Gjergj Leka: Muzika tallava në plazh, dëmton nervat e pushuesit




Intervistoi: Yllka Selita
Për herën e parë në Shqipëri,organizohet një projekt artistik e kulturor dedikuar konkretisht familjeve shqiptare e të huaja gjatë muajve të pushimeve në bregdetin shqiptar. Kantautori Gjergj Leka dhe stafi i tij në bashkëpunim me një resort në qytetin bregdetar të Vlorës, janë ideatorët e këtij projekti origjinal. FAMILY PROJECT ka për qellim edukimin muzikor-artistik të fëmijëve si dhe të rriturve gjatë qëndrimit në zonat turistike shqiptare, në një intervistë për suplementin “Summer Time” Gjergji tregon disa hollësira në lidhje me këtë projekt dhe me krijimtarinë e tij si kantautor.
Si lindi ideja e këtij projekti?
Ideja e projektit lindi natyrshëm duke parë përpjekjet e mëdha që po bëhen në Shqipëri nga shteti dhe subjektet private për zhvillimin e turizmit në vend. Edhe pse kohët e fundit strukturat turistike janë përmirësuar, sidomos në jug, mungojnë shërbimet ndihmëse të domosdoshme në këto struktura. Një nga këto shërbime dedikuar pushuesit shqiptar e të huaj është edhe organizimi i kohës ditore me art, kulturë e muzikë. Deri tani në përgjithësi, kudo organizohen thjesht mbrëmje muzikore shumë herë të zhurmshme dhe pa nivel. Këto lloj eventesh më shumë dëmtojnë kulturën shqiptare e sidomos zhurma e krijuar nga muzika tallava në plazh, dëmton edhe nervat e pushuesit.
E gjitha kjo është me pagese apo falas?
Kjo është edhe pyetja më interesante....çdo shërbim për pushuesin shqiptar e të huaj do të jetë falas! Kuptohet, që pushuesit do të kontaktojnë zyrën e eventeve në resorin që na ka mirëpritur, për oraret si dhe në rrjetet sociale çdo ditë, do të kenë mundësinë të prenotojnë online. Përgatitja artistike, regjistrimet muzikore, argëtimi buzë detit si dhe eventet artistike do të ofrohen gratis për të gjithë. Te them të drejtën, ky projekt nuk do të realizohet në qoftë se nuk do të kishim mbështetjen logjistike dhe ekonomike të resorit në Vlorë që na ka mundësuar këtë projekt, sidomos të administratorit të saj, zotit Astrit Birce. Mendoj se ky fakt duhet të shërbejë si shembull edhe për të gjithë resortet e tjera turistike si dhe për strukturat shtetërore që merren me promovimin e turizmit shqiptar.
Çfarë vlerash përcjell ky projekt?
“Family project , mendoj se nga vetë emri që mban kuptohet qëllimi i tij: Familja. Jam i sigurt që këtë projekt do ta organizojnë shumë resorte të tjera turistike më pas. Mos harrojmë se duke qenë një projekt pilot, këtë sezon do të ofrohet gratis për pushuesit. Mendoj se duke filluar nga sezoni i ardhshëm duhet venë një pagesë minimale për këto shërbime te vlefshme për pushuesin, kështu do të kemi mundësinë të shtojmë edhe stafin tonë me elemente të tjerë, gjithmonë në shërbim të familjeve shqiptare e të huaja.

Sa do të zgjasë ky projekt?
Projekti do të zgjasë nga data 1 korrik deri në 15 shtator.

Po ju si artist çfarë përfitoni nga ky projekt?
Në radhë të parë, unë dhe stafi im përfitojmë talente të reja që gjithmonë na duhen për aktivitetet tona, si dhe një pagesë që na mundëson qëndrimin dhe aktivitetin. Pastaj,e dimë shumë mirë sa janë kostot e përgatitjes dhe prodhimit muzikor në studiot shqiptare, kur vetëm realizimi i një kënge arrin deri në 2.000 euro! Mjafton që këto tarifa të hiqen dhe jam i bindur që shumë talente të reja shqiptare do të afrohen për prodhimet e tyre diskografike dhe të përgatiten artistikisht për daljen e tyre në skenë.

Kjo do të thotë se ju për gati dy muaj e gjysmë do të shpërnguleni në Vlorë?
E ku ka më bukur? A durohet Tirana në verë??


A ka kritere përzgjedhëse për ata të rinj apo fëmijë që do të bëhen pjesë e këtij projekti?
Kushdo mund të marrë pjesë. Në promot tona kemi publikuar sloganin, nga 10 deri 100 vjeç...
Mendoni se do të ketë një gjithpërfshirje në këto aktivitete apo gjithsesi do të ketë rezerva nga prindërit për t’i lejuar fëmijët e tyre?
Rezerva? Absolutisht jo, sepse projekti nuk i dedikohet vetëm fëmijëve por gjithë familjes. Mendoni pak sa prindër kanë patur dëshirën të bëhen artistë dikur, e nuk i është dhënë mundësia, qoftë për çmimet e larta, ose edhe për dyshimet e destinacionit në jetën e tyre...
Për sa kohë mendoni se do të jenë gati për të interpretuar në skenë, duke marrë parasysh se mund të jenë aty për periudha të shkurtra kohore?
Për fëmijët, përgatitja muzikore nuk ka qellim në vetvete interpretimin në skene, por në radhë të parë, prindërit të dinë a ka talent apo jo fëmija, dhe përgatitja artistike e muzikore të shërbejë edhe për ti ofruar familjes një shërbim shumë të vlefshëm kulturor dhe argëtues gjatë qëndrimit, qoftë edhe të shkurtër.
Ndërkaq a do të kemi një këngë apo klip tuajin ,por këtë herë ju si kantautor?
Shumë shpejt do të dali klipi i ri. Kësaj radhe kam diçka që më prek direkt. Para pak ditësh u shua në Trieste, babai im Kostandin Leka, i cili ka qenë frymëzimi dhe idhulli im gjatë gjithë jetës e karrierës sime. Këtë këngë të klipit ia dedikoj vetëm atij...







Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk