Kur marr erë luleve ndjej aq kenaqësi sa kaplohem prej frikës se mos po bëj mëkat
Nga Albert Vataj
Një zonjë fisnike mëtohet të ketë thënë:
"Kur marr erë luleve ndjej aq kenaqësi sa kaplohem prej frikës se mos po
bëj mëkat".
Është kjo ngasje para së cilës gjunjëzohet çdo
ëndje instinktesh të fuqishme, marroset çdo urtësi e shpenguar prej vargonjëve
të ngurimit.
Lulja, është kjo bukuri e cila rreket të cyt
ndjenjat tona delikate për ti hedhur ata në një kopulim të fuqishëm përjetimesh
ndjesore.
Gërshetimi i bukurisë perfekte, aromës dehëse,
petaleve delikate dhe një harmonie të rreptë të natyrës së krijimit, e bën
lulen sinonim të manifestimit estetik të një femre, drejt së cilës çdo hov
ndjesor, çdo turravrap epshndjellës është i lidhur prej fijeve të padukshme të
aromës që kundërmon kjo bukuri marroke.
Merr erë dhe ndjeje se si të përshkon një
dëshirim si një vërshim llave në të gjithë kurmin tënd. Lëshoje veten në
përqafimin e këtij harrimi mrekullues dhe ndjehu më tokësor se çdo pipëtimë
tjetër që gjallon përreth.
Vetëm atëherë kur ndjehemi të përshkuar nga
aroma dhe e bukura, nga kjo melodi marramendëse dhe ky dëshirim i çmendur, e
kuptojmë se sa të dobët jemi, se sa shumë bindje buron prej arrogancës sonë,
preaj asaj mosbindjeje, e cila është gati të sakrifikojë gjithçka vetëm të
fluturojë qoftë dhe një moment të vetëm në krahët e kësaj ëndrre.
Albert Vataj
Comments
Post a Comment