James G. Ballard: Ajo çka besoj


images (4)Besoj në fuqinë e imagjinatës me e rikrijue botën, me çlirue të vërtetën brenda nesh, me e zmbrapsë natën, me e tejkalue vdekjen, me magjepsë autostradat, me na stolisë neve me zogj, me fitue rrëfimet e të lafitunve.
Besoj në fiksimet e mia, në bukurinë e nji aksidenti automobilash, në paqen e nji pylli të fundosun, në ngazëllimin e plazhit të shkretuem për pushime, në elegancën e vorrezave të makinave, në misterin e parkingjeve shumkatshe, në poezinë e hoteleve të braktisuna.
Besoj në skelat e harrueme të Wake Island, që shenjojnë përpjetë kah Paqësorët e imagjinatës sonë.
Besoj në bukurinë e mistershme të Margaret Thatcher, në harkun e flegrave të saj dhe në shndritjen e buzës së saj të poshtme; në melankolinë e rezervistave të Argjentinës së plagosun; në buzëqeshjet e trembuna të personelit të pikës së karburantit; në andrrën teme për Margaret Thatcher të përkëdhelun nga ai ushtar i ri argjentinas në një motel të harruem vëzhgue prej një punëtori pike karburanti veremli.
Besoj në bukurinë e tana grave, në tradhtinë e imagjinatave të tyne, aq pranë zemrës sime; në mpleksjen e trupave të tyne të zgjandërrt me hekrat e magjepsuna prej kromi të banakëve të supermarketeve; në tolerancën e tyne të ngrohtë të perversiteteve të mia. Besoj në vdekjen e të nesërmes, në shterrjen e kohës, në kërkimin tonë për një kohë të re brenda buzëqeshjeve të kameriereve t’autostradave dhe në sytë e lodhun të kontrolluesve të trafikut ajror n’aeroportet jashtë-stine.
Besoj në organet gjenitale të burrave e grave të mëdha, në qëndrimet trupore të Ronald Reagan, Margaret Thatcher dhe Princeshës D, në erëkandet e amla që lëshojnë buzët e tyne teksa shohin kamerat e tanë botës. Besoj në çmenduninë, në vërtetësinë e të pashpjegueshmes, në gjykimin e shëndoshë të gurëve, në përhanien e luleve, në sëmundjen e mbartun për racën njerëzore nga astronautët e Apollo’s.
Besoj n’asgja.
Besoj në Max Ernst, Delvaux, Dali, Tiziano, Goya, Leonardo, Vermeer, de Chirico, Magritte, Redon, Dürer, Tanguy, Facteur Cheval, Kullat e Watts, Böcklin, Francis Bacon, dhe në tanë artistët e padukshëm brenda institucioneve psikiatrike të planetit. Besoj në pamundësinë e ekzistencës, në humorin e maleve, në absurditetin e elektromagnetizmit, në farsën e gjeometrisë, në mizorinë e aritmetikës, në qëllimet vrastare të logjikës.
Besoj në gratë adoleshente, në korruptimin prej vetëvendosjes së kambëve të tyne, në dlirësinë e trupave të tyne të ngatërruem, në gjurmat e pudentave të tyne të lana në banjot e moteleve të dala boje. Besoj në fluturimin, në bukurinë e flatrës, dhe në bukurinë e gjithçkaje që ka fluturue ndojherë, në gurin e hedhun prej një fëmije të vogël që mban me veti urtinë e burrave të shtetit dhe të mëndeshave.
Besoj në mosekzistencën e të shkuemes, në vdekjen e të ardhmes, dhe në mundësitë e pafundme të së tashmes. Besoj në çrregullimin e shqisave: në Rimbaud, William Burroughs, Huysmans, Genet, Celine, Swift, Defoe, Carroll, Coleridge, Kafka. Besoj në projektuesit e Piramidave, të Empire State Building, bunkerit të Führer-it në Berlin, skelat e hedhjes në Wake Island. Besoj në erën e kurmit të Princeshës D. Besoj në pesë minutat e ardhshme.
*Nga: matrapapupa.blogspot.com. Përktheu Astrit Cani
Mapo

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk