PËRPLASJA E GJENIVE - Amadeus

Përshtypje nga shfaqja “Amadeus” të autorit Peter Schaffer, vënë në skenë nga Teatri Kombëtar me regji të Altin Bashës.

Rrallë më ka ndodhur të ndjek një shfaqje ku ndërthuren aq bukur ideja e autorit të dramës, ideja dhe koncepti regjisorial, loja homogjene dhe tejet plastike e aktorëve, varësisht karaktereve që paraqesin, por edhe më e qenësishmja – korrespondimet që ka një shfaqje sa me kontradiktat e kohës, po aq edhe universalitetin e luftës së pashpallur: talent, dije, punë, përkushtim me antipodet e tyre.
Këto ka shfaqja “Amadeus” e Bashës!
Çdo mendje e shëndoshë e di “fatin” e dy gjenive që përplasen në dramën “Amadeus”, i di kundërthëniet, po aq sa shkakun dhe pasojat.
Në njërën anë kemi “gjeniun” Salier, sinonimin e mediokrit dhe burokratit, xhelozit dhe manierit e artificit deri në marrëzi, ndërsa përballë tij gjeniun Moxart, po, GJENIUN e artit, të muzikës, të kompozimit e virtuozin deri në përmasa hyjnore të lojës me instrumentin e krijuar nga Zoti, siç duket enkas për të – pianos!
Kjo përplasje e gjenive arrihet të zbërthehet pikë për pikë dhe s’ka se si më mirë, edhe pse arti i skenës, si çdo art tjetër synon absoluten, por shi, ABSOLUTJA na doli përpara, pikërisht me këtë lojë të aktorëve të Teatrit Kombëtar, lojë sa e disiplinuar po aq edhe e ikonizuar, lehtësisht e identifikueshme, le ta themi kështu, në secilin karakter. Në një shfaqje ku nuk ka kryerol, sepse reminishencat i kanë dhënë secilit peshën që kishte, ka dhe do të ketë në kundërthëniet e secilës kohë me talentet, ushqyesit dhe përhapësit e artit të magjishëm, idealit të tyre dhe penguesve të shpërthimeve ingjeniale që dënohen edhe me poren më elementare jetësore: ekzistencën! E lidhur si mishi me kockën me shpërthimin e mrekullisë së talentit! Por, fati dhe fatkeqësia janë simbioza, bashkëjetesa, lufta e përhershme mes së mirës dhe së keqes, mes dhuntisë dhe paaftësisë, mes shkëlqimit skenik dhe sfilitjes për ta ushqyer sadopak jetëgjatësinë e artistit! Patjetër që shfaqja, me skepsën, a thua, ka arritur të thotë, të shpalosë me gjuhën dhe mjetet që ka teatri, loja skenike, in vivo, për rreth dy orë e pak minuta, gjithë atë mozaik, apo ato reminishenca që “gjuha” e filmit homonim për diçka më pak se tri orë (film ky i Milosh Formanit me skenar të autorit të dramës, anglezit Peter Scheffer, vlerësuar me mbi 40 çmime të larta botërore, prej të cilave shkoqisim 8 çmimet “Oscar” të Akademisë Amerikane të Filmit) të parë e riparë jo pak herë, që nga viti 1984, e ka pasur të lehtë t’i arrijë, pra t’i realizojë me përpikëri koncepti regjisorial i Altin Bashës, në një anë dhe bartësit e shfaqjes: aktorët, skena, kostumet, muzika në anën tjetër e kësaj shfaqjeje tek na bindën se edhe më e paarritshmja edhe mund të arrihet! Vërtet, shfaqje brilante!
Një përsëritje alla shqiptare e shkëlqimit të “Amadeus” në skenën teatrore si në Londër (1979), po ashtu edhe në Broduej (1980) e gjetiu…Altin Bashën e kam ndjekur, fat imi do thosha, në disa shfaqje, madje kisha shkruar, ndër të tjera edhe për “Allegretto Albania”, i bindur se ka ekspresivitetin e paparë në skenën shqipe, gjë që u vërtetua me sukseset që arriti më vonë në një festival prestigjioz europian, sepse Çmimi i Kritikës i Bienales teatrore të Visbadenit dhe Maincit (qershor 2010) sa ishte, për mua, i pritshëm dhe meritor është edhe vlerësimi më i mirë që mund t’i jepet një regjisori, një shfaqjeje, një loje të arrirë në përmasa ndërkombëtare.
A thua fati i realizimit të përsosur skenik, fati i shfaqjes pra, t’i shëmbëllejë nganjëherë edhe fatit të gjeniut Moxart? Përkimet sa janë hamendësime, po aq edhe janë realitet. Kjo shfaqje meriton të trandë gjithë publikun e metropoleve që nga Vjena (ah Vjena!) e deri te Roma, Parisi, Berlini, Londra… po, besoj se ai tejatlantik do mrekullohej, sepse stili “aksion” me ndërhyrjet, “amputimet”, regjisoriale, në kohë dhe hapësirë janë alfa dhe omega e industrisë filmike e teatrore amerikane. Kjo shfaqje duhet të kalojë Atlantikun, sepse është krenaria dhe arritja e madhe e skenës shqiptare!
Mozaiku i përplasjes së gjenive Salier e Moxart, përplasjes së artit dhe kundërartit, injorancës, mediokritetit e dhuntisë (talentit) jepet me një gradacion, shpalosje sa vizuale që nga skena e parë, kori i eminencave “zi”, “gri”, “hije” me klithmën sa pëshpërimë, po aq kumbuese: “Salier, Salier, Salier… Vrasës… vrasës… vrasës”!
Po, gjeniu i marrëzisë, kleptomani Salier vrau gjeniun e së bukurës, dhuntisë, elegancës, përse të mos e themi pa e tepruar, deri në naivitet. Sepse ata që kanë dhuntinë hyjnore edhe janë naivë, meqenëse janë plot! Por… ekzistenca, kjo murtajë e gjithëkohshme fshikullon gjithçka, dhe pamëshirshëm, siç ndodhi edhe me gjeniun Moxart, i cili ishte në dorën e përfaqësuesit të së keqes në Tokë.
Ndaj, shfaqja fiton konotacione e shumëkuptimësi edhe për kohën tonë, “ikjen” e pamëshirshme të trurit pikërisht për shkak të konkurrencës, por edhe ekzistencës! Artisti ka nevoja të shumta, por më elementarja është të mos vuajë për dy-tri më qenësoret: bukë, qira e ngrohje, letër e bojë…
Kam ndjekur në hollësi, si gjuajtës i informacionit që jam, vlerësimet e shtypit (medias), shkrimin e bukur të Dhimitër Gjokës dhe mendime të sinqerta miqsh, shikuesish e adhuruesish të sinqertë shfaqur e reflektuar deri tek rrjetet sociale për “shijen” regjisoriale në përzgjedhjen e aktorëve për rolet që do t’u besohen.
Fatos Sela ka dhënë një krijim antologjik, përmasash aristoteliane. Aq i mishëruar në rol, herë-herë do ndiesh keqardhje për gjithë atë “përpjekje” të të rrëfyerit të egos (unit) të tij përballë Moxartit, i cili aq bukur e bindshëm i fle Marin Orhanasit.
Marin Orhanasi – Marin Moxarti (le të më jepet e drejta ta quaj kështu) është për dy orë të plota vetë gjeniu. Na entuziazmon pafundësisht, por edhe na pikëllon, me lot madje, me bëmat, rrëshqitjet, ëndërrimet dhe pësimet përpëlitëse. Artisti nuk interesohet kurrë për prapaskenat. Ai është plot në gjenialitetin e tij, nuk krekoset kurrën e kurrës dhe jep edhe kur nuk i jepet!
Ndaj fiton pushteti i salierëve të kudondodhshëm.
Loja, në tërësinë e saj profesionalisht e arrirë në çdo segment (skenë), të kujton ritualin e përsosur, si lëvizjet e balerinëve që thyejnë ligjet e gravitetit. Një unison rrallë i parë në skenën shqipe!
Pikërisht e tillë është shfaqja “Amadeus” e Teatrit Kombëtar të Tiranë, siç është e tillë loja e aktorëve, meqenëse jemi në kuadër të muzikës dhe kompozimit – me dirigjentin Altin Basha. Sepse është plotënia skenike, mbushulluese deri në skajshmëri ajo që iu dhurua publikut prishtinas me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Dhuratë arti për t’u shkruar me Shkronja të Arta!
Një shfaqje që funksionon si ajo ora zvicerane, edhe pse në një epokë dixhitale, prapë ndërthurja e klasikes me modernen japin kulmin e përjetimit artistik.
Shoqëria, njerëzimi, po, ecin përpara, qoftë në aspektin teknologjik, qoftë të mirëqenies, por në të vërtetë, raportet mes dijes dhe mosdijes, injorancës dhe gjenialitetit, dhuntisë, lakmisë e kleptomanisë, vesit dhe virtytit janë po ato të zbërthyera që nga Teofrasti e Aristoteli e që gjëllijnë edhe sot.
Së këndejmi, përplasja e gjenive, secili në terrenin apo tokën e vet, si e Salierit, si e Moxartit duhet identifikuar në vazhdën e përpjekjeve të humanizimit të racës njerëzore përkundrejt dehumanizimit, shpalosur bindshëm, bukur, qartë në “Amadeus”!
Po, ky është teatri, loja magjike skenike, qoftë e amfiteatrove të dikurshëm, qoftë e skenave të sotme me aq mundësi e përparësi teknologjike, të cilat regjisori Basha i inkorporon mjeshtërisht.
Në fund, s’ka sesi të mos vlerësohen lart për kontributin e dhënë që nga bartësit e kryeroleve, Salierin e Fatos Selës, Moxartin e Marin Orhanasit, secili në botën dhe në forcën e gjenisë së tyre, Konstancën e shkëlqyer të Eni Janit, edhe pse e brishtë dhe “viktimë” e kapriçiove mondane, Venticellon 1 dhe 2 të Romir Zallës dhe Gazmend Pajës, aq të arsyeshëm e plastik në rolet e tyre, por edhe të kudondodhshëm e simpatikë, Jozefin II të Gjergj Menës, autoritar, elegant dhe ekspresiv, Van Suiten e Ahmet Pashës tejet plastik, Rozenbergun e Vangjel Toçes, një karakter i shpalosur po aq bukur, Van Strakun e Merkur Bozgos e kështu me radhë deri tek të gjithë pjesëtarët e tjerë të “Amadeus”, për asnjë çast në hijen e kryeroleve, sepse loja homogjene, edhe pse arti është krejtësisht individual, megjithatë format shprehëse si teatri ka të veçantën e vet për t’u përmbushur me plotëninë e roleve dhe karaktereve. Një bashkim ekzemplar ky, unison apo ansambël rolesh e karakteresh.
E tërë kjo lojë pa dyshim është fryt jo vetëm i magjistarit të regjisë skenike Altin Basha, po aq sa e asistentregjisorit Andon Koço, përzgjedhësi i muzikës, Endri Sina dhe të mjeshtres së skenës dhe kostumeve të Iliriana Loxha – Bashës, e cila solli apo zhvendosi shkëlqimin, le ta themi më saktë, ekstremet e një kohe në një kohë. Një mesazh që dyzohet me orën gjigande në sfond dhe me dy gjenitë që janë të “dënuar” të jetojnë në një kohë! Dje… dhe…
Në kohën tonë!
Me këtë lojë, interpretim, realizim skenik teatri ynë bart më tutje misionin që ka në shoqëri, jo vetëm për “imitimin” apo “eksplikimin” e thjeshtë të fateve njerëzore, të djeshme e të sotme, por edhe për të domosdoshmen katarsë shpirtërore se vërtet arti është jetëgjatë, sa universi, por jeta e shkurtër dhe ajo nuk duhet dhunuar e mohuar siç ndodh në përplasjen e gjenive Salier e Moxart.
Një lojë e tillë harmonike teatrore i duhet gjatë publikut të kudondodhshëm shqiptar, por edhe t’i tregohet botës për arritjet tona, pjesë e trashëgimisë së përbotshme. Sepse, edhe unë si një shikues e (ri)përjetova gjithë atë shkëlqim e tmerr, siç do të thoshte aktori ynë (kërkoj falje për pamodestinë time: dhe miku im!) i madh i skenës dhe i filmit, Bekim Fehmiu!

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk