E kaluara, lufta ngadhnjimtare për të fituar vetveten
Nga Albert Vataj
Shumë prej nesh konsumojmë gjëra që nuk i
meritojmë.
Me kalimin e kohës ankohemi për
pamjaftueshmërinë e tyre dhe ankohemi, duke harruar proverbin që thotë se:
"Kush ankohet për gjërat që ka, ka më shumë se ç'meriton".
"Ambicia i ngjan një stomaku të uritur. Ajo nuk njeh kurrfarë ligji tjetër
përveç oreksit të saj", kumton Henri Show.
Nën një peshë të pezullt hutimi, mëdyshjeje
dhe vramëndje, secili pyet veten: A jam edhe unë njëri prej tyre. E ndërsa
rrekemi të bashkojnë pjesëzat e shpërndara të Uni-t, vëzhgojmë e gjykojmë
"me zemër në dorë" dhe diçka e përmend vetëdijen tonë të tulatur,
diçka e shkund gjykimin tonë të kllapitur. "Nuk mjafton të jesh ai që je,
duhet të jesh ai që duhet të jesh" na mëson Monterlan. Përpjekja për të
kjartësuar gjithnjë e më shumë pasqyrën ku ti shihesh, është një akt heroik.
Meritimi është e drejta legjitime e të
virtytshmit. "Virtyti është një pishtar që ndriçon rrugën jo vetëm atij që
e ka, por edhe atij që e sodit" na mëson, Mare.
E kaluara për shumkënd është një plagë e
mbyllur. Por sa herë që prishet moti, dhëmbjet e saj na sëmbojnë duke na hequr
rrëshqanë nëpër kujtimet që na lidhin me të, duke e përbaltur keqas breroren
shndritëse të krenarisë, duke na ndërmendur kalvarin e derikëtushëm, si
domethënia e të përgjithmonshmes me të cilën duhet të bashkëjetosh ose të
ndeshesh. Kësisoj, është kjo vetvete me të cilën shpesh zgjedhim të kacafytemi,
ndoshta jo dhe aq për ta nënshtruar se sa për ta bindur.
Fati i mirë dhe i keq njëkohësisht është ai i
mundësisë së lindjes dhe rritjes si një pemë në mes të pyllit ku nevoja për
diell e është një luftë e të gjithëve. Më kujtohet një të kem parë një pemë
teksa rritej fillikat në lirinë e vet në mes të një shpati mali. Ishte një pemë
që mishëronte gjitjçka të natyrës, dhe mbi të gjitha përballjen me zemëratën e
natyrës. Atë ditë e sot ajo pemë më ngas në një dëshirë për tu rritur jashtë
pyllit, por nuk kam mundur t'ia dal.
Comments
Post a Comment