HERMAN HESSE: Letër Këndonjësit
Kam shkrue shumë letra. Anipse sytë e mi ma me qejf do t’ia kushtojshem luleve, koteleve a këndimit të një poeti.
E vetë ke për me mësue se kur je i ri asht e nevojshme me ndërtue, tue kërkue e tue vuejtë. Ke për t’ndie nevojën me e marrë veten seriozisht. Ke me u mundue me e zotnue medoemos të vërtetën. Dhe të patunit e saj tekembramja s’ka me të hy në punë kurrqysh, sepse për çdo të vërtetë asht e vërtetë edhe e kundërta e vet. S’po kuptojke asgja, ê? …mos me kuptue ka me kenë shkasi me e marrë me të qeshun.
Ji i vetëdijshëm se jeta jote prej njeriu asht pikëspari nji rrugë drejt vetes sate, mos u rrek me kërkue tjera. Çdo njeri asht qendra e botës.
Meqë ra fjala…besoj asht koha me u paraqitë…më quejnë Herman Hesse. Kam lindur më 1877, në korrik. S’kam kalue fëmini të lumtun. Biles pata ble edhe një pistoletë e me shumë gjasa do ta kisha pasë përdorë po t’mos ish për hatrin e dashnisë së nanës sime. Pak e kam dashtë tim atë. Fort e kam dashtë time amë. Mirëpo tok i kam dashtë me njat lloj dashnie për të cilën bahemi me dijë veç kur asht tepër vonë.
Kam marrë çmimin Nobel për letërsi në vitin 1946. S’asht qenë ndër andrrat e mija. Me u ba shkrimtar, po.
Ti po ashtu duhet me e hetue andrrën tande dhe, jo fill, rruga jote ka m’u ba e kollajtë. Andrrat e dobishme janë ato që dita- ditës ua lanë vendin andrrave tjera.
Duhet t’bash provë me u ndalë, me çue kryet e me hapë krahët: duket marrí, po veç njerëzit n’dukje të marrë arrijnë me u marrosë. Pyete veten sa herë që njeh një vajzë, sa i zoti do ishe me e dashtë. Pyete veten a je i zoti me dashunue pa dëshirue, me dashtë pa zotnue. Sikur me tana sendet që humbasim rrugës të mujshim me ndërtue, na do t’kishim shtëpin ideale. Sikur tana herët që buzëqeshim të kishim dikend me na e kthye buzqeshjen, na do kishim gruen e përkryeme. Sikur tu hapte fjala se duert kanë ledhatimet. Sikur t’ishim të ndërgjegjshmëm se të fortë na jemi kajherë ashtu sikundër budallejt…Sikur mos ta shndrronim kohën në një sëmundje. Sikur ta përdorshim ate për me u shërue.
A don me të dëftue ndonjifarë sekreti për me qenë i jetës e i lumtunisë? Nuk ka bash të tillë. Ndoshta vullneti, vendosmënia dhe durimi kanë me të ndihmue. Nuk jemi n’gjndje me e ndryshue vet-vedin. Por jemi gjithë e ma të fortë sa ma shpejt që e njohim pushtetin e jetës, sa ma shumë që arrijmë me u pajtue me çka na rrethon.
Cilido që ndjek rrugën e vet asht një hero. Mos u merr me ata të cilët veç flasin per idealet e tyne të bukura pa luftue aspak për ta.
Mos e fshikullo mendjen, mos u msheh mbas miqasisë, e mos i len vend arrogancës. Prano gjanat që i ke sak për zemër. Mandej gjanat kanë me rrjedhë vetiu.
Gjanat që sheh s’janë po të njejtat që ke përmbrenda. S’egziston realitet pos atij që asht në ty.Mos i merr për t’qenuna imazhet e botës së jashtme, lene botën tande të flasi.
Mos kij màrre pse e urren vetëkënaqsinë, shëndetin e paqtë, optimizmin e dhjamun të teveqelave; disiplinën e begatë të njeriut mediokër, normal, dyzinal.
Unë gjatë tanë jëtës time kam patun nevojë për vetmi dhe veçim. Kam ndie parreshtur nevojën me dashtë e me zgjue ku mund dashuninë, sidomos në drejtim të miqve e kolegëve shkrimtarë. Kam qenë në tanësi, pavarësisht jetës time të mbyllun, një mik i mirë.
*Nga Blogu: matrapapupa.blogspot.com. Përkthye nga A. Cani.
Comments
Post a Comment