Hermann Hesse, feniksi i letërsisë gjermane
Gjithë jeta e tij ishte dhe mbeti nje golgotë e gjatë dhe e mundimshme. Para se të realizonte ëndrrën, gjatë sfidës për ta bërë atë realitet të prekshëm, kur u ngjit në apogje, në të fikur të jetës së ti, ai ndriti me flakën e tij, dhe u dogj prej saj, e nga hiri rilindi, si një feniks.
Kanë kaluar 90 vjet nga koha e publikimit të “Siddhartha”.
Romani i vogël që Herman Hesse nisi të shkruante në dimrin e 1919-s, lindi edhe
si një reagim ndaj luftës dhe shkatërrimeve të saj.
Prej kohësh, në mendjen e tij kishte bërë strehë ideja se
Europa ishte një qytetërim që po perëndonte. Pak vite më parë, shkrimtari
kishte ndërmarrë një udhëtim në Indi, që i kishte dhënë shijen e një fillese të
largimit nga Europa. “Unë i shmangesha
dhe thuajse e urreja Europën me shijen e saj tepër të theksuar, me rrëmujën e
saj si prej një panairi, me ambientin e saj mbytës, me shijen e saj të ftohtë”,
shkruante Hesse në një ese.
Nuk qe e lehtë për atë të shkruante “Siddhartha”. Një krizë
e rëndë i kishte tharë venën krijuese. Bashkëshortja e tij e sëmurë mendore
ishte mbyllur në psikiatri, varfëria i bëhej gjithnjë e më tinëzare dhe ndarja
nga fëmijët, kontribuuan mjaftueshëm që shkrimtari të ndihej i pasigurt në
vetvete. U deshën më se dy vjet që Hesse të arrinte të përfundonte “legjendën e
tij indiane”. Kur më në fund, më 1922 romani i tij doli në treg, pritja që iu
bë nuk ishte entuziaste. Ia tregoi Romain Rolland zhgënjimin që kishte ndier
veçanërisht për miqtë e ngushtë që heshtnin dhe shtonte se nga kritikat në
shtyp nuk kishte dëgjuar tjetër veçse “shprehje të një respekti të sikletshëm”.
Mund të kuptohet ky reagim jo i favorshëm ndaj një libri të
pazakontë që me sytë e një europiani tregonte Indinë. Por me kalimin e viteve,
ky rrëfim, herë, herë edhe përrallor, do të mblidhte rreth vetes dhjetëra
milionë lexues. Ku qëndronte sharmi i tij? Hesse shkroi një histori pa qëllim
spekulimi. Kushdo që do të kishte lexuar historinë e jetës së Siddhartha, do të
kuptonte dëshirën e këtij të riu për të gjetur rrugën e tij pa kompromise.
Siddhartha, një shpirt i trazuar, dëshironte një fillesë drejt jetës dhe të
vërtetës.
Në parim donte të bëhej një “Samana”(mendimtarë që jetonin
me pak gjë), duke menduar se praktikat mistike do arrinin ta depersonalizonin,
duke krijuar brenda tij boshin e nevojshëm për t’u shndërruar në çfarëdolloj
forme që bota i ofronte: një çakall, gurë, dru apo formën e urisë dhe të etjes.
“Siddhartha mësoi shumë nga savana-të, mësoi si të përshkonte shumë rrugë për
të dalë nga ‘Uni’”, shkruan Hesse. Por i riu, inteligjent dhe i ndjeshëm nuk do
të mjaftohej me artin që i mësuan savana-të. Në atë kohë një tjetër figurë e
intrigonte: Buda.
Kur Siddhartha e takoi, e njohu menjëherë. “E pashë, një
njeri i thjeshtë, me mantelin portokalli, që ecte e në dorë mbante tasin ku
mblidhen donacionet”. Siddhartha, ndryshe nga miku i tij, Govinda, nuk do që
papritur t’u bindet ideve të mjeshtrit të tij. Ndonëse e admironte për qetësinë
dhe forcën, diçka e pengonte të përqafonte atë besim. Në mënyrë misterioze, ai
e dinte se duhet të vazhdonte udhëtimin “jo për të kërkuar një doktrinë më të
mirë, sepse nuk ka asnjë, por për t’i braktisur të gjitha doktrinat dhe
mjeshtrit, për të arritur gjysmën time, ose më mirë të vdes”.
E vërteta sipas Hesse nuk është fryt i një doktrine që
mjeshtri ia transmeton mjeshtrit, nuk është një dije e kodifikuar, por një
kërkim shpirtëror, një vështrim i lirë që drejtohet brenda vetes. Në rrugëtimin
e tij ai takon Kamala-n, prostitutën pas së cilës dashurohet, e provon ato që
më parë i përçmonte. “Duhet të zbriste
në këtë botë, të humbte në kënaqësi e pushtet, të humbte mes grave e arit,
duhej të bëhej tregtar derisa prifti apo samarin në të të vdiste”. Në këtë
rrugëtim të tijin, Siddhartha kërkon të gjejë të vërtetën brenda vetes dhe këtë
duket se lexuesit e gjetën në roman. Pasi fitoi çmimin “Nobel” më 1946 dhe pas
mbështetjes që mori nga Thomas Mann, Stefan Zweig, Hugo Ball, Hesse u kthye në
një burim të ndriçimit shpirtëror, dëshmitar i një dhuntie të jetuar me
sinqeritet.
Kështu ndodhi që ata djem të viteve ’70 e futën “Siddhartha”
në çantën e tyre të udhëtimit, në kërkim të njohjes së Lindjes. Nëse do të
shohim mirë, “Siddhartha” ishte libri i parë i një serie librash “pedagogjikë”,
të cilët kishin për qëllim të kujdeseshin për shpirtrat tanë. Edhe pse India,
nuk është më ajo e dikurshmja. “Nuk e
kam marrë asnjëherë seriozisht ‘botën’ dhe njerëzit e botës. Me kalimin e
viteve e bëj gjithnjë e më pak. Por, aq sa fisnik më dukej kristianizmi i
praktikuar nga prindërit e mi, si një jetë e jetuar me sakrifica, si komunitet
e mision, po aq më rezultonte i dyshimtë dhe herë, herë i patolerueshëm
krahasuar me atë predikim kaq të thjeshtë, me vargje që ndonjëherë ngjanin të
ëmbël, me pastorët e mërzitshëm, bota fetare dhe ajo e poezisë indiane, më
dukeshin më tërheqëse”, shkruan Hesse.
Laureati i çmimit “Nobel”, Hermann Hesse, vdiq para 50
vjetësh. Por vepra e tij jeton. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur
gjermanë në botë. Për prindërit e tij, Hermani duhej të bëhej klerik, si ata
vetë. Babai i tij punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e
tij ishte e bija e një misionari. Më 2 korrik 1877 ajo lindi Hermanin. Hermani
u lind në Calë, pranë Shtutgartit dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare.
Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891 në seminarin protestant Maulbronn. Pas
disa muajsh ai u arratis që andej, sepse nuk mund ta duronte edukimin kristian.
Ai e kishte marrë vendimin: “Ose do të bëhej poet, ose
asgjë”. Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vërtetë. Hesse shkoi në shkolla
të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u përpoq të vriste
veten në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Më vonë punoi në një punishte, ku
prodhoheshin makineri, në një fabrikë, që prodhonte sahate kullash dhe në
librari. Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar
veten, ishin temat, që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Kur
Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në Montagnola të Zvicrës,
duket se popullariteti i letërsisë së tij, të nderuar me çmim, ishte zhdukur.
Kritikët e përshkruajnë punën e tij si një mbledhje imitimesh pa nivel. Ishte
lëvizja e hipive në SHBA, që i risolli popullaritetin letërsisë së tij.
Comments
Post a Comment