Vdekja e poetit. Pablo Neruda "zgjohet" nga amshimi për të dëshmuar të vërtetën
Ka qenë vrasje? Me nxjerrjen e eshtrave të Pablo Neruda duhen sqaruar shkaqet e vdekjes. Rezultati mund të ndikojë në fushatën elektorale.
A duhet rishkruar historia e Kilit? Nxjerrja e eshtrave të Pablo Nerudës (1904 bis 1973) e ka detyruar vendin amerikano- latin të konfrontohet sërish me të kalurën. Sepse hetimi shkencor i eshtrave të shkrimtarit që ka marrë Çmimin Nobel në letërsi, hetim që fillon ditën e hënë (08.04.2013) duhet t`i japë fund një herë e mirë diskutimeve për shkaqet e vdekjes së tij.
Pablo Neruda ndërroi jetë më 23 shtator 1973, dymbëdhjetë ditë pas puçit ushtarak të kryer në Kili nga Augusto Pinochet. Sipas versionit zyrtar deri tani në fuqi, shkaku i vdekjes ka qenë kanceri. Por ish-shoferi i Nerudës, Manuel Araya, i cili e ka çuar poetin në spital, nuk e pranon këtë. Ai thotë se është i sigurtë e Neruda, mbajtës i Çmimit Nobel dhe kritik i regjimit është helmuar në spital me medikamente kundër dhimbjeve.
Nxjerrja e eshtrave, që do të bëhet me vendim gjykate, duhet të sqarojë pas 40 vjetëve dyshimet për vrasje. Sipas të dhënave të shërbimit juridik ligjor (Servício Médico Legal) në Santiago, ershtrat e poetit do të hetohen nga një ekip ndërkombëtar mjekësh ligjorë, antropologësh, biokimistësh dhe toksikologësh. "Ne kërkojmë për shenja që flasin për nxjerrjen e konkluzioneve që lidhen ose jo me sëmundjen," shpjegon drejtoresha e qendrës për identifikimin mjeko-logjor, Marisol Intriago Leiva. Analizat pas kaq vitesh "janë të vështira, por jo të pamundura".
Në kërkim të së vërtetës
Nxjerrja dhe studimi i eshtrave në Kili bën pjesë në zbardhjen e së kaluarës. Rreth 30 mijë vetë vdiqën ose "u zhdukën" gjatë diktaturës ushtarake të gjeneralit Augusto Pinoçetit nga 11 shtatori 1973 deri më 11 mars 1990. Identifikimi i kundërshtarëve të regjimit, të vrarë apo torturuar është bërë prej gjeneralëve me vetëdije edhe më i vështirë. Ende nuk janë identifikuar të gjitha viktimat, kërkimet e dhimbshme të të afërmve të viktimave vazhdojnë.
"E vërteta ndodhet tek eshtrat", thotë Alexandra Manescu, e cila kujdeset për të afërmit e viktimave, e ngarkuar nga Komiteti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Ajo është e vetmja gjermane në ekipin e ekspertëve. "Dinjiteti i të vdekurve duhet ruajtur," thotë një nga parimet kryesore të saj. Vuajtjet e familjeve janë 20 apo 30 vjet më pas po aq të forta si ditën e parë pas vdekjes, thotë Manescu, "edhe nëse kjo dhimbje nuk mund të shihet".
Edhe për gjykatësin kilian Richter Mario Carroza është "vendimtare të nxirret e vërteta, të cilën një pjesë e madhe e shoqërisë nuk e di". Carroza pati vendosur dy vjet më parë nxjerrjen e eshtrave të Salvador Allende (1908 deri 1973). Hetimi mjeko- ligjor konfirmoi vetëvrasjen e ish- presidentit.
Dyshime për shkaqet e vdekjes
Në rastin e Pablo Nerudës dyshimet për shkaqet zyrtare të vdekjes janë ushqyer sërish dhjetë vitet e fundit. Neruda është dërguar në të njëjtën klinikë në Santiago, si ish-presidenti kilian Eduardo Frei Montalva. Montalva,
i cili ka qeverisur Kilin nga 1964 deri 1970, vdiq në vitin 1982 pas disa operacionesh të hernies. Por, një hetim mjeko-ligjor i kryer në vitin 2009 nxorri se kristiandemokrati në të vërtetë është helmuar me talium dhe sulfat klorik.
Gazetari Mario António Guzman mendon se dyshimet për vrasje në rastin e Nerudës nuk janë të paarsyeshme. "Unë mendoj se në këto pretendime ka diçka", shpjegon ai. Përndjekja e udhëheqësve politikë dhe e studentëve, ka pasur një metodë të caktuar". "Përndjekja ka qenë selektive," thotë Guzman.
Në Fondacionin Pablo Neruda në Santiago, i shohin me skepticizëm dyshime të tilla. "Fondacioni është i bindur se Neruda ka vdekur nga kanceri i prostatës", thotë zëdhënësi Carlos Maldonado. Nëse hetimet mjeko-ligjore do të dëshmojnë të kundërtën, atëherë vendi do të tronditet nga tërmeti politik. "Kjo do të kishte qenë një tërmet politik për vendin," thotë Maldonado. Në gjithë mizoritë që ka bërë diktatura e Pinoçetit, kjo do ishte më brutalja.
Në eshtrat e poetit të famshëm kilian, fshihet një forcë e madhe politike. Mbase mbajtësi i Çmimit Nobel do të trondisë sërish shpirtin amerikano- latin duke shkruajtur edhe një herë historinë e vendit nga e para.
DW
Comments
Post a Comment