Zbulohet dorëshkrimi i vitit 1909 i Petro Nini Luarasit


shkresa e petro nini luarasitDokumenti botohet për herë të parë, gjendej në Muzeun e Elbasanit
Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare
Bardha Nergjoni
Një dokument i rrallë ka dalë në dritë së fundmi, pas një hulumtimi në arkivin e pasur të Muzeut të Elbasanit. Dorëshkrimi trefaqësh, me shkrim dore dhe ende me shkronjat e alfabetit të Stambollit është shkruar me aq kujdes dhe korrektësi nga vetë drejtuesi i atëhershëm i shkollës së Negovanit, Petro Nini Luarasi. Nuk dihet se si kjo letër ka përfunduar në radhën e arkivave të Muzeut të Elbasanit por ka gjasa të ketë qenë pjesë e bibliotekës së Lef Nosit, i cili kishte një interes të shtuar për zhvillimin e arsimit dhe kishte kontakte me shoqëritë atdhetare të asaj kohe. Gjithsesi drejtori i muzeut, Kreshnik Belegu, nuk di ta shpjegojë gjetjen e kësaj letre në këtë muze, por thotë se ky dokument është me mjaft vlera dhe tregon edhe një herë përpjekjet e mëdha për arsimin shqip dhe historinë e shkollës shqipe të Negovanit që përbën një moment të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip.
Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare. Në këtë letër lajmërohet se është hapur një mësonjëtore në gjuhën amtare dhe se qysh në nisje kjo mësonjëtore ka mbi dyzet nxënës djem e vajza, duke u shkëputur nga shkolla grekomane, e cila është hapur tre muaj para saj. Aty theksohet se ka një nevojë të madhe për libra që nuk gjenden në Manastir apo Follorinë. Më tej, në letër theksohet se nevoja për libra është e domosdoshme, pasi nxënësit janë shkëputur nga greqishtja. Në përfundim firmoset nga Pleqësia e Mësonjëtores Negovan, kryeplaku Sotir Kristo dhe Kryesonjës i Pleqësisë, Petro Nini Luarasi. Kjo letër mban edhe vulën e Pleqësisë së Mësonjëtores. Ajo dëshmon angazhimin e madh të patriotëve të kohës për mësimin e gjuhës shqipe në një zonë, ku mbizotëronte greqishtja. Letra është një dëshmi e qartë e saj dhe dokumenton faktin se vetë Petro Nini Luarasi e ka drejtuar këtë shkollë pas vrasjes së Papa Kristo Negovanit, deri në prag të Pavarësisë Kombëtare. Drejtues të muzeut e konsiderojnë një dokument të rëndësishëm dhe që është rastësi shumë e bukur që ndodhet pikërisht në Elbasan në një muze të vogël, por që ka dëshmuar edhe për praninë e shumë dokumenteve të tjera të rëndësishme.
Papa Kristo Negovani lindi në Negovan më 1873. Mbas mbarimit të shkollës fillore greke të fshatit, i ati Harallambi e regjistroi në Liceun e Athinës, pasi në atë kohë merrej me karvanët e tregtisë Athinë – Selanik – Follorinë. Mirëpo në vitin e fundit ai ndërpret mësimet, pasi babanë ia vranë kusarët gjatë një prite të karvanit, në këto rrethana fillon punën si mësues për shkollat greke Negovan, Ballkamen, Leskovec, Kotor. Fshati Negovan në atë kohë ishte shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara një qind për qind me shqiptarë dhe mësuesi, dhaskali Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para e të dyta të fillores në gjuhën shqipe.
Librat e Frashërllinjve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, që botoheshin në këtë shtypshkronjë, ndezën edhe më shumë ndjenjat patriotike të mësuesit Kristo. Ato tre vjet që punoi P. Kristoja në Rumani, ishin për të një shkollë e madhe që solli një ndryshim të thellë në ndërgjegjen e tij, pasi ato e bënë nga një njeri me arsim dhe edukatë greke, në një militant të shquar të lëvizjes patriotike. Ai krijoi edhe shkollën, që në atë kohë u vlerësua shumë nga rilindësit, pasi nuk ishte vetëm një institucion për arsimin në gjuhën shqipe, por ishte edhe si një vatër që ngrohu ndjenjat patriotike të bashkëfshatarëve për të gjithë trevën.
Në këtë shkollë që ishte mjaft e rëndësishme për t’u mbrojtur nga rreziku i asimilimit ka dhënë mësim dhe drejtuar edhe Petro Nini Luarasi. Para se të bëhej pjesë e kësaj shkolle, ai kishte emigruar në SHBA nga viti 1904 deri në vitin 1908, periudhë kjo kur ishte dhe një ndër nismëtarët e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut”. Ai gjithashtu punoi si drejtor dhe mësues në shkollën e parë shqipe në Korçë, të hapur nga motrat Qiriazi, ndërsa në periudhën 1909-1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit, e themeluar nga Papa Kristo Negovani.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk