Louisa May Alcott, Pasioni për djemtë e rinj
Alda Bardhyli
Duart e tij ishin ende të njoma teksa i zgjati ngadalë drejt zonjës që e shihte me një vështrim që nuk e kishte ndier kurrë më parë. Ndodheshin në një lokal në Vevery, Zvicër, ku Louisa May Alcott, shkrimtarja e njohur amerikane kishte mbërritur për të bërë udhëtimin e saj të parë në Europë. Ajo duhet t’i kishte kaluar të 40-at, ndërsa ai sapo kishte mbushur 20 vjeç. Duart e tij e shtrënguan fort gruan që la filxhanin që kishte në dorë dhe u afrua pas tij. Gjatë Luftës Civile në SHBA, Louisa kishte punuar si infermiere, dhe, aty kishte ndier për herë të parë pasionin e saj për djemtë më të rinj se vetja. I pari që tërhoqi vëmendjen e saj ishte një djalosh polak, i cili vuante nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes që ishte ndoshta kërcënuese për jetën. Djaloshi ishte shakatar, tërheqës dhe aftësia e tij si një pianist ia tërhoqi zemrën. Pavarësisht pengesës së gjuhës ata krijuan një marrëdhënie të mbushur plot pasion. Disa vite më vonë në Paris, Louisa do të jetonte një tjetër lidhje dashurie. Qyteti i romancave do ta bënte atë më të guximshme për të dalë hapur me të dashurin e saj më të vogël rrugëve… pa pyetur për moshën e saj. Fustanet e saj me kopsa deri në fyt, dhe flokët e krehur me vijë në mes, herë të bëra gërshet kur ishte pranë të dashurit të saj, nuk ia tregonin asnjëherë moshën. Shpirti i kësaj gruaje e bënte atë të adhurueshme në sytë e tyre. Në ditarin e saj, Louisa tregon se nuk puthi asnjëherë një burrë më të madh se vetja. Ajo e kërkoi gjithnjë pasionin dhe lojën dashurore tek djemtë e rinj, duke mos pasur frikë se po shkelte në territore të rrezikshme… Alf Whitman ishte një tjetër dashuri e saj, të cilën ajo e bëri dhe personazh në librat që shkroi. Në një letër ajo i shkruan: “Të kam vendosur personazh në historinë që po shkruaj, si i dashuri më i mirë që unë kam pasur”. Jeta private e Louise Alcott ka qenë frymëzuese për biografët e saj. Ajo e jetoi atë ashtu si në librat që shkroi, krejtësisht e lirë. Ajo çfarë është interesante në kujtimet e lëna prej saj, është heshtja ndaj çasteve jo të mira në jetë. Ajo ka shkruar veç kohët e bukura, kohët kur e gjitha përfshihej nga mendimi për një djalosh, apo dashuritë për të. Letrat e saj drejtuar djemve që ka dashur, janë botuar në një libër pas vdekjes. Por cila është jeta e Louisa May Alcott? Ajo lindi më 29 nëntor 1832 dhe u nda nga jeta më 6 mars 1888. Bijë e dy prindërve të njohur të kohës, ajo u rrit në një ambient intelektualësh si Ralph Waldo Emerson, Nathaniel Hawthorne dhe Henry David Thoreau. Shumë shpejt, familja do të përballej me vështirësi financiare dhe Alcott do të detyrohej të punonte që në moshë më të hershme. Shkrimin e saj të parë letrar e shkroi në vitin 1860. Gjatë karrierës së saj si shkrimtare, ajo ka përdorur dhe pseudonimin A. M. Barnard. Në vitin 1860 ajo nisi të shkruante për “Atlantic Monthly”. Kur nisi Lufta Civile amerikane, ajo shërbeu si infermiere në një spital të Georgetown D.C për gjashtë javë. Letrat e saj drejtuar familjes gjatë kësaj periudhe i ka botuar më 1869-n. Në to dallohet vështrimi me detaje i ngjarjeve të ndryshme. Në to flitet për keqmenaxhimin e spitaleve, për indiferencën dhe pashpirtësinë e disa prej kirurgëve që ajo ka njohur. Trib, personazhi i saj në këto letra, është “një dëshmitar serioz” i ngjarjeve. Në vitin 1875, ajo botoi “Një histori moderne”, një roman i cili u pa me dyshim nga kritika e cila aludoi se mund të ishte shkruar nga Julian Hawthorne. Por suksesi i saj i vërtetë do të lindte menjëherë pas botimit të romanit “Gra të vogla” ose ashtu siç u quajt fillimisht “Meg, Jo, Beth dhe Amy (1868), një libër autobiografik ku flet për fëmijërinë e saj me të motrat në Concord, Massachusetts. Ky roman, i cili u prit mirë nga lexuesi, do të kthehej më pas në një sagë nga Alcott. Ajo vendosi ta shtjellonte më tej historinë mes motrave, pasi çdo lexues donte të dinte se çfarë ndodhte me jetën e këtyre personazheve pas fëmijërisë. Më 1869, ajo botoi pjesën e dytë të romanit të quajtur “Gra të mira”, ku flitet për marrëdhëniet e motrave me martesat e tyre. Në vitin 1871, Alcott botoi pjesën e tretë të këtij romani “Burra të vegjël” ku tregon jetën e bashkëshortëve të tyre. Në “Gra të vogla”, Alcott personifikon veten e saj me personazhin Jo. Por ndërsa Jo u martua në fund të historisë së saj në libër, Alcott nuk u martua asnjëherë gjatë jetës. Janë të shumtë autorët që ndikuan në formimin e saj si shkrimtare. Ndër autorët që lexoi qysh herët janë Plutarku, Shekspiri, Dante, Gëte, Shileri, Sharlotë Bronte, Xhorxh Sand, etj. Këta autorë ushqyen imagjinatën e saj drejt një letërsie krejt ndryshe nga ajo e kohës. Ajo i quante këta autorë në ditarin e saj në rininë e hershme si “familja e saj patetike”. Një personazh që do të mbështeste dëshirat e saj për letërsinë do të ishte dhe Theodore Parker. Intelektuali dhe shkrimtari i njohur do ta orientonte vajzën drejt botës së madhe të dijes, duke e bërë të ndihet e sigurt. Në ditarin e saj ajo shkruan: “Sa herë ndihem jo mirë, shkoj tek Parker. Ai më bën të ndihem mirë. Të dielave në mbrëmje shkoj në shtëpinë e tij, ku jam takuar me burra të tjerë të mëdhenj, të cilët i kam shijuar përmes fjalëve”. Alcott, bashkë me femra të tjera si Elizabet Stodard, Rebeca Harding Davis, Ane Moncurevic etj., kanë meritën që mbështetën të parat çështje të ndjeshme të grave, përmes letërsisë që shkruan. Louise u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare, duke lënë pas disa dorëshkrime si dhe ditarë, të cilët më pas u botuan nga familja. Më i njohuri prej tyre është libri “Djemtë e mi”, një autobiografi e autores ku tregohen lidhjet e saj dashurore.
Comments
Post a Comment