Në Brazil rritet ndikimi i fesë në politikë për shkak të konkurrencës ndërmjet katolicizmit dhe kishave të lira
Besimi faktor pushteti: Në Brazil rritet ndikimi i fesë në politikë për shkak të konkurrencës ndërmjet katolicizmit dhe kishave të lira.
Eshtë Brazili në rrugën drejt një "Jezuskracie"? Në vendin më të madh katolik të botës ka shpërthyer një mosmarrëveshje lidhur me marrëdhëniet mes politikës dhe fesë. Sepse ndryshe nga shumë vende të tjera të industrializuara, ndikimi i kishave, sidomos i kishave të lira, është rritur shumë në 20 vitet e fundit në këtë vend në zhvillim të vazhdueshëm. Shkaktar i debatit polemik ishte zgjedhja e deputetit evangjelikal Marco Feliciano në fillim të marsit si kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në dhomën braziliane të deputetëve. Predikuesi dhe drejtuesi i kishës së ringjalljes "Catedral de Avivamento" kishte akuzuar disa herë homoseksualët se po shkatërrojnë "familjen e shenjtë braziliane". Gjykatën Supreme Kushtetuese braziliane ai e akuzoi se "ka fyer Perëndinë" me vendimin e fundit në lidhje me abortin.
Deklaratat radikale kanë provokuar indinjatë. Javën e kaluar në demonstrata brenda dhe jashtë vendit , madje edhe para portës së Brandenburgut në Berlin, kryetarit të Komisionit të të Drejtave të Njeriut iu kërkua që të japë dorëheqjen. Qeveria braziliane u distancua nga sulmet verbale ndaj pakicave.
Por pas polemikave mbi të drejtat e njeriut fshihet më shumë se thjesht një debat i brendshëm politik. Rasti përfaqëson shqetësimin në rritje në këtë vend lidhur me ndikimin e fortë të grupeve fetare në politikë.
Shifrat flasin një gjuhë të qartë
Në periudhën dërmjet viteve 1990 dhe 2013 numri i deputetëve të grupit evangjelist në kongresin brazilian është rritur nga 30 në 73. Në votimin për temën e mbrojtjes së jetës dhe abortit përkrahja jozyrtare e fraksionit fetar arrin në gjithsej 192 delegatë, që përfaqëson gati 40 për qind të të gjithë parlamentarëve. Këtu hyjnë edhe shumë përfaqësues të grupit katolik.
Rritja e pushtetit politik të evangjelistëve reflektohet në rritjen e numrit të anëtarëve. Sipas të dhënave të zyrës statistikore braziliane IBGE kishat e lira, komunitetet e krishtera pentekostale, i kanë shtuar anëtarët e tyre nga radhët e popullsisë braziliane në 15 për qind deri në 22 për qind ndërmjet viteve 2000 dhe 2010. Në të njëjtën periudhë përqindja e katolikëve ka rënë nga 74 për qind në rreth 68 për qind.
Shkak i rritjes së pushtetit politik të priftërinjve dhe predikuesve nuk janë vetëm milionat e besimtarëve, që votojnë për deputetët "e tyre" të krishterë dhe dëshirojnë një "Jezuskraci". Sipas një studimi të ri të institutit për studime fetare (Iser) në Rio de Janeiro në bashkëpunim me Fondacionin Heinrich Böll lufta për ndikim politik ka të bëjë me konkurrencën e fortë midis kishave të lira dhe katolicizmit në Brazil. "Konkurrenca është spostuar nga fusha fetare në politikë, sepse pushteti politik është një garanci për praninë në hapësirën publike", shpjegon Christina Vital, autore e studimit të botuar javën e kaluar: "Feja dhe politika: një analizë e punës parlamentare të deputetëve evangjelistë dhe ndikimi i tyre në të drejtat e grave dhe minoriteteve homoseksuale në Brazil." "A nuk ka qenë kisha katolike deri tani gjithmonë e suksesshme në këtë pikë?" pyet autorja Vital.
Krerët fetarë duan të përfshihen në vendimmarrje
Sipas vlerësimeve kishat e lira nuk mjaftohen me shërbesa fetare për milionat e besimtarëve. Ato kërkojnë nga shteti të njëjtat të drejta në sferën publike, që ka edhe kisha katolike: mësimin e fesë në shkolla, kujdesin fetar për të burgosurit, spitale dhe shkolla fetare, si dhe lobim politik. "Lëvizja evangjelikale ka bërë që të gjitha komunitetet fetare në Brazil të jenë më shumë prezente në publik", arrin në përfundim studimi. Prandaj liderët fetarë mbrojnë vlerat dhe traditat e tyre në kuadrin e lirisë së shprehjes dhe kërkojnë të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në vendimmarrje.
Në konkurrencën fetare në sistemin demokratik kisha katolike, të cilën dikur kolonizatorët portugezë e ngritën në fe shtetërore, kryeson ende me një avantazh të dukshëm. "Në mësimin fetar kisha katolike ka ende dominimin e saj tradicional", thotë teologu gjerman Frank Usarski, i cili jep mësim në universitetin katolik të Sao Paolos. "Ka shumë kisha dhe komunitete të krishtera pentekostale, që duan ta ndryshojnë këtë dhe pretendojnë të njëjtat të drejta për vete."
Çështjet e besimit kanë një vend të rëndësishëm në Brazil pavarësisht ndarjes së qartë me kushtetutë të kishës dhe shtetit. Akoma rreth 90 për qind e 200 milionë banorëve janë besimtarë të krishterë. Sipas "hartës së feve", të publikuar në vitin 2010 nga "Fondacioni Getúlio Vargas", 89 për qind e popullsisë e konsiderojnë fenë si çështje të rëndësishme, po kaq e lartë përqindja është në Indi dhe në Malajzi. Gjysma e brazilianëve të pyetur pohoi se marrin pjesë rregullisht në të gjitha shërbesat fetare.
Edhe baballarët e kushtetutës braziliane të vitit 1989 e venë veprën e tyre në preambul "nën mbrojtjen e Zotit." Madje as tek paratë për brazilianët besimi nuk merr fund, por vazhdon: Në kartmonedhat e "Real-it" brazilian shkruhet me shkronja të mëdha: "Deus seja louvado" Qoftë lëvduar Zoti.
Comments
Post a Comment