A është libër liturgjik kishtar “Meshari” i Buzukut?
Nga Dr. Don Nikë Ukgjini *
Në të kaluarën e afërt, nga studiues të ndryshëm u bënë
përpjekje të mëdha për të hedhur dritë mbi Mesharin në fusha të ndryshme si,
gjuhësia, letërsia, historia etj, duke lënë pasdore anën esenciale të tij se, a
ishte “Meshari” libër liturgjik kishtar, apo jo? Ç`është e vërteta, për këtë
lëndë në fillim të viteve ‘30, albanologu frëng Mario Rok (Roques) si dhe me
vonë prof. Çabej, Injac Zamputi etj, kishinë afruar rreth kësaj çështje diçka
por, pastaj çështja mbeti pa u thelluar dhe e pa avancuar.
Për ta bërë përsaktësimin e këtij libri deri tani të parë në
gjuhën shqipe, sa ishte dhe a ishte libër liturgjik kishtar, duhet të bëhet një
analizë sintetizuese e kushteve kishtare, (pa hyrë në ato politike) të kohës së
Buzukut!
Rrethanat e kohës
Bota perëndimore e shek. XV dhe XVI nga trazirat e brendshme
që kishte, të shkaktuara nga zgjimi i ideologjive të reja dhe përpjekjeve për
t’i përcaktuar kufinjtë mbetërorë në nivele kombëtare, nuk ishte më e bashkuar.
Ajo tashmë merrej me interesat vetiake dhe jo më me ato të përgjithshme. Në
këtë rrëmujë evropiane gjendej edhe Kisha katolike, si pushtet shpirtëror dhe
politik i Perëndimit e cila ishte e stërmbushur me padira të ndryshme kundrejt
saj.
Papët e Renesansës, vitet 1431-1513, si majë e piramidës
kishtare dhe shtetërore, në vend që të merreshin me problemet e kohës me të
cilat ballafaqohej Kisha Shtetërore universale (katolike), siç ishte edhe
pushtimi i Konstantinopojës prej sulmeve Turke (1453) si dhe paralajmërimi i
Reformacionit (ndarjes se Kishës), përqendroheshin në interesat e ngushta
shtetërore të kryeqytetit romak duke e zbukuruar me vepra artistike, për ta
bërë qendër të njohur të humanizmit dhe të kulturës botërore.
Si rezultat i moskuptimit të ndërsjelltë të kokave të nxehta
brenda kishës katolike, lindi reformacioni evropian në mesjetë, me të cilën
fillonte epoka e re kishtare, e cila, sipas historianëve, i kishte sjellur
Kishës së Romës një tronditje te madhe, pasojat e së cilës ishin të
pallogaritura. Reformacioni shkatërroi unitetin e deriatëhershëm të kishës dhe
përçau themelet e besimit. Nga ajo kohë mendimi kishtar në aspektin dogmatik,
liturgjik etj, nuk ishte më unik, por i shpërndarë në katolike, luterane,
reformatore, protestante, kalviniste, heretike etj. Por, ky ballafaqim për
Kishën e Romës ishte një ndër ato të shumta me të cilat ndeshej në të kaluarën
Barka e Shën Pjetrit!
Kisha e Romës si trashëguese e primatit nga shën Pjetri
Apostull, në të kaluarën kishte mbi të gjitha një kujdes të veçantë ndaj
mësimeve dogmatike, baritore, ideologjike, kulurore, të cilat shpreheshin
nëpërmjet librave të ndryshëm e sidomos nëpërmjet librave liturgjikë. Ky kujdes
është ripohuar pothuajse në të gjitha. Koncilet e përgjithshme të mbajtura,
gjithsejt 19 (duke llogaritur këtu edhe atë të Trentos),
Librat liturgjikë dallojnë nga librat e fushave të
lartpërmendura. Fjala liturgji është fjalë greke që në leksikun e krishterizmit
ka domethënien e shërbesës hyjnore, shërbesë e cila përcaktohet nga Selia e
Shenjtë dhe autoritetet e larta kishtare. Edhe librat liturgjikë janë tekste të
përcaktuara po nga Selia e Shenjtë dhe autoritetet e larta kishtare, me të
cilat kryhet shërbesa hyjnore. Në librat liturgjikë në kohën parabuzukiane
hynin Breviari (officium-lat), libër i lutjeve të orëve të ditës, me të cilin
janë shërbyer klerikët dhe personat e kushtuar (urdhërat e ndryshëm
rregulltarë) dhe Meshari (Missale-lat) libër i cili përmban leximet dhe lutjet
e shërbesës euharistike.
Këta libra liturgjikë të përcaktuar më dekrete papnore, kanë
qenë në qendër të vëmendjes të papëve dhe Koncileve të ndryshëm, por një
përcaktim të përafërt nga forma dhe gjuha (latine). e bëri papa Gregori VII në
shek XII. Më pas, në shek XIII-XIV në këtë drejtim u bënë ndryshime,
përmirësime, zgjerime, të ndikuara nga urdhëra të ndryshëm si pasqyrim e
vlerave shpirtërore. Një lloj përkujdesi dhe interesi më i madh për këto libra
u tregua në Koncilin e pestë të Lateranit mbajtur në Bazilikën e Shën Gjonit në
Lateran, më 1512-1517, në veçanti nga papa Leoni X.
Prova e një tradite të pandërprerë
Në përfundimet e Koncilit në fjalë, shek, XVI, ishte
konstatuar se në librat liturgjikë ka ndryshime sidomos në përdorimin e tyre në
gjuhët e ndryshme popullore. Prandaj, Koncili bëntë apel tek ipeshkvijtë dhe
abatët që ndryshime të tilla të bëheshin nën mbikqyrjen e tyre. Kisha katolike,
pasi është universale, ka lejuar që të ketë pjesë të shtuara në Breviar dhe
Meshar në gjuhët e popujve të ndryshëm, por gjithnjë, pa prishur esencën
(korrnizen) e këtyre librave liturgjikë si shprehje e unitetit me Kishën e
Romës. Edhe pse disa gjëra kanë qenë të përcaktuara, apo të urdhëruara nga
Selia e Shenjtë, me dekretet papnore të quajtura Ekstravagantes Comunes
(dekrete të veçanta të përbashkëta) të viteve 1281-1478, për shkak të kërkesave
në këtë kohë, në to janë bërë përshtaje të pjesëve dytësore, shprehje besimi e
njëjtë nëpërmjet formave të kulturave të ndryshme, por duke ruajtur gjithnjë
vazhdimësinë e traditës së Kishës së Romës gjatë shekujve. Këtë dëshmi, të
traditës së pandërprerë e përforcon edhe Papa Pali V në Hyrjen e Përgjithshme
të Mesharit Romak, Romë 1969, ku ndër të tjera thotë: “Vërtet Meshari i vitit
1570 fort pak dallohet nga Meshari i parë, i botuar në vitin 1474 i cili ndjek
besnikërisht Mesharin e kohës së Papës Inocenti III, fundi e shek.XII (1198
–1216.) Këtë fenomen Selia e Shenjtë e ka toleruar për shkak të situatës,
rrethanave dhe dobisë shpirtërore të besimtarit dhe nuk ka marrë ndonjë
ndëshkim ndaj tyre. Kjo gjë shihet sipas dokumentave të Koncilit të Lateranit
të larpërmendur.
Koncili i Trentit dhe librat liturgjikë
Kisha e Romës e shek. XVI, në kohën kur po ballafaqohej me
një shthurje të brendshme, e pa të domosdoshëm organizimin një Koncili të ri,
të cilin e mbajti në qytetin e Trentos në vitin 1545-1563. Koncili i
Përgjithshëm Kishtar i Trentit, për shkak të rrethanave të krijuara (të
presioneve të bëra nga jashtë sidomos nga gjermanët), dashur e padashur kishte
marrë një pozicionim të një demokratizimi kishtar. Ai, me punët e zhvilluara në
periudhën e parë, të dytë dhe të tretë të saj, (1545-49, 1551-52, 1561-63) në
sferën teologjike dhe baritore, kishte përcaktuar temat mbi: Euharistinë
(Meshën e shenjtë), librat liturgjikë (tekstet zyrtare) tekstet biblike,
lutjet, ritet sakramentale dhe çështjen e përdorimit të gjuhës së vendit etj.
Koncili, duke u ballafaquar me idetë e reformës protestante dhe për të
justifikuar mësimet dogmatike, botimet e teksteve liturgjike si: Breviarit
Romak (lutja zyrtare e orëve) në vitin 1568 dhe të Mesharit në 1570 (libri i
kremtimit të Meshës së shenjtë), vendosi në formë të prerë që t’i mbante nën
kompetencën e Selisë së Shenjtë dhe të jenë në gjuhën latine dhe jo në atë
vendore, në krahasim me Biblën, tekstet rituale dhe ato katekistike që
lejoheshin të përktheheshin në gjuhën vendore të mbikqyrura nga ipeshkvijtë
vendorë. Madje, ndër të tjera, Koncili kishte vendosur edhe institucionet e
censurës dhe të indeksit të librave të ndaluar (Index librorum prohibitorum) të
vitit 1559 dhe 1564.
Libri i Buzukut
Libri i Dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555, u përkthye
dhe u përgatit gjatë sesionit të dytë dhe të tretë të Koncilit të Trentos.
Këtij libri nga studiues të mirëfilltë i janë bërë një sërë leximesh si: Imzot
Pal Schkiroj (1909), Atë Justin Rrota, i cili tri kopjet e Mesharit i solli nga
Biblioteka e Vatikanit në Shqipëri në vitin 1929, Namik Ressuli, Martin Camaj,
Eqrem Çabej. Sa për kujtesë, përmendim paksa përmbajtjen: Officium parvum B. M.
Virginis (Ofici i vogël i së Lumes Mari Virgjër) f.13-33, (faqet janë shënuar
sipas transkriptimit të Çabejt); Officio in Aduentu, (Lutjet e Kohës së Ardhjes
së Krishtit), fq33-41, me antifona, lekcionar dhe lutje; Septem psalmi
paenitentiales (shtatë psalmet pendestare), fq 41-49; Litanie (Litanitë), fq
49-55; Suffragia deprecatiuncule ose Ad vesperas officii defunctorum (Lutjet e
mbrëmjes për të vdekur), fq 55-61, me himne, psalme dhe antifona; Cathecuminum
exorcismorum (Katekizmi mbi ekzorcizmin), fq 61-83. Në këtë kapitull gjenden
temat: Decem precepta, (Dhjetë urdhërimet e Zotit), fq 61-63, me një shpjegim
të zgjerua; De septem operibus misericordie (shtatë veprat e mëshirshme), fq
65-69; Duodecimo artikuli fidei, (dymbëdhjetë artikujt e fesë të urdhëruara nga
Kisha e shenjtë) fq 69; Rituale baptizmi cum cathecesi (Rituali i pagëzimit të
të rriturve me katekezë), fq 69-81 dhe Ordo desposandi, (Riti i kurorëzimit),
fq 81-83. Në Kapitullin e fundit në pjesën me të madhe të librit gjenden të
përfshira pjesët e Mesharit (Missalae) 85-387, si: leximet e ndryshme biblike
dhe lutjet për gjithë vitin liturgjik kishtar dhe të kremtet e rëndësishme
kishtare. Në fundin të faqes është dhe Colophon (Kolofoni) me shënimet
biografike dhe data e botimit. Prof. Çabej, në studimin e tij thotë se nga 110
fletë ose 220 faqe, kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe. Ai konstaton se në fletët
e humbura e të grisura (nëntë copë skizma) ka pjesë katekizmi nga Besëlidhja e
Vjetër (Zanafilla), ndërsa në fletët të para të librit, ndër të cilat
gjithashtu mungojnë 8, ka qenë titulli i librit dhe vendi botimit. Sipas
përmbajtjes së librit, disa autorë si Çabej e të tjerë konstatojnë se ky libër
është një meshar.
Duke u mbështetur në argumentet e thëna më lart, më rezulton
se libri i Buzukut me konceptin e paraqitur, nuk mund të quhet e as mund të
hyjë në radhën librave liturgjikë kishtarë.
Një Meshar apo Breviar sipas ligjeve kishtare, përveç të
tjerash (gjuhës, lejes së botimit), nuk ka mundur që ta ketë një përmbajtje të
tillë, siç paraqitet më lart. Po ashtu këtij libri në kuptimin e një Meshari, i
mungon përveç Kalendarit të të Kremteve e disa pjesëve të tjera, Rendori i
Meshës, pjesë e së cilës është Kanoni i Meshës (Canon Missae), lutja
euharistike dhe lutja e shugurimit të ostes dhe verës që është esenca dhe pjesë
e pandryshuar nga koha apostolike, e cila do t’ia jepte të drejtën për të qenë
Meshar. As autori në fjalë (Buzuku) në paraqitjen e temave nuk e shënon askund
një gjë të tillë!
Nëse do të quhej Meshar Romak, sipas Imzot Kazazit dhe
studiuesve të tjerë pasues të tij, atëherë kjo vepër për kishën katolike do të
cilësohej si vepër intriguese. Meshari Romak në gjuhën shqipe, i autorizuar nga
Selia e Shenjtë dhe autoritet kishtare vendore për t’u përdorur me popull është
Meshari i të Kremteve, botuar në Romë vitin 1966, përkthyer dhe zhvilluar nga
Atë Daniel Gjeçaj. Ky libër, nga përmbajtja, është më i përafërti i atij të
Buzukut. Ndërsa Meshari i fundit është Meshari Romak, që është në përdorim edhe
sot, përkthyer nga Dom Simon Filipaj (Ferizaj 1991).
Meshari titullim i gabuar
Në bazë të asaj që është thënë më lart, vepra e Dom Gjon
Buzukut nuk është hartuar dhe botuar sipas direktivave të Selisë së Shenjtë as
të ndonjë ipeshkvi vendor. Ky mendim bazohet duke shikuar veprën si tërësi. Por
Dom Gjon Buzuku nuk ishte në një përballje me këto autoritete kishtare, sepse
tek Litanitë e përgjithshme të shenjtërve, bën lutje për Papën dhe Ipeshkvin.
Edhe pse gjinden emrat e disa meshtarëve (emrat e të cilëve janë shkruar në
dorëshkrim) që janë shërbyer me këtë libër, ky nuk ishte as libër liturgjik që
mund të përdorej brenda një dioqeze, sepse në fund të litanive ai lutet, duke
përmendur edhe emrin e vet dy herë dom Gjoni dhe lutet për” “... shpirtit së
tatësë tim e të mamësësime.. dhe mamën time” (fq 55). Gjëra të pa pranueshme
për librat liturgjike kishtare.
Pikërisht, përkthimi, hartimi dhe botimi i tij nga Dom Gjon
Buzuku, nuk do të çmohej ndryshe veçse një përpjekje e një prifti të thjeshtë
idealist, i përkrahur apo jo nga ndonjë prelat i lartë kishtar (ipeshkëv) për
ruajtjen e gjuhës së popullit dhe besimit katolik në trevat shqiptare, të cilat
ishin në prag të pushtimit të plotë nga turqit, që më 1571 morën Ulqinin dhe
Tivarin. Këto shqetësime të tij, pasi populli shqiptar, si më i vjetri në
Gadishullin Ballkanik, po rrezikohej të asimilohej jo vetëm nga pushtuesi
osman, por edhe nga fqinjët ortodoksë, serbë, bullgarë e grekë, Don Gjon Buzuku
i shpreh tek De septem operibus misericordie (Shtatë veprat e mëshirshme), (fq
65-79) ku shumë shkurt, përmend 12 artikujt e fesë (fq 69), e ndër të tjera ai
thotë: ai që nuk e mban fenë Krishtit “veten e banem turk”.
Kjo veprimtari e Dom Gjom Buzukut, përveç që përtërinte,
ruante, edukonte dhe zgjeronte besimin katolik shqiptar, për kohën për të cilën
bëhet fjalë, plotësonte boshllëkun e literaturës kishtare shqiptare të kësaj
natyre për të cilën na flet edhe Imzot Pjetër Bogdani në relacionin e vet
dërguar Selisë së Shenjtë më 1665. Synimin e ngritjes së kulturës fetare
kombëtare me botimet e tyre e treguan me përkrahjen e Selisë së Shenjtë edhe
Papas Lekë Matrenga, duke përkthyer në shqip katekizmin E mbësueme e Kreshtere
në vitin 1592, Imzot Pjetër Budi, me Doktrina e Krishtere, 1618, Rituali Romak,
Pasqyra e të rrëfyemit, 1621, si një ndihmesë siç thotë ai “Prifnët e
shërbëtorëvet kishesë Tinzot qi të gjindene ndë giuhu te Arbeneshe”, Imzot
Frango Bardhi, me proverbat e tij biblike të botuara në Fjalorin latinisht –
shqip, 1635, Imzot Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve 1685, Dokumentet në shqip
të Kuvendit të Arbërit 1706, madje, përkthimet e para të teksteve biblike të
shek. XIX e në vazhdim nga Gregori i Durrësit, Vangjel Meksi, Konstatin
Kristoforidhi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj.
Si përfundim, në bazë të te gjithë argumentave që shtrova
gjatë kësaj ligjërate, vepra e Don Gjon Buzukut, e cila deri tani është quajtur
Meshar nga shumë studiues, nuk mund të jetë as Meshar dhe as një libër
liturgjik e mirëfilt, por thjesht një vepër e rëndësishme për kohën e vet, i
cili shumë mirë luajti rolin e një Meshari, Breviari, Rituali dhe Katekizmi.
Vepra e Buzukut e quajtur Meshar titullim i gabuar.
Bibliografi:
Eqrem ÇABEJ, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i
historisë dhe gjuhësisë, Meshari i Gjon Buzukut, pjesa e parë dhe e dytë,
Tiranë, 1968
Grup Autoresh, Buzuku dhe gjuha e tij, Akademia e Shkencave
e Shqiprisë, Instituti i gjuhësis dhe letërsisë, Tiranë, 2005.
Grup Autoresh, La liturgia, Pontificio Instituto Liturgia,
S. Anselmo di Roma, botim 2, Roma 1983.
Grup Autoresh, Direttorio su Pieta popullare e liturgia,
Congregacione per il culto Divino, Citta del Vatikano, 2002.
Grup Autoresh, Enciclopedia Cattolica, Citta del Vaticano,
vol. IV, Firence, 1950. (Corpus iuris canonici).
Grup Autoresh, Enciclopedia Cattolica, Citta del Vaticano,
vol. VII, Firence ???? (Liturgia dhe Concili).
Grup Autoresh,
Enciclopedia Cattolica, Citta del Vaticano, vol. XII, Firence, 1954. ( Trento).
Justin A. RROTA,
Monumenti ma i vjetri gjuhës shqype, (botimi II), Shkodër 1933.
August FRANZEN,
Kleine Kirchengeschichte, Freiburg, 1968.
Meshari i Gjon
Buzukut monument i kulturës Shqiptare, (Sesioni shkencor, 19 – 20 maj, mbajtur
në Ulqin,) Art Club, Ulqin, 1995.
Engjëll SEDAJ,
Bibla e përkthimet e saj në gjuhën shqipe, Shtufi, Prishtinë, 1999.
Vinçenz P. MALAJ,
Të dhanat Albanologjike, 2, Shoqata, Don Gjon Buzuku, Ulqin – Tuz, 1999.
Meshari Romak,
(përkthyer nga dom Simon Filipaj) Ferizaj, 1992.
Vili KAMSI, Gjon
Buzuku e Koncili i Trentit, Semeniari XVII, ndërkombëtare, për gjuhën,
letërsinë dhe kulturën shqiptare, Gjon Buzuku dhe tradita e shkrimit, Tiranë,
16 – 31 gusht, 1995. Eurorilindja, Tiranë, 1995.
Meshari i të
Kremteve, (Përkthyer nga Danile Gjeçaj) Romë 1966 .
Comments
Post a Comment