“Meshari” i Gjon Buzukut mbërrin në Tiranë, ekspozohet në Bibliotekën Kombëtare



Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ekspozimin për herë të parë, të Mesharit të Gjon Buzukut, librit më të vjetër në gjuhën shqipe, (1555), në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri. Me një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Selinë e Shenjtë, u bë e mundur që ekzemplari unikal i Meshari të Buzukut të dërgohet nga biblioteka Apostullore e Vatikanit dhe të ekspozohet për publikun shqiptar, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Meshari është ekspozuar përkrah librave, të një rëndësie të madhe historike gjithashtu, të Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Arbërit e Kuvendit të 1706, Varibobës, Kazazit etj..
Kryeministri Berisha e konsideroi ekspozimin e Mesharit për herë të parë në Shqipëri, një ngjarje të madhe kombëtare dhe falenderoi Vatikanin për ruajtjen e shkëlqyer që i është bërë këtij dokumenti të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe.

 “Një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, në alfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë.”
Ndërsa e cilësoi Mesharin një “kryevepër të gjuhës sonë liturgjike”, Kryeministri nënvizoi se identiteti kombëtar shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën shqipe dhe sa më shumë të hulumtojmë rrënjët e ecurinë e saj, aq më shumë kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit. Kryeministri tha se gjuha liturgjike, si gjuha më e hershme e shkruar e kombit, e cila përbënte edhe gjuhën zyrtare të tij, duhet të rizë vendin e saj në gjuhën shqipe.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e ekspozimit të Mesharit të Gjon Buzukut në Bibliotekën Kombëtare.
 “Sot, ne, Biblioteka Kombëtare, libri shqiptar dhe bota e librit në tërësi përjetojmë një ngjarje historike. Një vizitor i pritur në shekuj, vjen sot, në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe ky është libri që themeloi gjuhën e bukur shqipe të liturgjisë. I shkruar shekuj më parë nga Gjon Buzuku, ai  kthehet sot, me germa më të arta se kurrë, në gjirin e fondit të bibliotekës së kombit të tij. Ndaj një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, në alfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë.

I ekspozuar këtu, së bashku me Bogdanin, Matrëngën, Juv Varibobën, të gjithë themelues e pasurues të gjuhës shqipe, Meshari dëshmon se, krahas kombeve të tjera, kombi shqiptar i frymëzuar në atë periudhe, nga rilindësit e Italisë dhe rilindësit në botë, filluan një lëvizje të fuqishme të zgjimit të ndjenjës kombëtare, nëpërmjet gjuhës.
Ne shqiptarët kemi një profil të veçantë të identitetit tonë. Identiteti ynë kombëtar, natyrisht si çdo identitet tjetër, bazohet në një aparat të caktuar genik, por tek ne, identiteti kombëtar ka për shtyllë kryesore, gjuhën e kombit. Sa më shumë ta studiojmë këtë gjuhë, sa më shumë të hulumtojmë për rrënjët dhe ecurinë e saj, aq më shumë do të kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit shqiptar. Kjo shtyllë e bën identitetin tonë, do të thosha një identitet të civilizuar. Një identitet, mbi të cilin shpresojmë dhe natyrshëm zhvillohet nacionalizmi, por gjithnjë një nacionalizëm, i cili synon respektin dhe bazohet në kulturën kombëtare, në vlerat e saj dhe jo në urrejtjen ndaj të tjerëve, për arsye të ndryshme.


Buzuku, Bogdani, Variboba, të gjithë këta në një mënyrë krijuan shqipen  zyrtare. E vërteta është se shqipja më e bukur zyrtare në tërë historinë e kobit ka qenë gjuha shqipe e liturgjisë. Ajo kishte unifikuar të gjithë terminologjinë në të gjitha besimet fetare. Natyrisht, për arsye të caktuara nuk ishte kjo që u përzgjodh që në fillim si gjuhë zyrtare, pasi ajo mund të paraqiste vështirësitë veta, në fatin e një kombi që vetëm pak vite më parë kishte themeluar alfabetin e vet. Por gjuha liturgjike përbënte në të vërtetë gjuhën zyrtare të vendit. Gjatë regjimit të shkuar, ajo u syrgjynos dhe të gjitha ndërhyrjet që u bënë në gjuhën shqipe kanë pasur vetëm një qëllim astanik: largimin dhe shmangien me çdo kusht të gjuhës së bukur liturgjike. Nuk mund të pranohet një situatë e krijuar mbi bazën e një dogmë totalitare të zëvendësojë doktrinat e vlerave njerëzore e hyjnore. Unë kam besim të madh se studiuesit, gjuhëtarët tanë do të gjejnë të gjithë guximin, mençurinë e kurajën për të rikthyer në gjuhën shqipe, gjuhën e bukur liturgjike, gjuhën më të hershme të shkruar të kombit. Të mos harrojmë se kombe të mëdha, që kanë pasur filozofë ndër më të mëdhenjtë, shkrimtarë gjenialë, gjuhën zyrtare ia detyrojnë përkthimit të Biblës.

Dua t’ju përgëzoj zoti Plasari, për vendosmërinë e këmbënguljen që keni treguar në sjelljen këtu, të kësaj kryevepre të gjuhës sonë liturgjike, të shprehim edhe mirënjohjen e thellë ndaj këtyre burrave që e bënë shqipen gjuhën e Zotit, duke përkthyer veprat fetare në gjuhën tonë të bukur. Faleminderit.” 

 “Meshari” i Gjon Buzukut ka mbërritur dje në Tiranë. Libri i vitit 1555, i pari në shqip, del për herë të parë nga biblioteka e Vatikanit dhe kthehet pas gati pesë shekujsh në Shqipëri. Prej ditës së djeshme është vendosur nën masa sigurie në Bibliotekën Kombëtare, ku do të ekspozohet për publikun në orën 18:00 në një ceremoni të veçantë e do të qëndrojë deri më 28 Nëntor. Që nga botimi e deri me 1740-n, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740-n, atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909-n, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194. Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Më 1968-n, gjuhëtari i shquar shqiptar, Eqrem Çabej, botoi studimin shkencor të veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit. Ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes.


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk