TI NUK LEXON nga Edison Ypi
Ti
ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë, nuk
ndjehesh i lumtur. Ke ankesa, xerxelera, grricje, kërruajtje. Je gjithë
kohën i mërzitur. Ke probleme me shëndetin. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk
të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin.
Mirë të bëhet. Hak e ke. Këto dhe të tjera taksirate i ke dhe do t’i
kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti mor’ zotni, ti moj zonjë, ti mor’
djalë, ti moj vajzë, nuk lexon.
Vendi
yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u
përdhosën të gjitha vlerat dhe u kultivuan e u himnizuan veset më të
ndyra dhe më kriminale; pabesia, hajdutllëku, spiunllëku, dembelizmi.
Prej
një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku
fatet nuk i vendos 1 njeri i vetëm por vullneti i shumicës. Megjithatë
ti gjithë kohën ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh, sepse ti nuk di, ti
nuk kupton, ti s’ke se si të dish, ti s’ke sesi të kuptosh, sepse ti nuk
lexon.
Ti
pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh, mendohesh, dhe nuk e gjen dot,
se si dhe pse nuk janë të gjithë si ty, por njëri kështu e tjetri ashtu,
dhe kafja të duket zeherr. Kafja zeherr e helm do të bëhet sepse ti,
ngaqë nuk lexon, nuk do ta kuptosh kurrë madhështinë e laryshisë së
karaktereve njerëzorë, të cilët po aq sa janë identikë, janë edhe të
ndryshëm nga njëri-tjetri. Ndërsa pretendimi yt idiotesk që të gjithë të
jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së
gjalli e të gjithëve.
Qëllon
ndonjëherë që ti del në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja,
vila, oborre të rregulluara, jo rrallë edhe me shatërvane dhe pishina.
Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;
-Nuk janë bërë me punë të ndershme. Janë bërë me pare droge, me trafiqe, me dallavere.
-Ore
eja në vete, të thotë ndonjëri që eventualisht të ndodhet pranë. Kanë
punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë.
Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Këto shtëpi nuk i kanë
ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle për vite të tëra. Shtëpitë e reja
në Shqipëri janë me qindra mijëra. Eja në vete. Kaq drogaxhinj nuk ka
gjithë bota.
E
kotë. S’ka spjegim që të bind, s’ka argument që të sjell në vete ty që
nuk lexon, ty që duke mos lexuar nuk kupton, duke mos kuptuar nuk ndjen.
Je
vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është
kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve,
deri edhe filipinit, u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i
bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i bësh pa të lëvizur
qerpiku ti që nuk lexon asgjë. A e kupton se çfarë shtaze të bën
mos-leximi?
Ti
udhëton. Duke udhëtuar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të
maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të
rrënuar kështjellash të lashta, fytyra të çuditëshme banorësh lokalë.
Por ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla,
dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr e kjo llahtarë nuk ndodh
për absolutisht asnjë arësye tjetër por vetëm sepse ti nuk lexon.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti
nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga
Introduktat e Nolit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta
të pështira soc-filmash. Nuk lexon, prandaj.
Ti
thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. E ke
gabim. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që
ekziston, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen e votimit pa pik’ turpi ankohesh ndaj atij ose atyre që votove vetë. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë
e librave ti e përfytyron si muhabet kafeneje. Ky, ai, ai tjetri,
trokiti në një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall,
poqi gështenja mbi prush, u ankua nga majasilli, bërtiti, doli. Shumica
e librave kështu janë vërtet. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë
sa ka, janë me miliona herë më të vlefshëm se këta me acar dhe mangall,
sepse ti nuk lexon.
Nuk
ke sukses me femrat. Dhe nis e i shan e mallkon kot së koti ato të
shkretat. Ulu lexo, mëso të sillesh me to, bëju komplimenta, sa më
inteligjente, sa më turbulluese, sa më të bukura. Nëse përsëri nuk u
mbushet mendja, ulu lexo edhe më tepër.
Ti
çfaqesh në Fejsbuk në foto me gjithato të ngrëna përpara. Është turpi
më i madh, njëlloj sikur ta pështysh veten në surrat, më zi se ulja e
brekëve tek Zogu i Zi. Por ty nuk të bën asnjë përshtypje. Ti vazhdon të
dalësh në fotografi krenar dhe i pamposhtur fill pasi ke gromësitur me
sa më tepër tasa dhe pjata të sapo boshatisura, gota të rrëkëllyera,
mbeturina mishrash dhe mëlçirash të ngrëna përpara. Sepse ti nuk lexon.
Sheh
ndonjëherë në televizor shurdhmemeca që mësojnë të shkruajnë dhe
lexojnë. Habitesh pa masë, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve
leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk
lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i grafomanëve, atyre delirantëve që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti
je gjithashtu edhe dekurajuesi më i madh i atyre që kanë diçka për të
thënë, dinë ta shkruajnë dhe e shkruajnë, por i ka gjetur belaja me ty
që nuk lexon.
Çfarë
nuk bën ti që nuk lexon. Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk
punon ose punon pak dhe keq, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar,
mafjoz.
Përvojat
e njerzimit, aftësitë, paaftësitë, sukseset, mossukseset,
mediokritetet, gjenialitetet, Arti, Letërsia, të mirat, të këqiat, të
ëmblat, të hidhurat, të gjitha janë nëpër libra, që ti nuk i lexon
Ti
që nuk lexon je lënda e parë më e mirë e të gjitha të këqiave;
politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së
keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere dhe një këllirë që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh
e qofsh e qafsh, ti që nuk ke haber nga shiu i gërmave, stuhitë e
paragrafeve, tornadot e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e
Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.
Comments
Post a Comment