Kriza dhe dallimet mes të varfërve dhe të pasurve sipas OECD


Kriza ekonomike dhe financiare e ka ashpërsuar pabarazinë sociale. Kjo konstatohet edhe në mjë studim të OECD, e cila paralajmëron qeveritë për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve.
Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve nuk është duke u rritur vetëm nga koha e fillimit të krizës. Por Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD) konstaton se kriza e ka ashpërsuar edhe më shumë këtë problem. Pabarazia e të ardhurave bruto në vendet e OECD-së është rritur në periudhën prej 2008-2010 më shumë se sa në 12 vitet e fundit. Të paktën në shumicën e vendeve, thotë eksperti i OECD Michael Förster, në një intervistë për Deutsche Wellen.
Gjermania është një vend që përjashtohet nga ky trend. Këtu është dallimi në të ardhura më i vogël se sa mesatarja e vendeve të kësaj organizate. Dallimet në të ardhurat bruto në tre vitet e krizës janë rritur por jo tepër, pohon Förster.
Gjermania si shembull?
Eksperti i OECD - Michael Förster
Ky është një prej shkaqeve pse sindikatat kanë qenë më të përmbajtura në negociatat e tyre për tarifat e rrogave. "Në vitet para krizës (2000 deri 2005) ka pasur një punësim të pazakonshëm. Ndërkohë që Gjermania si vend i eksportit ka përfituar edhe nga kriza e euros, shton Förster. Sipërmarrjet mund ta ofrojnë mallin e tyre më lirë se konkurrenca. Por kjo nuk do të thotë se në Gjermani nuk ka varfëri. Në studimin e OECD thuhet e se në vitin 2010, rreth 9 % të gjermanëve kanë qenë të varfër. Gjermania me këtë përqindje është pak më poshtë mesatares së OECD me rreth 11 %.
Varfëria relative apo absolute
Por çfarë është varfëria? Në studimet e ndryshme paraqiten të ardhurat mesatare si bazë e përcaktimit të shkallës së varfërisë. Ata që marrin më pak se shuma e caktuar, janë të varfër. OECD ka caktuar si bazë mesataren e të ardhurave të secilit vend. Por pasi kjo vlerë, pra edhe kufiri i varfërisë ndryshon shpesh, në këso rastesh flitet për varfërinë relative. Shikuar nga ky definim, numri i të varfërve ka shënuar një rritje të vogël në vendet e organizatës. Ndaj eksperti Förster mendon se të dhënat për varfërinë absolute janë më të rëndësishme. Në këtë rast, merret mesatarja e varfërisë, për shembull në vitin 2005, dhe shikohet se sa është rritur mesatarja e varfërisë në vitet në vijim. Më se shumti janë prekur: Italia, Spanja dhe Greqia. Pra vendet të cilat duhet të kursejnë shumë.
Pamje nga demonstratat e zhviluara në Puerta del Sol - Madrid
Më së shumti e prekur është rinia
Në vendet e prekura nga kriza por edhe në vendet e tjera, më së shumti brenga kanë të rinjtë. As Gjermania nuk paraqet ndonjë përjashtim në këtë aspekt, sepse edhe këtu të rinjtë kanë problem të gjejnë vende pune. "Por në vendet e tjera të rinjtë dhe familjet e reja me fëmijë kanë humbur shumë nga të ardhurat e mëparshme. Personat mbi 60 vjeç janë në një pozitë më të mirë.
Förster thotë se zgjidhja është në arsim. Niveli i lartë i arsimit në një vend paraqet një garanci se hendeku mes varfërisë dhe të pasurve nuk thellohet tepër. Christoph Schröder nga Instituti Gjerman i Ekonomisë (IW) në Këln thotë se duhet gjetur zgjidhje për familjet e reja, në mënyrë që sa më mirë të koordinohen familja me punën dhe karrierën.
Tani e ka radhën politika, mendojnë ekspertët. Ajo duhet të rishikojnë konceptet për kursime strikte, sepse ndryshe mund të rritet edhe më shumë humnera mes të pasurve dhe të varfërve. Në radhë të parë, kursimet nuk duhet të shkojnë në dëm të të varfërve.
DW

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve