IVAN BUNIN -Smerald
- Get link
- X
- Other Apps
Bluja e errët e qiellit të natës në qetësinë pluskuese të reve,
gjithkah të bardha, ndërsa përqark hënës – të kaltëreme. Përqëndrohesh
dhe – as retë lëvizin – as hëna lundron, por bri saj, bashkë me të pikon
loti i artë i një ylli: hëna lundron prajshëm lartësish të paskaja dhe e
merr me vete gjithë e më lart këtë yll.
Ajo shtrihet brinjazi në pezulin e çelur të dritares: me kryet anuar
këqyr lart – koka i endet rrotull nga lëvizja e qiellit. Ai qëndron në
gjunjët e saj.
- Çfarë ngjyre është kjo? Nuk mund ta përcaktoj dot! Po ju, Tolja, mundeni?
- Për çfarë ngjyre, Kisa?
- Mos më thërrisni më kështu, njëqind herë ju kam thënë. . .
- Si urdhëroni, Ksenia Andrejeva.
- E kam fjalën për këtë qiell ndërmjet resh. Çfarë ngjyre mahnitëse!
Dhe e tmerrshme dhe magjepsëse. Me të vërtetë qiellore, se në tokë të
tillë nuk ka. Thuajse smerald.
- Përderisa është në qiell,
sigurisht që qiellore është. Vetëmse smerald ç’ne? Dhe ç’do të thotë
smerald? Kurrë gjallë s’më kanë zënë sytë smerald. Juve, thjesht, ju
pëlqen kjo fjalë.
- Po. Nuk di si të them, - ndofta nuk është
smerald, por rubin. . . Porse vërtet i tillë, që vetëm në parajsë e
gjen, engjëjt, fron perëndish. . .
- Dhe dardha majë plepit. . .
- Uf, sa cinik që je, Tolja. Mirë e ka Maria Sergejevna, kur thotë se edhe çupa më budallaqe është më e mirë se një djalë.
- Vetë e vërtetë gurgullon në buzët e saj, Kisa.
Ajo është veshur me një fustan pikëlor basmaje, këpucë fare të lira;
pulpët dhe gjunjët e saj janë të plota, vajzërore, koka e saj e
rrumbullt me një gërshet të hedhur prapa aq lezeçëm. . . Ai vë dorën mbi
gjunjët e saj, tjetrën ia hedh përqafe dhe si me shaka e puth në buzët
gjysmë të hapura. Ajo çlirohet ngadalë, ia largon dorën nga gjunjët.
- Ç’pate? U fyeve?
Ajo ngjesh zverkun pas shtalkës së dritares dhe ai, dallon se si ajo duke kafshuar buzën, përmban lotët.
- Po ç’keni pra kështu?
- Oh, lermëni të qetë. . .
- Por çfarë pra ndodhi?
Ajo pëshpërin:
- Asgjë. . .
Dhe teksa kërcen nga parvazi, lëshohet me vrap.
Ai ngre supet:
- Budallaçkë gjer në shenjtëri!
Përktheu nga origjinali: Agron Tufa
- Get link
- X
- Other Apps
Comments
Post a Comment