojnë një motiv lirik. Motiv të cilin jemi mësuar ta përcjellim rëndom, gjithnjë të ngrohtë, e formësuar plot madhështi, gëluese e plot jetë, e gatshme për të derdhur mbi të harbimin e pasioneve. “Kostandini dhe Doruntina”, kjo legjendë tipike shqiptare, jo rastësisht bëhet subjekt në tablotë e Halitit. Simbolika e amanetit rivjen për të zbuar paqen nga shpirtrat tanë.
Nga tabloja në tablo, penelatat e Helidonit vërshojnë shkujdesur. Ngrysen dhe qartësohen, ndizen dhe shuhen dhe prap ka tone të forta drite dhe ngjyrimi, rishtaz ngrohen. Peneli i tij tejçon gjithçka që piktori është dhe kumton. Shkëmbi i tij është i mpleksur diku në skaj të një deti që hera-herës ngjan me një platformë ku dielli hëdh mbi horizon një dantellë luspash drite, që feksin mbi det si në një natë pranvere, yjet në qiell. Por edhe zemërata e këtij deti afrohet dhe këtë piktori e shpreh. Korrnizimi i impresioneve të holla dhe ngjyruar me ëmbëlsi është i athët edhe në kurmin e një nudoje, edhe në profilin e një gruaje edhe në vështrimin e një virgjëreshe. Tjetër tipar që e pret dhe e përcjell impulsin e tij shpirtëror nga tabloja në tablo është vërshimi. Në një mori punësh ai kalëron. Kalëron mbi gjithçka që ecën dhe fluturon. Pegasët e tij janë kudo, te një një dem, te një dash, të një dhi, te një gjel e gjithsekund ku nevoja e tij për të kalëruar gjen kurriz. Hipen mbi ta me të gjitha moshat, me të gjithë dimensionin historik dhe krenarinë kombëtare. S’ndal, nuk zbret. Era e vërshimit e fshikullon duke krehur tablonë, si stuhia e rrëmeti pandalimin që na vërshon ndër deje.
Kudo dhe në çdo gjë ai është përpjekur të jetë vetvetja. Ai pamëdyshje është ndër përfaqësuesit më të spikatur të pikturës moderne shqiptare. Në këtë batërdi promovimesh të emrave dhe stileve, si në fushat e tjera të artit ashtu edhe në atë të pikturës, Haliti dëshmon jo vetëm veçanti dhe identitet në përfaqësimin e pikturës, por paraprin. Të konturuarit e vetvetes në art, në një kohë kur asgjë duket se nuk i ka shpëtuar kumteve, për piktorin ka qenë një ndërmarrje e vështirë dhe një sfidë e arritur me dinjitet. Të krijosh vetveten, është një nga sfidat filozofike të njeriut. Ta arrish atë në art, siç dëshmon puna e Halitit, është kapje nëpër fijet e ta pamundures.
Pasionet dënojnë pareshtur purgatorin e artistit. U veshin atyre gjithçka në plotësinë e vet, gjithë çfarë shtërngon me spazme dhe makth të përditshmen e njerëzve dhe sakaq harrojnë, se ata me veprën e tyre janë burim i gëzmendeve tona dhe shkas i një rrezatimi të epërm, që duke feksur e vakët dhe shpërthen për të mbushur me dritë ditën tonë. Këtë mishëron zemërata dhe shkujdesja e penelatave të Helidon Halitit.  

















Ekspozita provokuese e Helidon Halitit në GKA
Helidon Haliti nuk i ka çuar kot katër vite që nga momenti që hapi ekspozitën e tij në vitin 2008. Sepse një artist është gjithmonë në lëvizje, në këkim pak a shumë si një lumë që kërkon rrugën e tij drejt detit. Pas një periudhe te gjate vetsakfrikimi, rruga e Halitit finalizohet më 16 gusht në Galerinë Kombëtare të Arteve ku 20 punime të reja do të përcjellin tek publiku një “Personale” për të cilën piktori shprehet se rri mes pasionit, filozofisë, arrogancës, mllefit, sarkazmës dhe pse jo provokimit…
Një ftesë për ekspozitë, përveç emrit dhe vendit nuk zbardh më shumë. Do të zbuloni diçka nga ekpozita juaj e re?
Të më falni për këtë “terr” ku po ju lë, por për momentin edhe unë kaq kam në dorë t’ju them për ekspon time të shumëpritur në GKA. Ekspozita ime ka tre vjet që përgatitet nga unë dhe me një përkushtim maksimal, sa shpesh them, nëse ia vlen një vetsakrifikim i tillë, në një vend që e do shumë artin, por e do si ai burri fanatik, sadist, që para se të bëjë dashuri me gruan e tij, e rreh, madje shpesh edhe pasi ka bërë dashuri, një mënyrë anakronike për të shprehur dashurinë. Ekspozita ime ka patur një filozofi që në fillim, por disa tituj deri në fund. E njëjta gjë që na ndodh edhe me lindjen e fëmijëve, të bindur që duam fëmijë dhe jemi konfuz për emrin e tyre.Titujt janë: “Gjeniu”, “Përbindëshi”, “Delja e zezë”, “Nëna”,  “Dielli dhe rrëketë”, “Lufta” dhe në fund do të titullohet “Personale”, pra HELIDON HALITI -”PERSONALE”.
Cili ishte ngacmimi juaj për këtë cikël të ri pikturash?
Kjo ekspozitë personale është konceptuar mbi frymën e poemës  “Delli dhe rrëkerat” të babait tim. Jam rritur...
me frymën e kësaj poeme, pasi jeta jonë pësoi ndryshime të frikshme, tepër të frikshme, të lemerisshme, do të thoshja, pas botimit të saj, sidomos pas kritikës së egër e që iu bë në shtypin e kohës. Pas një mbledhje autodafe, ku nuk mbeti injorant pa e kritikuar poemën si një poemë armiqësore që nxinte realitetin e ndritur socialist dhe bënte thirrje me qitje të largët për përmbysjen e Pushtetit popullor dhe, për zëvendësimin e diktaturës së proletariatit me diktaturën borgjeze e revizioniste, babanë e dënoi diktatura me punë të detyruar, 4 vjet në një kooperativë bujqësore dhe 6 vjet në Komunale. Babait iu desh të lerë penën, mësuesinë dhe penelin e të kapte kazmën, belin, draprin që të prashiste, të hapte kanale, të bënte kavalle orizi dhe të korrte, të ngarkonte e të shkarkonte qerret me dega duke iu hequr e drejta e botimit për 10 vjet. Në themel të poemës është familja e kamufluar me luftën kundër burokratizmit, pra mr një ambiguitrt disi të sofistikuar. Pra baza është familja, streha, shtëpia që për çudi të gjithë fëmijët e botës e vizatojnë dhe e pikturojnë njëlloj, më të njëjtën fantazi, duke përdorur të njëjtat elementë edhe pse, të lindur në një kuadrat pothuaj të njëllojtë, brenda katër mureve dhe, nuk shpjegohet dot se si ata e shohin formën e vërtetë të shtëpisë së ëndrrave, megjithëse arkitektura ka evoluar shumë dhe format e shtëpive kanë marrë reformacionin e kohës, në fantazinë e fëmijëve, ajo ngelet e njëjtë:një çati, një oxhak me tym, dy pemë, një gardh dhe disa re në qiell. Vizitorët e shtëpive të tablove të mia janë të ndryshëm që nga insektët e rëndomta, pothuaj të padukshëm, disa prej të cilave që mund t’i mbijetojnë edhe bombës atomike, shtypen kollaj nga këmba e brishtë të çdo fëmije. Këta mysafirë pasionantë, sarkastikë, gazmorë dhe tragjikë, dhe, shpesh herë të shpifur, të neveritshëm, disgustozë, janë të ftuarit e mi në këtë ekspozitë. Unë vij jo më një ndryshim e një qasje rrënjësore në këtë ekspozitë, por edhe më një evoluim erruptif, organik.
Të hapësh një ekspo në verë, nuk është e zakontë në vendin tonë ku aktivitetet kulturore janë të pakta gjatë stinës së nxehtë. Përse zgjodhët pikërisht gushtin për ekspozitën tuaj?
Nuk mund të kem luksin të zgjedh se kur mund të bëj ekspozitë në institucionin më të rëndësishëm në vend si GKA. Atë e vendos bordi i saj dhe unë e respektoj atë plotësisht. Gushti është muaji më i vështirë, por mua më pëlqen t’i pranoj këto sfida, “kapedanët e vërtetë në furtunë duken”dhe në fund të fundit pse jo, ata dashamirës të artit do të vinin në çfarëdo kohe. Gjithsesi unë jam mirënjohës për ata që e bënë të mundshme këtë ekspozitë qoftë edhe në këtë muaj, ku në gjuhën gazetareske thuhet se është muaji ku nuk ka lajme. Unë vë bast se ky muaj do të ketë lajm: do të jetë ai i ekspozitës sime.
Nuk i kemi parë pikturat tuaja ende, ndaj do të donim një vlerësim nga këndvështrimi juaj. Si i shikoni këto punë në lidhje me ciklet e mëparshme?
Pikturat e mia nuk i ka parë pothuajse askush, madje as babai im, apo zoti Kadare në vizitën e tij të fundit në studion time. Po ruaj një lloj misticizmi dhe magjie për to, pasi Shqipëria është një vend i vogël dhe magjia zgjat shumë pak. Në GKA do të zbulohen të gjitha punimet, të cilat do të jenë të pakta në numër, si asnjëherë tjetër në këtë sallë dhe që t’i përgjigjem pyetjes tuaj të parë: do të jenë jo më shumë se 20 punime të cilat vijnë pikërisht atje ku ndalon ekspozita ime e fundit në muzeun Mezuraj në vitin 2008. Në ekspozitë do të ketë shumë surpriza, ku gërshetohet, pasioni, filozofia, arroganca, mllefi, sarkazma dhe pse jo provokimi… një tablo provokon dhe do të diskutohet jo pak mendoj,..
Pas Galerisë Kombëtare në Tiranë çfarë planesh keni?
Planet e mia janë të menjëhershme. Sapo të mbyllet kjo ekspozitë, menjëherë marr avionin dhe shkoj në Madrid, ku do të hap një tjetër ekspozitë personale: “Shije nga Shqipëria”, një kontribut i imi personal për 100 -Vjetorin e Pavarësisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë. Në nëntor gjithashtu më
pret një ekspozitë personale në Montekarlo dhe pikërisht më 21 nëntor - 8 dhjetor 2012, një event që e pres që prej 2 vitesh dhe që para 2 vjetësh kur u pranova të ekspozoj atje u caktua data dhe ora e hapjes se saj. Ajo që nuk dihet është se si do ta presin dashamirësit artin tim dhe ekspozitën time”Fabuleux”ose ‘PËRRALLORE”
Çfarë do të thotë të pikturosh sot?
Të pikturosh sot në Shqipëri do të thotë: një detyrim për të vënë një guriçkë në artet pamore shqiptare dhe ato figurative që e kanë kaq rrënoje, në këto kohë të vështira, ku teknologjia ka ftohur çfarëdolloj veze dhe pothuaj është e pamundur të dalin zogj të rinj. Artistët shqiptarë pikturojnë dhe e mbajnë ndezur flakën e cila ka nisur si e tillë që nga shpellat e para mijëvjeçare.
Cila është lidhja mes artit dhe mesazhit? Sipas jush cili do të ishte komunikimi i përsosur mes publikut dhe veprës suaj?
Arti ka nisur si një nevojë për të komunikuar njerëzit në mes tyre dhe ka pësuar shumë reformacione gjatë shekujve. Të gjithë sistemet e përdorin artistin dhe artin për interesin e shpërndarjes se demagogjisë apo të filozofisë se tyre. Unë thjesht të mendshmen time e hedh në pëlhurë dhe ajo bashkë me pëlhurën ngjizet sipas shqetësimeve. Publiku është shumë i mençur dhe i kupton mesazhet e krijuesve.
Loja më ngjyrat duket se mbetët “loja” më e preferuar për ju…
Shumë e saktë, “lojëra më ngjyrat”, por jo më bojërat…pikërisht këtu fillon dallimi, ngjyra nga boja. Unë luaj me ngjyrat e mia dhe do të luaj sa kam në shpirtin tim dritë e cila krijon këtë spektër ngjyrash. Hija nuk ekziston ende në të brendshmen time dhe për pasojë, nuk del asnjëherë në pëlhurat e mia.
Artisti është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në kërkim… por jeta e përditshme e njeriut ka një ritëm tjetër. Kur I keni ndjerë përplasjet më të forta mes këtyre dy pjesëve të jetës tuaj?
Është e pashmangshme rutina e jetës, pasi të gjithë e duam atë. Unë jam një njeri dhe një artist në lëvizje të vazhdueshme falë lirisë që më lejon familja ime, ndërsa atë të lirisë artistike, e kam në dorë vetë dhe brenda shpirtit tim, atë nuk ma dhunon dot kush, përveç nevojave imediate të jetës të cilat zënë vend përditë e më shumë në jetën tonë dhe janë bërë tmerr i artit tim. Por nuk kanë fituar asnjëherë luftën, përveçse disa betejave të vogla, pothuaj të papërfillshme.
Në mënyrën tuaj të berit art, përfshihen versionet e ndryshme të se njëjtës pikturë. Ndonjëherë ngjajnë sikur do të rrinë bashke në një minicikël …
Të rrish gjatë në një ngjarje në Shqipëri është pothuajse e pamundur, pasi duke qenë një vend me treg shumë të vogël arti, duhet përditë të “prodhosh” ngjarje dhe sensacione që të qëndrosh në ajkën e artit dhe tregut. Unë vazhdoj në hapësirën time pa cënuar filozofinë dhe hapësirën e askujt, do të vazhdoj me heronjtë e mi deri sa të plotësohet cikli, por ju theksoj se jam një artist që kam një gamë shumë të gjerë, madje lëvroj edhe shumë gjini të tjera përveç kompozimit, si atë të peizazhit, portretit dhe disa taktika, si akuareli, temper, akrilik, batik etj, pa harruar zhanrin e fotografisë e cila është një pasion 20- vjeçar që një fill i hollë e ndan nga profesioni…
Gjysmagjeli juaj banon ende në pallatin presidencial francez? Ju pëlqen të dini se ku udhëtojnë veprat tuaja apo cili është fati i tyre pas shitjes?
Gjysmagjeli ka dalë për kësmet. Unë kam vepra në të gjithë botën dhe jam shumë kurioz të di për fatin e tyre. Një ditë dua të bëj një udhëtim e t’i vizitoj fole më fole.
Studioja juaj është gjithnjë e hapur për artistë të ndryshëm, mes tyre edhe shkrimtari Ismail Kadare…Për çfarë ju shërben ky komunikim brenda “folesë krijuese”
Po është e vërtet që studio e një piktori është gjithmonë e hapur, por kjo gjë është zbehur shumë kohët e fundit. Të njëjtën bisedë kishim me të madhin Kadare pardje (intervista është realizuar më 24 korrik sh. i g.) dhe me gruan e tij tepër fisnike, Helenën se, poetët dhe shkrimtarët kanë filluar të humbasin nga studio e piktorëve, se këta artistë duhet të ndajnë ëndrrat në mes tyre. Kjo është arsyeja që poezia ka filluar të humbasë nga piktura sot. Falë zotit, babai im e ndan atë, pothuaj, përditë me mua.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë para pak ditwsh i dha babait tuaj Urdhërin “Mjeshtër i Madh”. Si është lidhja juaj me të, si babë e bir dhe si dy krijues?
Është tepër e vështirë të shpjegoj se sa gëzohem unë që babanë ma nderuan me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, por më besoni, ju lutem, se institucionet: shtet, vlerësim, nderim, shpërblim, mirënjohje, kjo është ajo që më gëzon më shumë, sepse e kuptoj se diku, dikush e shikon kontributin tonë dhe kjo është shumë e gëzueshme. Për babanë nuk dua të flas shumë, pasi atij dhe mamasë sime, i dedikoj gjithë ekspozitën dhe kryesisht një vepër jo të zakontë që zë peshën kryesore në ekspon “PERSONALE” dhe kjo vepër titullohet “Dielli dhe Rrëkerat”


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk