Galileo Galilei, "më kokëforti i heretikëve", gjeniu që nuk u bë dot martir i shkencës
Sot 373 vite më parë më 8 janar 1642 vdiq
Galileo Galilei. Ai guxoi dhe mbrojti teorinë e Kopernikut dhe sfidoi idetë e
Aristotelit.
Ishte 22 qershori i vitit 1633. Një burrë i
moshuar që mezi mbahet në këmbë qëndron i gjunjëzuar para gjyqit të
inkuizicionit romak. Është njeri i shkencës, njëri nga më të mirënjohurit e
kohës së tij. Bindjet e tij shkencore bazohen në vite të tëra kërkimesh dhe
studimesh. Por tani, nëse do të shpëtojë jetën, duhet të mohojë gjërat që ai e
di se janë të vërteta.
Emri i tij ishte Galileo Galilei. Çështja
Galileo, siç e quajnë shumë, ka ngjallur shumë dyshime, pyetje dhe polemika,
jehona e të cilave ndihet edhe sot. Kjo çështje ka lënë gjurmë të pashlyeshme
në historinë e fesë dhe të shkencës. Pse e gjithë kjo trazirë? Përse çështja
Galileo ka zgjuar interesin e medias në kohët tona moderne? A simbolizon ajo
vërtet një «të çarë midis shkencës dhe fesë», siç e quajti një shkrimtar?
Shumë njerëz e kanë quajtur Galileon «babai i
shkencës moderne». Ai ishte matematikan, astronom dhe fizikan. Ishte nga të
parët fare që studioi qiellin me anë të teleskopit. Gjërat që pa i shpjegoi për
të mbështetur një mendim, i cili vazhdonte të ndizte debate të zjarrta në kohën
e tij: toka rrotullohet rreth diellit dhe prandaj planeti ynë nuk është qendra
e universit. S’është për t’u habitur që ndonjëherë Galileo Galilei është
quajtur edhe themeluesi i metodës moderne eksperimentale.
Cilat ishin disa nga zbulimet dhe shpikjet e
Galileos? Si astronom, ndër të tjera, ai zbuloi se Jupiteri ka hëna, se Udha e
Qumështit formohet nga yje, se hëna ka male dhe se Afërdita ka faza të ngjashme
me hënën. Si fizikan, studioi ligjet që drejtojnë lëkundjen e lavjerrësit dhe
rënien e lirë të trupave. Ai shpiku mjete të tilla si kompasin gjeometrik, një
lloj vizoreje logaritmike. Duke përdorur të dhëna nga Holanda, ai shpiku
teleskopin. Ky mjet bëri që para tij të hapej universi.
Por një konflikt i gjatë midis tij dhe
hierarkisë kishtare e ktheu karrierën e këtij shkencëtari të shquar në një
dramë—në çështjen Galileo. Si dhe përse filloi ajo?
Konflikti me Romën
Që nga fundi i shekullit të 16-të, Galileo
përqafoi teorinë e Kopernikut, sipas së cilës është toka ajo që rrotullohet
rreth diellit dhe jo anasjelltas. Ky quhet edhe sistemi heliocentrik (me qendër
diellin). Më 1610, pasi përdori teleskopin e tij për të zbuluar trupa qiellorë,
të cilët nuk i kishin vëzhguar kurrë më parë, Galileoja u bind se ato që kishte
parë vërtetonin tezën e sistemit heliocentrik.
Sipas Grande Dizionario Enciclopedico UTET,
Galileoja dëshironte të bënte më shumë sesa thjesht të zbulonte. Ai donte të
bindte «personalitetet më të larta të kohës (princër dhe kardinalë)» që teoria
e Kopernikut ishte e vërtetë. Ai shpresonte që me ndihmën e miqve me influencë
të kapërcente kundërshtimet e kishës dhe madje të fitonte mbështetjen e saj.
Më 1611 Galileoja udhëtoi për në Romë ku takoi
klerikë të rangut të lartë. E përdori teleskopin që kishte shpikur vetë për t’u
treguar atyre zbulimet e tij në astronomi. Por gjërat nuk shkuan siç shpresonte
ai. Rreth vitit 1616, Galileo ishte nën vëzhgimin e rreptë të qeverisë.
Teologët e inkuizicionit romak e quajtën tezën
e sistemit heliocentrik «një marrëzi dhe absurditet nga pikëpamja filozofike si
edhe herezi nga ana zyrtare, meqë në shumë gjëra ajo bie në kundërshtim të
hapur me deklaratat e Shkrimeve të Shenjta, sipas kuptimit të tyre fjalë për
fjalë, me interpretimin e përhapur të tyre, si edhe me kuptueshmërinë e etërve
të shenjtë dhe doktorëve të teologjisë».
Galileoja u takua me kardinalin Roberto
Belarmino. Ky kardinal, që mbahej si teologu më i shquar katolik i asaj kohe, e
quajti Galileon si «më kokëfortin e heretikëve». Kardinali Belarmino e
paralajmëroi zyrtarisht Galileon që të mos i përhapte më tej idetë e tij rreth
sistemit me qendër diellin.
Përballë gjyqit të inkuizicionit
Galileoja u përpoq të vepronte me kujdes, por
nuk hoqi dorë nga mbështetja e tezës së Kopernikut. Shtatëmbëdhjetë vjet më
vonë, më 1633, Galileoja doli para gjyqit të inkuizicionit. Kardinali Belarmino
kishte vdekur, por tani kundërshtari më i madh i Galileos ishte papa Urbano
VIII, i cili në të kaluarën e kishte përkrahur. Shkrimtarët e kanë quajtur këtë
gjyq një nga më të famshmit dhe më të padrejtët e lashtësisë, madje e kanë vënë
në të njëjtin rang me gjyqin e Sokratit dhe gjyqin e Jezuit.
Ç’gjë çoi në këtë gjyq? Galileo shkroi një
libër të quajtur Dialog mbi dy sistemet kryesore të botës. Në fakt, ai mbronte
tezën heliocentrike. Shkrimtarit i thanë të paraqitej para gjykatës më 1632,
por ai nuk u paraqit dot në kohë, sepse ishte i sëmurë dhe pothuajse 70 vjeç.
Ai udhëtoi për në Romë vitin pasues, pasi e kishin kërcënuar se do ta çonin me
forcë dhe të lidhur me pranga. Me urdhër të papës, atë e morën në pyetje, madje
e kërcënuan se do ta torturonin.
Nëse e torturuan apo jo këtë burrë të moshuar
e të sëmurë, kjo është një çështje e debatuar. Siç shkruhet në vendimin e
dënimit të tij, Galileo do t’i nënshtrohej «shqyrtimit të rreptë». Sipas Italo
Mereut, një historiani të ligjit italian, kjo frazë ishte një shprehje e
posaçme që përdorej në atë kohë për të përshkruar torturën. Një sërë
studiuesish pajtohen me këtë shpjegim.
Sido që të jetë, Galileo u dënua më 22 qershor
1633, në një sallë të zymtë para anëtarëve të gjyqit të inkuizicionit. U shpall
fajtor sepse «kishte mbështetur dhe kishte besuar doktrinën e rreme që ishte në
kundërshtim me Shkrimet Hyjnore e të Shenjta, sipas së cilës Dielli . . . nuk
lëviz nga lindja në perëndim dhe se Toka lëviz dhe nuk është qendra e botës».
Galileoja nuk donte të bëhej martir, kështu që
u detyrua të tërhiqej. Pasi u lexua vendimi, shkencëtari i moshuar, i ulur në
gjunjë dhe i veshur si i penduar, tha solemnisht: «Mohoj, mallkoj dhe përbuz
gabimet dhe herezitë që u përmendën [teoria e Kopernikut], e në përgjithësi të
gjitha, dhe çdo gabim tjetër, herezi ose sekt në kundërshtim me Kishën e
Shenjtë.»
Sipas një legjende—të pakonfirmuar nga ndonjë
dëshmi e sigurt—thuhet se pasi i mohoi bindjet e veta, ai përplasi këmbën në
shenjë proteste dhe tha me zë të lartë: «E megjithatë ajo rrotullohet!»
Komentuesit thonë se poshtërimi që ndiente, sepse kishte mohuar zbulimet e tij,
e torturoi shkencëtarin derisa vdiq. Atë e dënuan me burgim, por ia ndryshuan
dënimin me një arrest shtëpie të përjetshëm. Jetoi pothuajse në izolim të
plotë, ndërkohë që gradualisht humbi shikimin.
Comments
Post a Comment