Rrëzimi i një busti që s'na e ktheu dot besimin te demokracia
Nga Albert Vataj
Sot 24 vite më parë, më 20 shkurt 1991, protestues në Tiranë rrëzuan shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Ngjarja ndodhi mes një gjendje të tensionuar politike, studentët ishin hedhur në grevë urie duke kërkuar heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti i tyre. Greva u mbështet nga mijëra qytetarë. Rrëzimi i simboleve të diktaturës kishte filluar më herët. Në Shkodër, banorët kishin shkatërruar monumentin e Stalinit dhe me veprimet e tyre frymëzuan njerëz në qytete të tjera. Protestat kulmuan më 20 shkurt, kur mijëra studentë e qytetarë të Tiranës u nisën nga "Qyteti Studenti" drejt sheshit "Sheshit Skënderbej". Pas disa përleshjeve me policinë, protestuesit mbërritën në shesh dhe mes thirrjeve "Poshtë diktatori!", "E duam Shqipërinë si Evropa!", rrëzuan shtatoren prej bronxi të diktatorit, pastaj e goditën me shkelma, shanë, qanë, qëlluan, pështynë etj… mbi të..., e lidhën, e tërhoqën zvarrë, sikur të ishte gjallë dhe ia ndanë kokën nga trupi. Televizioni shtetëror, i vetmi stacion televiziv i vendit e paraqiti të plotë rënien e bustit; shqiptarët në mbarë vendin e panë në ekran atë që ndodhi në Tiranë dhe filluan të besojnë se fundi i diktaturës vërtet kishte ardhur.
Kaq mund të thuhet telegrafisht për çka orvatet me dëshmu erën e re të ndryshimeve në Shqipërinë e drobitun prej diktaturës ma të egër në Evropë.
Po sot?
Pas 24 vitesh prej rrezëllimit shkundullitës, në vetëdijen e të gjithëve rreket si e pamjaftueshmëre rrëzimi i një busti, si shpërbërje e një diktature, si kthim i besimit te liria dhe demokracia, tek meritimi i tyre. Gabuam kur hamendëm se diktaturat ndernin pushtetin e tyne të mizortë vetëm mbi disa masivë të metaltë e do fantazma përfytyruese. Gabuam dhe e pësuam. Sot ata që dje ishin zemra e zemëratës antikomuniste, janë plaga lënguese e një pendese, pendese për atë që ata bënë, pendese për atë që ata dot nuk e çuan deri në fund. Ajo që sot pas 24 vitesh qaset të derdhë në sheshin e protestës pakënaqësinë e qytetarëve, nuk kishte shumë ndryshim nga ajo që kalli zemëratën studentore, kulmimi i së cilës u derdh tek ajo shtatore, tek ai bust, tek ai masiv bronzi, aty ku diktatura në agoni mëtonte të mbronte me hekur e hekamë bastionin e fundit.
Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha u parapri nga rebelimit nistor i antikomunistëve shkodranë, që kulmoi me shtrirjen përdhe të torsit të Stalinit më 14 janar 1990. Në Tiranë më 20 shkurt 1991, si sot 24 më parë, një masiv bronzi që kishte gozhduar në qendër të kryeqytetit hiret e një kapërdisjeje hijerëndë e ndjellakeqe të diktatorit Enver Hoxha, u kthye epiqendra e ciklonit studentor, zemëratës të së cilës i ishte bashku urrejtja 45-vjeçare e shqiptarëve prej gjithkah. Dhëmb për dhëmb u ndesh me qëndresën e mbrame komuniste vërshimi i vullneteve të lirisë, atë ditë që e ndërmendim sot. Në hekur e në hakërri kishte derdhur këtë mur ndalese pushteti i Ramiz Alisë, barrierë me të cilën u ndesh dallga e ngadhnjyesve. Deshi Zoti e frika e ndëshkimit nuk e mbolli me varre këtë shesh që u vadit me gjak, këtë bastion ku diktaturës i duhej të mbronte jo dhe aq statujën, se sa nderin.
Tash mbas kaq vitesh, shqiptarët janë sërish në shesh. Në mos i keni parë ata njerëz aty ku ishte busti 24 vite më parë, ku sot ngrohen në diell ca fatkeqë dhe shtatojnë ndoca pemë mjerane, doemos diku atypari struken mes drojes dhe ngurrimit. Ata njerëz që mbajnë mbi supe peshën e një shtatoreje të shtrirë përdhe dhe 24 vite, kjo zemëratë, ky gulç padurimi, ky zhgënjim është duke soditur memuarin e humnerës që e ndan kujtimin e asaj dite me dëshirimin, ëndrrën që iu fik bashkë me zërat dhe delirin e asaj dite. Prej gjithkah asht bujt në kujtesën e kësaj dite pakënaqësia dhe zhgënjimi, frika për të sotmen dhe pasiguria për të nesërmen. Por ajo s'duket gjëkundi. Nuk do ta gjeni edhe nëse ndonjë dyzinë njerëz gërthasin në emër të ndonjë kauze në ndonjë shesh të kryeqytetit, teksa zhagit banderolat e një manifesti delenxhinjsh.
Kush nuk gaboi e dot rrugën e pendesës nuk e gjeti derimtash, derimsot. Çfarë fituan triumfatorët kësisoj. Liria e fjalës iu dha me pash, e dëgjesa s'kishte mbamendje ndonjëherë për zërat dhe ankimet që çirren e jargaviten gjithkah, ku bujn tue kuvendu për dertet. Plebeu u bë zotërues i fateve dhe shkrues i historisë. U shemb para kandës së njimendtë dhe dëshirimit të virtytit, si filozofi e së mirës, si atribut i ardhmërisë. Shqiptarë që ndërtojnë progresin e të tjerëve për një kafshatë bukë dhe endin përplot trishtim panoramën e apoteozës së mbijetesës dhe bashkëfajësisë. Vasha që shesin trup e nder për një ëndërr, për një të drejtë legjitime që u duhet ta paguajnë me çmimin e pendesës, shpagës që nuk do t'i shëlbejë dot as trupin, as shpirtin. Etër e ëma që dergjen në rojtarë të truallikjes e të varreve të të parëve, me shpresën nga vdekja si e mbrama vuajtje. Shtëpi të braktisura dhe fshatra fantazëm, që i shkoqen shtatit jetësues, për t'i mbetun vetëm kashore oreksesh politike.
Ja ç'fituam, e lëshuam Shqipërinë dhe po e bëjmë pareshtur, me amanetin e palexuem nën jastëk, "guri i rand peshon n’vend t’vet". Ikëm. U dyndëm në turmë ikanakësh të dëbuar. U kthyem në një kortezh t'përmortshëm pamundësie për ta patur varrin ku djepin. Morëm me vete ëndrrat dhe plagët, për t'u riktheyr me zhgënjimin. Anipse ndër ata që mend erdhën, nuk i ndajnë sytë prej ikjes, ikjes nëpër natë prej vendit që i përndjek.
Ne që mbetëm, e torbat s'i hodhëm askurrë mbi kurriz, mbretëm tançka na u shndërrua në plagë, në dhimbë kockash dhe zemre. Zanin ia çorrëm zemërimit, e t'paluem mbetëm tuj prit me sot me nesër, një fat të tjetërqyshtë nga ai i dëshiruari.
Mëkatarë dhe xhelatë që s'i sëmboi kurrë ndjenja e fajit dhe kurrë s'e gjetën shpagën e pendesës. U yshtëm turravrap nëpër llogoret politike, me lugët në brez dhe lamë peng gjithçka kishim, virtyt e përkorje, fyt e fytyrë, nder e erz.
Nga rrënjët e shkulëm rrapin shekullor të traditës dhe e nderëm rrënjë e degë në telin e pelenave të ndryshesave dhe trendeve, bashkëkohjes dhe piskamës së modernitetit. Ditirambe thurim pëlqesave dhe ekstazës, pa u vramend se kjo melodi asht simfoni e marshit funebër të vlerave në ndërkohjet e tyne.
Kufinjt i shembëm e lirinë e kyçëm në strofkën e t'pamundunës për me u ndi zog në qiellin e kthjellët të ëndërrimeve. Dritare dijeje hapëm katër-kanatësh e veç dritë nuk hyn në këto shërbestore dijenxënie të dënguna me kapicë prej një rinie hileqare, një mase vitale që i bën bisht përballjes, ndeshjes, e një morie që prej triumfit druhet si djalli prej temianit.
Instaluam një drejtësi që të mjaftueshme ka ngritjen e kultit të padrejtësisë dhe ikjes së pamundun prej proverbit që e përndjek se: "Drejtësia është si pezhishka e merimangës, ku insektet e vogla mbesin në të, të mëdhatë e çajnë dhe ikin". Krimi, krimi që ka kumbar shtetin dhe pushtetin e kandarit të anuar, bën ligjin duke e groposur më thellë mundësinë për të shpresuar në atë që dëshiruam, në atë për të cilën u sakrifikua shtrenjtë. U zhbë gjithçka, bashkë me besimin. Zotin e lejuam me mosbindje, duke e lënë veten trup e shpirt në krahët e mëkatit e pangopjes. Kësisoj, familjen e nxorëm mes katër rrugëve, tuj fabriku bashkëshorte hekakeqe e baballarë që err e terr ngrysin ankimoreve në pantomimën absurde para gotës së alkoolit. Fëmijë që dalin duersh për të hyrë në hordhinë e hallakamës së moshatarëve, që porsi hijenat ngasin pas coftinës.
Të gjithëdijshëm katapultuem në fronin e urtisë e dokrra na duhet me ndi e pallavra me duru. Si një kullë e ngujueme asht transformu shërbestorja e opinionit publik, prej ku s'del e s'hyn kurrkush, prej nga sprajnë zjarrin e frëngjive, jo tuj dasht me ia ms'y dikujt, por me ia mbush mendjen dynjasë se po ndeshen. Ne, kurrkush tjetër veç nesh që u shitëm si bagëtia, tue heq dorë prej vullnetit dhe të drejtës me kërku ç'ka na takon, ne mbajmë në gjoks vulën e turpit, ne që e kthyem Shqipërinë në çifligun e një tufe përfituesish dhe shpërdoruesish dhe tarafit të tyre. Ne knaqena tuj këndu kangën e mjerimit, tue lyp ... "Mshirë? Bijë bastarde e etënve dinakë,/t'cilt n'mnyrë pompoze posi farisejt/i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak/tu' ia lëshue lypsit një grosh të holl' n'shplakë".
Tash që nuk kemi të tjerë buste për me rrëzu, na mbetet me e shtri përdhe guximin tonë, e për me besu rrejshëm se një diktaturë mundet me u përmbus edhe si një bust. Po. Ne kemi nevojë për me rrëzu bustin brenda vetes, atë bust që na ka nxanë diellin, na ka qorrun sytë, na ka çjerrë vullnetet, bustin e mënjanimit prej të drejtës me kontribu të gjithë, për me mujt me ndërtu një të sotme, për të cilën nuk do të na vijë turp nesër të themi se ne ishim gurthemelet e saj.
Unë nuk isha atë ditë, aty ku një mal bronzi i shkulej kryeqytetit si një çiban i huaj, por nuk mungova në asnjë dritë me vullnetin tem t’lirë, i cili mu fik para syve, e tash mu po më duhet me u pa me vetëdijen teme t’lëndume prej vragëve të zemërthymjes, vetëm nëpër terr.
Comments
Post a Comment