Kisha katolike dhe shkolla e parë shqipe
Kur në
Mesjetën e vonë Europa rizbuloi klasikët e Greqisë dhe të Romës, Shqipëria
ishte një vend i pushtuar, ku vihej në rrezik jo vetëm vijimi i download
(12)gjuhës dhe i kulturës autoktone, por vetë jeta e kombit. Rrezikoheshin
vlerat historike të një populli, i cili, deri pak kohë më parë, kishte qenë
pjesë organike e qytetërimit europian. Pushtimi turk, jo vetëm që e mbajti këtë
popull larg zhvillimit të pjesës tjetër të Europës, por këmbënguli me keqdashje
në qëllimin e vet për ta detyruar të humbiste origjinalitet dhe origjinë, mbi
të gjitha duke favorizuar kthimin e pjesës më të madhe të popullit në fenë
islamike. Periudha e gjatë e pushtimit turk (rreth 450 vjet), në mos tjetër,
bëri që të humbitnin gjurmët e vazhdimësisë historike të një populli dhe të një
qytetërimi të lashtë, po të përjashtohet ajo pjesë e kulturës vendase që gjeti
strehë në pasurinë gojore të një folklori origjinal dhe tejet të pasur. Prandaj, për të rindërtuar të kaluarën
historike të Shqipërisë, në shumicën e rasteve, duhet t’u drejtohemi burimeve
arkivore të vendeve të tjera (të Stambollit, të Vatikanit, të Venedikut, të
Vjenës etj.). Nga Arkivi i Shtetit i Tiranës mund të nxirren gjëra të pakta,
meqë mbi të rëndon dyshimi që të jetë vënë dorë në pesëdhjetë vitet e fundit të
diktaturës komuniste.
Vitet e
fundit është bërë diçka për t’ia nisur një rindërtimi historik, edhe pse ka
munguar një kërkim sistematik dhe rrënjësor ndër arkivat e ndryshëm (dihet se,
për të bërë këtë, duhen shumë të holla, kohë të gjata dhe shumë vullnet i mirë
…).
Një gjë del
krejt e qartë: për zhvillimin e kulturës, të arsimit dhe të shkollës në
Shqipëri, ka pasur rëndësi themelore kontributi i dhënë nga kleri i besimeve të
ndryshme fetare, por mbi të gjitha ai i Kishës Katolike.
Një gjë e
tillë vihet re haptazi qysh në fillimet e historisë së letërsisë shqiptare.
Pohimi i parë për të folurit shqip (dhe me gjasë edhe gjuhës së shkruar) i
përket një shënimi (1332) të një domenikani, Gulielmo Adae, nga i cili veç
është vështirë të hipotizohet, siç kanë bërë disa, për ekzistencën e një
letërsie të shkruar në shqip qysh në shekullin XIV. Në të vërtetë i pari
dokument i shqipes së shkruar (i zbuluar deri sot) i përket vitit 1462 dhe
është Formula e Pagëzimit në shqip, e shkruar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal
Engjëlli. Për botimin e librit të parë në shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, i
cili u shtyp jashtë vendit, duhet pritur viti 1555: që të dy këto fakte
vërtetojnë se, veçanërisht për tekstet liturgjike, gjuha e vendit përpiqej të
zëvendësonte latinishten. Ndonjë studiues është i mendimit se edhe më përpara,
qysh në kohë të Skënderbeut, kronikat shkruheshin “në gjuhën e popullit”, por
mjerisht kjo gjë nuk është vërtetuar nga dokumentet.
Sidoqoftë,
del në shesh një fakt: të parët që e shkruan shqipen kanë qenë priftërinjtë
katolikë. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, meqë këta klerikë kishin një kulturë
të madhe, të cilën donin ta vinin në dispozicion të vendit.
Tërësia e
veprave të Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, Palit nga Hasi, Gjon Nikollë
Kazazit, Lekë Matrangës, Nikollë Ketas dhe të tjerëve që i ndoqën, tregon
dukshëm lidhjen me vlerat e kombit të këtyre të mëdhenjve të kulturës
shqiptare. Vlen për të gjithë pohimi i Buzukut që, në parathënien e “Mesharit”
të tij thotë se e ka shkruar këtë vepër në shqip “nga dashuria për gjuhën
tonë”.
Me shumë
gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen deri më sot) shkolla e parë
shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë, themeluar më 1584; ka të ngjarë që
në atë shkollë të jetë përdorur gjuha shqipe, të paktën për një pjesë të
mësimeve. Në studimin e shkurtër të Sarë Gjergjit lexojmë: “Qysh në shekullin
XVI misionarët katolikë provuan të themelojnë një shkollë të lartë në
territorin e famullisë katolike të Karadakut të Shkupit, meqë aty nuk banojnë
dhe nuk vijnë turqit … Sidomos Stublla (afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën
shqipe, ka qenë i përshtatshëm për hapjen e një kolegji të tillë katolik”.
Zgjedhja e
një fshati albanofon vlerëson tezën se në atë shkollë mësimet duhej të
zhvilloheshin edhe në shqip. Natyrisht, si kusht i nevojshëm për hapjen e
shkollës ishte njohja dhe përdorimi i mirëfilltë i shqipes. Pak më vonë së
tridhjetë vjet mbasi botimit të librit të parë shqip hasemi, pra, në të parën
shkollë shqiptare; një fakt simbolik ky, që tregon lidhjen e ngushtë mes gjuhës, fesë, kulturës
dhe shkollës në Shqipëri.
Është shumë
e vështirë të depërtosh në errësirën e një epoke që s’ka lënë dëshmi. Kostantin
Jireçek ka pasë thënë se “as ndërmjet Galipolit dhe Adrianopolit nuk ishin
rrënuar aq shumë qytete mesjetare sa ç’u shkatërruan vetëm në rrethet e
Durrësit dhe të Shkodrës”.
Duhet
mbushur një zbrazëti prej gati pesëdhjetë vjetësh para së të hasemi në
themelimin, nga ana e priftërinjve katolikë, të shkollës së Kurbinit në vitin
1632, një shkollë që, sipas studiuesit Shefik Osmani, në programin e vet
mësimor përfshinte edhe studimin e shkrimtarëve shqiptarë Bardhi, Budi e
Bogdani. Në vitin 1638 Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe, në
të njëjtin vit, një tjetër në Pllanë. Në vitin 1639 Fretërit e Troshanit hapën
shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre shkollave në gjysmën e
parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin e arsimit.
Arqipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruar në vitet
1632-1633) (thekson) rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve.
Në shekullin
XVI Ndre Bogdani kishte shkruar një gramatikë latinisht- shqip që, me sa dihet,
qe përdorur në shkollën e javës.
Por për të
arritur në themelimin e të parës shkollë shqip në plot kuptimin e fjalës, duhet
pritur gjysma e shekullit XIX. Në studimin e saj mbi historinë e shkollës
shqiptare, Fehime Pipa niset pikërisht nga viti 1861, vit në të cilin u
themelua shkolla françeskane e Shkodrës (e thirrur zakonisht shkolla e Fretënve),
duke lënë jashtë periudhën para atij viti, sepse studimi i saj përfshin vetëm
njëqind vjetët e fundit. Në shkollën e Shkodrës, për herë të parë në histori,
gjuha bazë është shqipja, sepse ajo ishte një shkollë e hapur dhe jo
ngushtësisht fetare: ajo hodhi themelet e shkollës publike në Shqipëri. Ky
primat, në një farë kuptimi, është pika e mbërritjes ku çuan përpjekjet e bëra
nga klerikët katolikë në këtë drejtim, pa i hequr asgjë kontributit të dhënë
nga laikët apo nga eksponentët e besimeve të tjera fetare (dhe duhen marrë në
konsideratë edhe përpjekjet e diasporës shqiptare, në radhë të parë të
arbëreshëve të Italisë). Dy vjet para hapjes së “shkollës së Fretënve” në
Shkodër, po në atë qytet, jezuitët kishin themeluar Kolegjin Pontifikal (1859)
dhe, më 17 tetor 1877, me kërkesën këmbëngulëse të banorëve të Shkodrës, hapën
Kolegjën Saveriane. Më 14 nëntor 1882, në Tirana e lart (ku kishte një
përqendrim më të madh të katolikëve) shkollat e para (dhe nuk bëhet gabim të
thuhet më të kualifikuarat) qenë themeluar nga meshtarët, nga rregulltarët dhe
nga rregulltarët e Kishës Katolike.
Ndërsa në
Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut qe kleri ortodoks dhe ai mysliman, bashkë me
shumë laikë që iu përveshën punës për shkollimin e Shqipërisë. Në Voskopojë (në
rrethin e Korçës) më 1720 pat qenë themeluar Akademia e Re; dhe në Korçë, më
vonë, (më 7 mars 1887) u hap e para shkollë shqipe e Jugut dhe (më 1891) e para
shkollë shqiptare për vajza; pastaj i erdhi radha themelimit të Normales së
Elbasanit (1909) dhe gjimnazeve, laike dhe shtetërore të Tiranës, Korçës dhe
Shkodrës. Ndër shkollat katolike mbizotëroi parapëlqimi për disiplinat klasike,
ndër shkollat e tjera për ato shkencore. Gjithsesi këto shkolla ishin realizimi
i ëndrrës së burrave të mëdhenj të kombit shqiptar dhe trupëzimi i përpjekjeve
të njerëzve të ndritur të vendit. Ato shkolla ishin shkallaret nëpër të cilat
do të ngjitej drejt përparimit shoqëria shqiptare.
Në shkollat
e Shkodrës dhe të Tiranës, të hapura nga
priftërinj katolikë, dhanë mësim personalitete ndër më të njohurat e botës
intelektuale shqiptare të asaj kohe dhe, i pari ndër të gjithë ishte Fishta,
gjë që provon qartë dhe në mënyrë elokuente: ç’rëndësi i jepnin këto
personalitete arsimit dhe shkollës. Ja një listë e emrave gjithë prestigj që
nuk mund të mos bëjë përshtypje:
Me 1899, Emzot Prenk Doçi, i frymzuem nga shoqnit qi kishte pà tue shetit boten organizon shoqninë kulturore-letrare "Bashkimi". Me bashk'themelues si Át Pashko Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Lazër Mjeda, Át Gjergj Fishta, Imzot Dodë Koleci, Dom Mark Shllaku, Imzot Jak Serreqi, Dom Ndre Mjeda, Emzot Vinçenc Prennushi. E quejtun Akademia nga Asdreni.
At Leonardo
De Martino (arbëresh) (1830-1923), poet;
At Ndue
Bytyçi (1847-1917) poet, studiues i pedagogjisë:
At Anton
Xanoni (1863-1915) shkrimtar, autor tekstesh shkollore dhe përpilues
antologjish letrare;
Dom Ndre
Mjeda (1866-1937), poet dhe filolog;
At Pashk
Bardhi (1870-1948), shkrimtar;
At Shtjefen
Gjeçovi (1874-1948), etnolog, studiues i të drejtës zakonore:
At Gjergj
Fishta, (1871-1940), poet;
At Anton
Harapi (1888-1946), orator, publicist;
At Justin
Rrota (1889-1964), linguist;
At Marin
Sirdani (1885-1962), shkrimtar dhe historian;
At Bernardin
Palaj (1894-1949), etnolog dhe poet;
At Pal Dodaj
(1880-1951) publicist;
At Donat
Kurti (1903-1983), etnolog dhe pedagogjist;
At Benedikt
Dema (1904-1960), shkrimtar dhe publicist;
At Gjon
Shllaku (1907-1946), filozof dhe pedagogjist;
At Daniel
Dajani (1916-1947), publicist.
Këto dhe
personalitete të tjera fetare, që janë pjesë përbërëse e botës së kulturës
shqiptare dhe që ngjallin respekt për veprën e tyre fetare dhe për impenjimin e
tyre të ndritur në lëmin e artit dhe të kulturës, nga ana tjetër kanë
kontribuar, dhe jo pak, për të përvijuar dimensionin patriotik dhe shoqëror të
institucioneve shkollore; ata e kishin bërë të vetën thënien e Kantit “arsimi
është pesha më e madhe që mund të vendohet mbi supet e një njeriu”. Dhe këtë
detyrë të rëndë, të vështirë por fisnike ata e kryen deri në fund me dinjitet e
seriozitet.
Dhe ç’është
e vërtetë, që angazhimi i tyre konsekuent dhe fort i kualifikuar që dha dorë të
formohej ajo gjeneratë intelektualësh e asaj Shqipërie që, më 1912, nisi të
ecte me këmbët e veta. Por kjo përpjekje nuk u vu në jetë pa pengesa.
Mbas
pengesave të nxjerra nga pushtimi turk, kjo vepër, me kalimin e kohës, u desh
të përballonte edhe sulmet e një materializmi të anshëm dhe të një laicizmi
kontingjent. Kësisoj, duke filluar nga viti 1932, kishte nisur fushata për
shtetëzimin e shkollave private dhe fetare. Në prill 1933 u modifikua
Kushtetuta dhe, si rrjedhojë, më 1934 u shtetëzuan dhe deri u mbyllën 23
shkolla private dhe fetare (nga të cilat 17, apo 74%, ishin shkolla të
katolikëve), 57 shkolla të pakicave greke në jug të vendit, seminari i Kishës
Ortodokse në Tiranë, Medreseja (shkolla e mesme fetare myslimane) e edhe të
tjera.
Qysh nga ajo
kohë deri në mbylljen përfundimtare të të gjitha shkollave jo shtetërore kaluan
fare pak vjet. Më 1945, në kuadrin e reformës shkollore që u bë me dashjen e
diktaturës komuniste, u pre përfundimisht mundësia që të rihapeshin shkollat
fetare dhe private. Kjo periudhë e dytë dhune zgjati gati gjysmë shekulli,
gjatë së cilës u bë çmos për të heshtur faktet, të cilat tashmë janë pjesë e
vetë historisë kombëtare shqiptare. Një fakt për të gjithë: si datë e
themelimit të shkollës së parë shqiptare u shpall 7 Marsi 1887, dita kur u hap
shkolla e Korçës. Viti 1861 u la me dashje në një harresë të padrejtë. Por kjo,
falë Zotit, bën pjesë në një të kaluar tashmë të varrosur.
MAPO
Comments
Post a Comment