Ndahet nga jeta në moshën 94-vjeçare senatori i përjetshëm i Italisë, Xhulio Andreoti
Nga Qamil Xhani
“Çfarë dua si epitaf? Datën e lindjes, datën e vdekjes, kaq. Fjalët në epitaf janë të gjitha njëlloj. Kur i lexon, dikush mund të pyes: Kur qenkan të gjithë kaq të mirë, ku janë varrezat e të këqijve?”. Xhulio Andreoti i përgjigjej kështu, pak kohë më parë, dikujt që pyeste sesi do të donte të mbahej mend. Dikush mund të thotë se kjo përgjigje është ironike, cinike, makiavelizëm, por ka brenda saj edhe sensin e dikujt që e dinte se çfarë ishte shteti. Andreoti u ndaj nga jeta dje në moshën 94 vjeçare, pas disa komplikacioneve shëndetësore. Në datën 3 maj ai u shtrua në spital për shkak të probleme me frymëmarrjen. Për shkak të gjendjes së rëndë, familja vendosi që ta mbante në shtëpi gjatë orëve të fundit të jetës. Të flasësh për Xhulio Andreotin është njëlloj si të flasësh për Italinë. Jeta e tij është e lidhur ngushtë me republikën e vendit fqinj. Për 60 vite është njeriu që mori pjesë në momentet më të veçanta të shtetit. Historia e tij është ka dritë hijet e saj. Jo vetëm si njeri i suksesshëm, por edhe si politikan që ka mbajtur mbi supe akuzat më të rënda për filtrimit e politikës me mafien dhe akuzën për korrupsion. Por çfarë mund të presësh tjetër, ai është një politikan që e kaloi karrierën e tij mes dy Luftërave Botërore, pa të ndërroheshin 7 papë, pa të rrëzohej monarkia, fashizmi, Republika e I dhe e II dhe ju desh të përballej me 7 procese për lidhje me mafien.
Por pavarësisht të gjithave, Andreoti është një personazh që
ka lënë gjurmë në demokracinë Italiane. I zgjedhur senator i përjetshëm, ai
ishte në krye të lëvizjeve më të rëndësishme politike italiane. Ka qenë 6 herë Kryeministër,
tetë herë Ministër i Mbrojtjes, pesë herë Ministër i Jashtëm, Ministër i
Thesarit dhe i Brendshëm. Firma e tij ndodhet në Traktatin e Mastrihtit, që i
dha rrugë përkrahjes së Italisë për Bashkimin Europian. E thënë thjeshtë, një
peshë e rëndë e politikës italiane që u dha ngjyrë e tij politike shumë
ngjarjeve në vendin fqinj. Andreoti ka lindur në 14 janar të vitit 1919 në Romë.
Në të njëjtin vit që fashizmi nisi të dominonte mendimin ekstrem politik në
Itali. Në rininë e tij do të njihej me ideologun dhe politikanin e madh
italian, Alice De Gasperi dhe do të bëhej sekretar tij në krijimin e Partisë
Demokristiane. Vitet e rinisë së tij do t’i përmbledh më mirë gazetari i madh
Indro Montanelli. “Kur shkoja në kishë me De Gasperin, De Gasperi fliste me
Zotin, ndërsa Andreoti fliste me priftin”. Në moshën 28 vjeçare Andreoti bëhet
zëvendësekretar i Këshillit të Ministrave. Që nga viti 1945 që qenë pjesëtar i
të gjitha legjislaturave të Parlamentit Italianë. Ndërsa në vitin 1991, u
zgjodh senator i përjetshëm, një titull që pak politikanë italiane kanë arritur
të marrin. Në vitin 1954, pas shumë debatesh bëtë Ministër i Jashtëm dhe merr
poste drejtues në Partinë Demokristiane. Që nga ajo kohë do të mbetet në postet
më kyçe të qeverisë të djathtë italiane. Në vitin 1972 merr detyrën e parë si
Kryeministër i qeverisë, por pas 7 ditësh qeveria bie. Do t’i duhen 9 vite për
t’u kthyer në postin e kreut të kabinetit qeveritar, por kthimi i tij nuk do të
jetë më si i pari. Ai do të arrijë të jetë mjeshtri i koalicioneve politike, i
marrëveshjeve me kundërshtarët e dikurshëm, por edhe predikues i një politike
ndryshe në Itali.
Ajo që italianët vlerësojnë më shumë në karrierën e tij
ishte stili politik. Nuk ishte një politikan i spektakleve, por njeri i
moderuar që e shihte politikën si mjet dhe jo qëllim. Ai u martua vetëm një
herë me bashkudhëtaren e jetës së tij, Livia me të cilën pati 4 fëmijë. Të
gjithë fëmijët qëndruan larg aktivitetit politik dhe pëlqyen një jetë pa
zhurmë. Gruas i premtoi se do të largohej nga politika në moshën 61 vjeçare.
Por 31 vite pas “skadimit” të premtimit ai ishte ende aty, gjithmonë duke dhënë
mendimin e tij, apo duke sugjeruar për zgjidhjen e problemeve. Tek e fundit, ai
mbetej një “histori” e gjallë e politikës italiane. Është folur shumë për
sekretet e tij. mendohet se ka një arkiv prej 3500 dosjes që brenda momente
pikante të historisë së politikës italiane. Dokumente që janë ruajtur me
fanatizëm nga Andreoti që nga viti 1944. Por këto sekrete ai tha se do të
merrte me vete. “Jetën e shtetit e njoh pak nga brenda. Di se çfarë ka ndodhur.
Por sekretet i mbaj për vete. Nuk do të shkruaja kurrë një libër për disa
episode që kanë ndodhur. Nuk e shoh politikën si folklor”,- thoshte pak kohë më
parë Andreoti, i pyetur për kujtimet e tij. Jo më kot mediet në Itali e
cilësonin si “kasaforta” e Republikës Italiane.
Comments
Post a Comment