Paradigma e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’
‘Paradigma e Proteut’ është studim monografik mbi romanin përfaqësues të letërsisë shqipe, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, i cili këtu krahasohet me versionet dhe variantet e veta, me veprat e tjera të të njëjtit autor, me romanet e letërsisë shqipe dhe me vepra të letërsisë botërore.
Në fund të
vitit 2012, një libër i ri iu shtua studimeve letrare, gjegjësisht studimeve
mbi romanin e Ismail Kadaresë ‘Gjenerali i Ushtrisë së vdekur’. ‘Paradigma e
Proteut’ titullohet libri i shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Ag
Apolloni, i cili është një studim monografik mbi romanin përfaqësues të
letërsisë shqipe.
Kjo
monografi, e cila ka 390 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese ‘OM’ në
Prishtinë, ndahet në katër pjesë të mëdha, në të cilët çmontohet romani duke u
interpretuar në të gjitha planet. Të gjitha pjesët së bashku analizojnë
pasaportën e letërsisë shqiptare në të gjitha planet dhe ndërtojnë një
monografi për këtë roman emblematik, i cili u pëlqye tej mase nga lexuesit, u
kritikua ashpër nga kritika ideologjike shqiptare, u vlerësua lart nga kritika
e huaj, pastaj u bë bazë e disa versioneve të shfaqjeve, baleteve dhe filmave.
Por, derisa
si film, siç ndodh shpesh me romanet e mëdha, nuk pati ndonjë sukses të madh,
si vepër letrare arriti sukses të jashtëzakonshëm, duke u përkthyer në mbi
njëzet gjuhë dhe duke u vlerësuar jashtëzakonisht mirë, sidomos nga të huajt,
aq sa mund të thuhet që ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ përfaqëson vlerat e
letërsisë shqipe në botë.
Po ashtu, në
këtë monografi analizohen edhe shkrimet kritike të studiuesve shqiptarë dhe të
huaj mbi këtë roman. Vlen të përmendet se studimet shqiptare dhe ato të huaja
mbi ‘Gjeneralin’ arrijnë më së shumti deri në 20 faqe, kurse kjo është
monografia e parë për këtë roman.
Sipas
autorit të kësaj monografie, letërsia shqipe, që nuk njihej jashtë kufijve
shqiptarë, me këtë roman imponohet dhe integrohet në letërsinë e botës. Duke
folur për librin e tij, Apolloni thotë se në këtë studim janë analizuar me
metoda të ndryshme elementet që e përbëjnë romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së
vdekur’, duke u nisur nga një përgjithësim mbi zhvillimin historik të romanit
botëror, nga origjina e epit e deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, kur
edhe shfaqet për herë të parë romani i parë i botuar i Kadaresë.
“Duke
analizuar romanin në disa plane, është synuar të jepet një pasqyrë monografike
e këtij romani, i cili me të drejtë konsiderohet romani i parë modern në
letërsinë shqipe, pasi që sjellë një frymë të re në këtë letërsi, e cila deri
atëherë dominohej nga diskursi romantik, sentimentalist dhe tej mase
ideologjik. Duke analizuar romanin pa syze ideologjike, jam përpjekur që ta
shoh dhe ta kuptoj thjesht si fakt letrar, por që lidhet edhe me fushat tjera.
Në këtë mënyrë, pjesa e ideve është analizuar te kapitulli mbi diskursin, që
përbën retorikën e tekstit”, u shpreh Apolloni.
Analiza
vetvetiu ka çuar te debati ose aprovimi me kritikët që kanë folur për këtë
vepër. Një pjesë të atyre kritikëve kundërshtohen nga analizat e bëra këtu,
edhe atëherë kur ata mbeten vetëm të aluduar. Ndërsa, pjesën tjetër e kritikon
komentimi nga këndi i sotëm, pasi që analizat dogmatike ishin kritikë e ditës,
që nuk arritën t’i rezistojnë kohës.
Po ashtu,
sipas Apollonit, këtu është konstatuar se ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ nuk
është roman me pretendime disidente, sado që estetikisht është i tillë. “Madje
vetë autori atë e konsideron roman të kompromiseve. Por kur dihet që disidenca
nuk përbën vlerë letrare, por morale, ndërsa kompromiset jo gjithmonë e
dëmtojnë veprën, atëherë mund të konstatojmë se ky roman për letërsinë shqipe
ka po atë vlerë që ka Hamleti për letërsinë angleze. Kadare bashkë me
Shekspirin janë shkrimtarë të kompromiseve që nuk i kundërvihen oborrit, por që
me vlerat estetike kanë thyer muret dhe kanë pushtuar botën”, tha Apolloni.
Po ashtu, në
këtë studim, një përqendrim i veçantë është bërë në analizën krahasimtare, duke
krahasuar Gjeneralin me poemat, romanet dhe esetë e Kadaresë, pastaj me vepra
të ndryshme të letërsisë shqiptare dhe botërore, si dhe me teatrin, filmin dhe
me disa arte të tjera.
Po ashtu,
Apolloni vjen në përfundim se ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ nuk është roman
që identifikohet me ndonjë shkollë, apo drejtim të veçantë. “Ai nuk mund të
quhet roman realist, natyralist, impresionist, surrealist, modern, apo
postmodern, por mund të quhet roman i romaneve, sepse merr nga të gjitha
romanet dhe prapë nuk i ngjet asnjërit. Nga të gjitha poetikat merr elemente
për të ndërtuar një poetikë specifike që vë në plan të parë vlerën, jo tipin.
Romanet e tilla refuzojnë të ndjekin modën, por mbesin gjithmonë në modë”, tha
ai. Sipas tij, kjo vepër nuk ngjan me asnjë vepër të mëparshme shqipe, prandaj,
është një revolucion edhe në planin e receptimit. Ai shtoi se nëpërmjet këtij
romani kuptohet fati i letërsisë shqipe.
“Ky fat
vërehet në risitë e rrëfimit, në famën botërore që ky roman ua dha autorit dhe
letërsisë shqipe. Ndërsa si fat i rëndë vërehet në darët e censurës që u
munduan ta këpusin kryet e një kryevepre, e cila për herë të parë letërsisë
shqipe ia hapi portat për të dalë jashtë dhe për t’u bërë pjesë e botës”,
theksoi Apolloni. Sipas tij, sot ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ i Kadaresë
është lavdia e letërsisë shqipe në botë.
Comments
Post a Comment