Britma që çliron njeriun prej vetvetes



Nga Albert Vataj
Kur veten e lëmë të përzihet në shtjellën e pasioneve të unit, pjesë prej saj copëzohen, ndërsa ajo përpihet e tëra në këtë lëndë të errët e kudërbuese. Sakaq e gjejmë pjesë prej nesh të hedhur në një humbëtirë, trajtash dhe ngjyresash të përçudme. Hetojmë se pakgjë ka mbetur ndër ne, si kreatur mishi dhe shpirti. Anipse një yshtje na zbon me ngulm për të davaritur këtë realitet absurd, pakgjë pranon të bindet në rrugën e kthimit.  Pendesa, si një vetëdije e epërme e virtytit, nis e na gërryen. Rrëzohemi nën peshën e rëndë që kemi hedhur mbi supe. Hiqemi zvarrë. Ngulim gjunjtë në dyshemenë e pamundësisë dhe altaret na shpërbehen, duke rikthyer pamundësinë për të besuar në diçka që thërret së brendshmi për ndihmë. Vetvetja na bëhet gjithnjë e më e huaj në këtë grumbull mishi dhe balte që na është ngjitur nga pas dhe na përndjek si një hije. Provojmë të ngrihemi, por përbrenda një bosh i thellë na rëndon. Sakaq ngasemi të përshkohemi prej një britme, si prej një vullnese për besim, përmasat e së cilës gjasen të kapërthejnë gjithë perimetrin e dritshikimit të pamjes, në thellësi dhe gjerësi. Nevoja për të matur hovin e dalldisë sonë, që na buron së brendshmi, me eterin që gjallon nëpër ngulme dhe ethet e ngjitjes te Hyu, mbetet një akt mbinjeriu. Sakaq, në qasjen për ta mbështetur këtë ngulm në përfytyrime, rrëmojmë në përvoja dhe kumte.  Kësisoj është “Britma” e Edvard Munch, ajo e cila na formëzohet si një britmë nga më ngjethëset e pikturës, dhe njiherash një nga britmat që vazhdon të tkurrë pëlhurën e shakadame të pafundësisë, duke e kthyer atë në një grusht trishtimi. Britma e sejcilit prej nesh i ngjan kësaj britme. Edhe vetë heshtja, pas hekurave të së cilës gjejmë të kyçur vullnetet tona të njeriut të lirë, çliron një të tillë britmë. Është ajo, britma, e cila mëton forcën e shkarkesës së asaj brendie boshe që duke na përzënë me honin e vet, ngulmon të na rikthejë prej rrugës së arratisë forcën e pasioneve që mban veten tonë në kallepin e shtatores që parakalon.  Me sa hon brenda nesh ka strukur mëdyshja e gjanave të nalta, i’a japim britmës. Me forcë, me forcë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk