Sabri Godo, dishepulli i vullnesës së mirë
Nga Albert Vataj
Politika shqiptare ka mbartur përgjatë krejt kohështrirjes së
saj një nevojë për t’u çliruar nga verigat e paranojës së pushtetit që dha
shpirt nën rrënoja e shtatores së diktatorit. Ajo është zvarrur ligësht në
batakun e të pamundurës, për t’u ngritur nga nënshtrimi i gjymtimit që trashëgoi
nga e shkuara. Kësokohe, më shumë se për gjithçka kishte nevojë për një dorë të
paqtë që palohej mbi shfrimin, dalldinë, tërratisjen dhe nervat e tendosura, luftën
verbale e krismat e territ të amokut. Me mençurinë dhe urtësinë që e
karakterizonte, bëh ai, Sabri Godo, “burri i urtë”, shkëndija që qasej të ndërmjetej
shoshitës mes tërsëllimave dhe batërdisë retorike të politikës.
Ai kishte gjithnjë
diçka për të thënë, në momentin e duhur, në kohën e duhur. Fjala e tij e paqtë
dhe arsyetimi i urtë, mundte të çante pa droje mes përmes terrin, si një shkëndi
drite ngadhnjimtare dhe të flakadante si një moment shprese, ngulm maturimi. Rrekej
dorzan shanseve për një cak ku palët të mund të shiheshin sy më sy, pa u ndjerë
të kërcënuar prej shoji-shojt. Përherë maturia e tij prej dieshepulli dhe shëlbyesi,
shpërfaqej në botën e hijnave të politikes shqiptare si një vullnesë e mirë, si
një motivim.
Politika shqiptare i është mirënjohës rolit dhe ndikimit
pozitiv që mishëroi përgjatë gjithë rrugëtimit të vet Sabri Godo. Plaga lënguese
e dakordësisë dhe njimendjes, domosdo do të kishin fjalën e tij të matur dhe me
vend, si një prekje shëruese, ballsam që paqtonte lëngimin, e qasej të mbante në
jetë besimin tek politikbërja e marrjes vesh ndë vedi.
Shkas mirënjohje
85 vite më parë, lindi Sabri Godo, figura emblematike e
politikës postkomuniste, i urti i kohës së nervave cingëritëse, intolerancës
dhe arbitraritetit politikzbatues shqiptarë. Rrugëtimi 82-vjeçar, deri të shtunën
e 3 dhjetorit 2011, kur një sëmundje mushkërishë i mori jetën, ishte si
krejtkush tjetër që sendërtoi dimensionin e vet, në një botë kundërshtishë, përplasjesh
dhe transformimesh të stuhishme. Godo konsiderohet si një nga figurat dhe
personazhet më të rëndësishëm të politikës shqiptare të 20 viteve pasdiktatoriale.
Ai ishte një ndër politikanët më të njohur në Shqipëri, njiherash
shkrimtar dhe skenarist. Sabri Godo lindi
në Delvinë më 8 gusht 1929, sot 85 vite më parë. Mbas shkollimit fillor në vendlindje,
Godo kaplon Tiranën për arsimimin e mesëm, të cilën është i detyruar ta ndërpresë
në vitin e tretë, për shkak të angazhimit në formacionet e luftës Antifashiste
Nacinalçlirimtare, gjatë periudhës 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945.
Përndjekja do ta detyrojë Sabri Godon të lërë Shqipërinë së
bashku me nënën, për t’u kthyer me një mision, të cilin do ta bënte si pakkush
tjetër në politikën shqiptare.
Veprimtaria piblicistike e Godos njihet për një vërshim të
vrullshëm dhe plot temp. Tematika gjithashtu është e larmishme dhe kumti
krijues, e pozicionon atë në rendin e përsonaliteteve të njimendta kombëtare.
Shënjohet për një aktivitet të ngjeshur në publicistike, veçanërisht në revistën
"Hosteni", ku mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike mbajnë
autorësinë e tij.
Në janar të vitit 1991 është Sabri Godo, i cili do të themeloi
Partinë Republikane të Shqipërisë, të cilen ai e drejtoi për shtatë vite me
radhë deri në të shuar të jetës si kryetar i Asamblesë Kombëtare të kësaj
partie. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka
ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të
Politikës së Jashtme, si dhe ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh për sa i
përket hartimit të Kushtetutës së Shqipërisë.
Ndër veprat e tij artistike përmenden romanet dhe tregimet e
tilla si: "Plaku i Butkës", Roman historik (1966); “Ali Pashë
Tepelena”, roman 1970, “Zëra nga burime të nxehta”, tregime (1972);
"Intendenti", tregim (1973); "Skënderbeu” (1975), "Prova e
zjarrit", roman (1977); "Kohët që shkojnë, kohët që vijnë",
reportazhe (1985); "Ujërat e qeta", roman, (1988); "Koha e
njeriut", roman (1990), "Udhëtari", roman (2009) dhe skenarë
“Dritat e qytezës”, (1983).
Kontributi i tij krijues është një vlerë e pazevëndësueshme
e memories artistike dhe historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mençuria dhe
maturia janë vlerat më të epërme të peisazhit politik shqiptar, janë ngjyrat më
shprehëse të mrrylëtisë dhe poterës që shpërfaqej në tablonë ku klasa politike
dhe jo vetëm pahej në vetvete. Me këtë in memoriam përbashkohet krejtkush ndër
ne, që aspiron për një politikë të shëndetshme, të cilën e ushqeu më përkushtim
Godo deri në të mbramë të frymës, për një afri dhe komunikim në shërbim të kauzës,
pasion që i’u dha me mish e me shpirt ai sa qe ndër ne. Jemi të privilegjaur se
i përkasim asaj gjenerate që u ballafaqua me një vullnesë të mirë të këtij
dishepulli të fjalës ngadhnjyese.
Comments
Post a Comment