Pietro Marubbi, zanafilla e fotografisë shqiptare e asaj ballkanase
U lind në Piaçenca të Italisë më 1834. I talentuar në shumë
fusha, dhuntitë e tij i kultivoi në
vendlindje. Përveçse arkitekt, piktor e
skulptor, u shqua sidomos në artin e fotografisë. Është fotografi i parë në Shqipëri e në Ballkan.
Duke përjetuar nacionalizmin italian dhe lëvizjet maciniane
e ato garibaldine, u gjend i përfshirë
në vrasjen e kontit të Piaçencës, (asokohe qyteti qeverisej nga
austriakët), për të cilët lëvizjet garibaldine ishin një halë në sy. Këto
rrethana politike e detyruan të zhvendosej drejt Ballkanit.
Nga Korfuzi, Vlora, kaloi në Shkodër, sepse atje “ka
katolikë” (sipas këshillës së konsullit italian në Vlorë). Qyteti që atëherë,
bashkë me Janinën, ishin qendrat më të mëdha të kulturës në trevat shqiptare. Më
1856 mbërriti në Shkodër, ku gjeti strehë, duke u shpëtuar përndjekësve të tij.
Falë ndikimeve e rrethanave, filloi
punën si fotograf. Në të njëjtin vit hapi atelier-in (frëngjisht, dhomë pune e
artistit) e parë fotografik “Studio Marubi”. Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35m²,
gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve edhe çatia ishin të
tëra prej xhami
(baxhë/-a), me qëllim që drita të hynte dhe të depërtonte
natyrshëm. Klishetë e para bardh e zi qenë të formateve 21×27, 26×31 dhe 30×40.
Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe thuajse të të
gjitha formateve të kohës. Gjithashtu, ai vendoste shpesh brenda atelies edhe
bar, degë e trungje pemësh, përherë me lidhje ideore me subjektin që do të
fotografonte. Në fillim, Marubi përdori procesin kolodium në përgatitjen e
negativit. Si sfonde, brenda në studio, mjeshtri, ashtu si gjithë kolegët e tij
europianë, përdorte beze të pikturuara të përshtatshme me atë që do
fotografohej, si natyra të qeta, peizazhe të natyrës shqiptare, pamje të mjediseve
familjare etj. Të mos harrojmë se jemi në një kohë kur Europa veçse pak vite më
parë kishte njohur artin mrekulli të fotografisë (1839).
“Qyteti kishte
mir’prit’ kráh’háp nji magjistar, qi ndezte flakë do pluhna dhe lângje e mândêj
t’népte në dorë nji copë letër të trashë ku ishe pikrisht ti” – shkruanin
kronikat.
Në arkivin e Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës (Fondi
Marubi) ruhet një model – tip i faturës
që lëshonte studio “Marubi” më 1929, me kokë të së cilës në shqip e
italisht:
Shtëpi e themelueme më 1856 (Casa fondata nel‘ 1856). Këtë e
konfirmojnë edhe pasardhësit e familjes Marubi. Nuk mund të thuhet me siguri se
cila qe fotografia e parë. Meqë negativi prodhohej në studio duke lyer xhamin
me solucionin e nitratit të argjendit (kolodio i lëngshëm), pas stampimit në letër, për arsye kursimi,
negativi fshihej dhe mbi xham vendosej shtresa e re e solucionit, duke krijuar
një negativ të ri për fotografinë pasardhëse. Kjo metodë vazhdoi deri në vitet
’90 të shekullit XIX, kur u importuan negativët e gatshëm (kolodio i thatë). Shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm për
aftësitë e fëmijëve të tyre në artet pamore. Një nga këta ishte dhe marangozi
çam Arsen Idromeno, që me këshillën e mjeshtrit Marubi e dërgoi djalin e tij
Kolën të studionte pikturë në Venecia të Italisë. Ndoshta, artisti i njohur Kolë Idromeno është një
dhuratë e madhe e Pjetër Marubit për kulturën tonë.
Fama e tij u përhap edhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë,
mjeshtri fillon të dalë nga atelieja e të fotografojë në natyrë subjekte
shoqërore por edhe historike. Kësaj periudhe
i përkasin foto të tilla si shumë e njohura “Lypës në rrethinat e
Shkodrës” (1875), me forcë të madhe shprehëse; si dhe “Portret gruaje” (1878) e
“Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha është dhe fotoja e Pietro Marubit që
paraqet delegatët në Lidhjen Prizrenit (1878) si dhe ajo që pasqyron
Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë
me revista të njohura europiane, si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe
“The Illustrated London News”, duke u bërë kësisoj edhe fotoreporteri i parë në historinë e fotografisë shqiptare.
Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve për liri, janë pothuaj
vërsnike me ato që mbahen më të parat fotografi botërore të luftës, si të
anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu seai ka realizuar
fotografitë e para
në Malin e Zi (1865). Nuk është e rastit që fotografitë e
kohës të Pietro Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze të
kohës. Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe
gjermane me përmasa 30cm X 40cm.
Në vitet ‘20 të shek. XX shumë foto të tij janë shtypur edhe
si kartolina postare që kërkoheshin nga të huajt për bukurinë dhe ekzotikën e
tyre. Pietro Marubi është nderuar edhe me një medalje ari (“Premiato con
Medaglia d’Oro”) për fotografi. Këtë e mësojmë nga një kartolinë, ku
fatkeqësisht, nuk përcaktohet as data e as vendi i konkursit.
Studioja e tij u specializua jo vetëm në shërbime
fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet ‘70 të
shek XIX Pietro shërbeu si reporter për revistën italiane “Illustrazione
Italiana” në vilajetin e Shkodrës. Qyteti shqiptar në veri të vendit, pranë
maleve të larta, dallohej për këngët e bukura qytetare lirike, por edhe epike.
Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi pas disa vitesh
qëndrimi në Shkodër, vetëquhet “Pjetër Marubi, shkodran mes shkodranëve”.
Pjetri, duke pasur shumë punë, merr të parin ndihmës, një djalosh si “djalë
dyqani”, birin e bahçevanit të shtëpisë së tij, Mati Kodhelin. I lindur më
1862, Matia, i mrekulluar nga puna e mjeshtrit, i kërkon të punësohet pranë tij. Ky e dërgon për
specializim në Trieste. Pas specializimit kthehet në Shkodër të punojë pranë
Pjetër Marubit, ku lidh miqësi të ngushtë me Kolë Idromenon.
Fatkeqësisht jeta për Mati Kodhelin është shumë e kursyer.
Vetëm 21- vjeçar, Mati Kodheli mbyll sytë më 1881, duke lënë denjësisht emrin
në atë që do të quhet dinasti e Marubëve, fotografët e parapëlqyer nga të
gjitha klasat shoqërore.
Comments
Post a Comment