Bashkim Shehu për letërsinë dhe burgun



Adoleshenca dhe kohët e rinisë kanë qenë ndoshta ndryshe për Bashkim Shehun. Për vetë historinë e familjes së tij, ai pati mundësi të njihte nga afër ‘shkëlqimin’ e bllokut komunist, dhe kohë më pas të shihte ‘fytyrën’ tjetër të tij që ishin kohët e burgut.
Kanë qenë tregimet e Kafkës ato që e shtynë të shkruante për herë të parë. Atëherë thjesht një adoleshent, ai do ta ndiente se dashuria për librat do ta çonte ngadalë drejt një tjetër dashurie, që ishte e shkruara. Janë pafund rreshtat e parë që kanë mbetur në blloqet e shënimeve të atyre viteve, nga të cilat ai mundi të botonte disa libra. Me një jetë sa interesante aq edhe të vështirë në disa vite, ajo që ai nuk harroi asnjëherë ishte letërsia.
Ajo diti ta shpëtonte edhe kur hapësira përreth tij ishte vetëm mure. Vetëm dy javë më parë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë e vlerësoi atë me çmimin “Fan Noli” për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit Roberto Bolanjo. Këtë vepër, Shehu e ka përkthyer bashkë me bashkëshorten e tij Edlira Hoxhollin. Përkthimi me bashkëpunim ka gjithnjë vështirësitë e tij, por duket se çifti Shehu ka ditur të jenë bashkë në një gjuhë. Bashkim Shehu është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Që prej vitit 1993 e deri më sot ka botuar në mënyrë sistematike çdo vit e më shumë vepra të tij. Në një bisedë për Shqip, Shehu rrëfen lidhjen e tij me letërsinë, endjen në prozën e një prej shkrimtarëve më të njohur të Amerikës Latine, Roberto Bolanjo, apo çfarë ndryshoi burgu në mënyrën e tij të të shkruarit.
“Për mua Bolanjo është një nga shkrimtarët më të fuqishëm bashkëkohorë. Është një nga pasardhësit më të denjë të Borhesit”, shprehet ai. Duke folur për përkthimin në bashkëpunim, ai thekson se problemi kryesor që duhet zgjidhur është që teksti të tingëllojë si të ishte i dalë nga një dorë e vetme. E sa i përket lidhjes së tij me letërsinë, Shehu tregon se ka filluar qysh në adoleshencë.
“Më pëlqente të lexoja dhe dikur, ashtu si pa kuptuar, ndjeva nevojën që të shkruaja. Nga shtysat librore mund të përmend në veçanti tregimet e Kafkës. Kjo ndërthurej me shqetësime të caktuara që fillon të ndiejë njeriu në atë moshë, një moshë që ndeshet me sfidën e çlirimit nga autoriteti prindëror”, shton ai. Shehu tregon se pjesën më të madhe të krijimtarisë e ka botuar pas daljes nga burgu. Periudha e burgut ka ndikuar jashtëzakonisht në ato që ka shkruar. “Ka qenë vendimtare në të gjitha aspektet. Efekti i menjëhershëm dhe më i rëndësishmi nga pikëpamja letrare, ishte ndryshimi i mënyrës së të shkruarit. Duke qenë se në burg ndihesha i lirë nga tundimi për të botuar dhe, rrjedhimisht, nga kufizimet që sillte botimi në Shqipërinë e atëhershme, kisha më shumë hapësirë për të kërkuar mënyra shprehjeje, për një estetikë më vetjake. Mendoj se të shkruarit në burg përbën momentin më të rëndësishëm të kthesës në krijimtarinë time”, thekson Shehu.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk