Mosmarrëveshja e Kadaresë me Popullin e tij
Agron Gjekmarkaj
Të shkruash për librat e Ismail Kadaresë është mundësi,
tentacion vanitoz, por edhe risk mbytës njëkohësisht. Kur pretendon të bëhesh
download (6)ndërmjetës mes tij e lexuesit, sapo ke kaluar ngushticën e Shilës e
Karibdës. Më shumë se proza artistike janë esetë, të cilat shfaqen si sisteme
të mbyllura të vetëmjaftueshme, intensive e munduese për një qasje
recensionale.
Për ato asgjë nuk mund të thuash më mirë se autori, asgjë
ndryshe nga autori, asgjë më pak se ai e asgjë më tepër. Rrezikon të ecësh nën
tehun e teprimit dhe të mungesës. Mirëpo shija e udhëtimeve të tilla është
ngasje unike, ia vlen të rrezikosh.
“Turk e trim” do të thoshin disa shqiptarë, duke gjykuar
përmasat e sfidës. Provokative kjo “fjalë e urtë”, shenjë e “tjetërsimit” dhe
“flirtit”, po a nuk thotë Kadare “nëse donim ta kishim bashkë perandorinë,
duhej të jetonim e vdisnim si turq”; Tashmë jashtë perandorie falë Zotit
vende-vende nostalgjia për trimërinë turke të unifikuar na ka mbetur! Kjo
nostalgji në të gjitha format e shfaqjes së saj nxit “Mosmarrëveshjen” e Ismail
Kadaresë me popullin e tij.
Përtej figurës, “Mosmarrëveshja”, libri i fundit i sapodalë
nga shtypi (në variantin përfundimtar), paraqitet si një analizë në diakroninë
dhe sinkroninë e transformimit antropologjik në amzën e këtij kombi gjatë një
pushtimi pesëshekullor, plus diktaturën 50-vjeçare e tranzicionin 22-vjeçar.
Një libër që e strukturon realitetin, duke reflektuar mbi të. Ky libër me një
gjykim të ndërtuar mbi krahasimin shqyrton raportet e shqiptarit me veten dhe me
të tjerët, me Shqipërinë dhe Kosovën, me flamurin dhe themeluesit, me mitet dhe
çmitizuesit, me renegatët dhe shenjtorët, me diktatorin dhe diktaturën, me
mbretin dhe mbretërinë, me Geraldinën dhe Sofinë, me identitetin e fetë, me
gjuhën dhe agresorët e saj, me robërinë dhe lirinë, me krishterimin e islamin,
me konvertimin dhe qëndresën, me sllavët e grekët, me italianët e gjermanët,
por mbi të gjitha me pushtuesin otoman dje dhe neootomanizmin sot, me
shqiptarët dhe Europën përgjithmonë, mes të cilëve qëndron “Dosja Kastrioti”.
Po si dalin shqiptarët nga kjo analizë që vetëm Ismail Kadare ka tagrin dhe
fuqinë për ta bërë?! Leximi na zbulon se “Shqipëria sasinë e rimohuesve e ka
tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej”.
Identitetet e lëvizshme të përcaktuara nga mohimi e rimohimi janë përvijuar
shpesh në historinë tonë, thelbin e të cilave shkrimtari e përmbledh edhe
kështu “Jep kryqin, të marrësh grada dhe poste. Mbaj kryqin, jep gjuhën shqipe.
Mbaj kishën, jep Kastriotin. Merr tituj, jep emrin shqiptar. Mbaj armën, jep
kryqin. Dhe kryesorja: që të jesh turk, do të përfitosh si i tillë, por
ndërkaq, si i tillë, si i pabesë do të ndëshkohesh”. Shqipëria e Ismail
Kadaresë në këtë “Mosmarrëveshje” nuk ngjason me asnjë Shqipëri tjetër, të
rrëfyer nga historianë apo albanologë, nga shqiptarë apo të huaj. Temë e një
karriere të sprovuar apo e një doktorate të lartë për kombin e ka quajtur një
tjetër shkrimtar shqiptar. “Mosmarrëveshja” është akti më i madh i dashurisë që
shkrimtari me famë të përbotshme i blaton vendit të vet, por njëkohësisht është
një shpallje lufte me artileri të rëndë, me zjarrin e së cilës duhet të bëjnë
llogaritë përgjithmonë ata që në gjak kanë flirtin, tjetërsimin, nostalgjinë
për pushtuesin dhe urrejtjen për Gjergjin Skënderbe, i cili do të krahasohet
nga Kadare me Krishtin njësoj pa varr, i ngjitur në qiell në amshim, në
përjetësi, ndaj i patakueshëm nga toka. Gjergji hero i qytetërimit europian, i
mbrojtur nga Europa si i tillë, Gjergji hero kombëtar i shqiptarëve i vënë në
diskutim prej vetë shqiptarëve. Nënë Tereza gjithashtu, Ismail Qemali po aq. Te
kjo përputhje dhe mospërputhje konsumohet “Mosmarrëveshja”. Por shkrimtari nuk
lodhet së përsërituri se “Dosja Kastrioti” është thagma e Shqipërisë europiane,
shpirti, identiteti i qytetërimit perëndimor në këtë vend dhe ndaj rimohuesit
me një tjetër identitet, qerosë apo me mjekra, me gjuhë kozmopolitizmi apo
mbllaçitje revanie plot gulçe e rënkim prej shekujsh, i mëshojnë mallkimit të
luftës kundër padishahut.
Kadare shfaqet si racionalizues i historisë, por edhe
paralajmërues për të ardhmen, njësi kohore nga anon kahu i këtij libri, kur
thotë “se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”. Kundër
tij kishin punuar “burgjet, jataganët, daullet, lajkat, zërat e zvargur të
hoxhallarëve nga minaret”. Nga ana tjetër, për herë të parë në këtë “sprovë”
gjejmë një formë te re konfigurimi të krenarisë kombëtare nëpërmjet pohimit se
shqiptarët nuk janë ai populli paqësor e qyqar që ka marrë shpulla nga
gjithkush ndër shekuj. Jo, përkundrazi, edhe ata kanë ushtruar dhunë ndaj të
tjerëve e për këtë duhet të ndihen po aq krenarë ose fajtorë si gjithë popujt
europianë që në origjinë e kanë këtë fenomen. Portreti i viktimës ngjall
mëshirë momentale, por jo konsideratë afatgjatë. Kadare pothuaj i vetëm në këtë
pikëpamje hedh poshtë me forcë tezën që konvertimi në islamizëm i shpëtoi
shqiptarët nga asimilimi sllav. Tezë kjo, sipas tij, justifikuese për të
përligjur flirtin. Vazhdimësinë historike të katolikëve në Shqipëri e Kosovë
Kadare nuk e sheh si sasi numerike, por si qytetërim dhe njësi përbashkuese me
Europën, me efekte të drejtpërdrejta mbi gjuhën dhe alfabetin. Kadare, pasi ka
evidentuar cenet, nuk është kursyer në ekspozimin e virtyteve si prani
ekuilibruese, të cilat nuk janë një e dhënë e përjetshme në qoftë se nuk
kultivohen. Sot, magjepsjen ndaj Europës dhe harmoninë fetare e konstaton te
shumica e shqiptarëve, i bindur që kombi paraqitet mbi besimet, e këtu Kadarenë
e gjejmë në hullinë e Rilindjes Kombëtare si përmbyllës i epërm i saj, por edhe
zëdhënës të mendimit laiko-liberal.
Zanafillën e diktaturës ose krimin themelues e gjen te
historia tragjike e Ramize Gjebresë. Po aty zbulon simptomat e mohimit të
Kosovës, mbi betejat e së cilës vetëm ndalet gjatë, kund me pesimizëm, kund me
shpresë, kund me pezëm e kund pa e fshehur kënaqësinë.
Na feks mendimi që te fati i Kastriotit nën presionin e
“dergjjes otomane” dhe me një Shqipëri që dergjet në portat e Europës për “tri
ligje dhe një kryetar qarku”, Kadare “Mbreti i letërsisë shqipe”, nëse do të
përdornim përcaktimin e një politikani të lartë shqiptar, sheh të ngjashmin fat
të tij mes “mohsash” e “strehsash” në një të ardhme të mesme. Mos ndoshta do të
mbetet ai më shumë shkrimtar i Francës apo Europës sesa i Shqipërisë? Vallë mes
kësaj të fundit dhe kontinentit do të kemi “Dosjen Kadare” një ditë? Mos
transformimi i poezisë së Naimit “Fati ynë u ngrit prej gropës/Si i vdekuri nga
varri/Mori udhën e Europës/ Duke rendur si i marri?/” është autoreferencial?
Mbase janë vetëm një lajthitje e jona këto pyetje “marazi”,
ashtu si yshtja e pacak për të folur mbi këtë libër të vështirë në këtë prag
panairi, ngjarje kjo që do të vërtitet rreth “Mosmarrëveshjes”.
Ecëm mes mungesës dhe teprimit e të dyja nxorën krye, thamë
më pak se autori, pa stilin dhe solemnitetin e tij, e përsëritëm atë, me të
vetmen shpresë që së paku do të bëhemi lajmës të librit të librave mbi
Shqipërinë dhe shqiptarët. Për lajmësin ka gjithmonë besë.
(gazeta Panorama)
Comments
Post a Comment