Sot në përvjetorin e përkujtimit të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit 2004 në ujrat e Karaburunit
Nisja fatkob nga brigjet e Vlorës së një
gomoneje me 31 persona në bord, me synim brigjet italiane, është e kësaj ore,
12 vite më parë, më 9 janar 2004. Ata u nisën për një jetë më të mirë, por një
fund tragjik do të shkruante me gjuhën e tmerrit minutat dhe orët e agonisë në
dallgët e detit.
Përshpirtje dhe përunjësi sot në 12-vjetorin e
ëndrrës së 28 personave që u kthye në tragjedi, kur gomonia me të cilin ata
udhëtonin mbytet pranë gadishullit të Karaburunit. Ata 28 njerëz të cilët duke
dashur të blejnë një të nesërme më të mirë, paguan vdekjen e tyre të trishtë,
duke u nisur nga Shkodra me mjetet e rastit dhe duke u kthyer në atë qytet në
arkivolë. E gjithë Shkodra i priti me hidhërim dhe lot, e gjithë Shqipëria u
trondit.
Ëndrra e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë
përsëri në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën
zero. Pas 16 muajsh "paqeje" që po ashtu i ngjanin ëndrrës,
trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve. Në udhëtimin e saj të parë, që
nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës, një gomone 12 metra e gjatë me
31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes dallgëve.
Njëzet nga udhëtarët e saj, - 17 burra dhe 3
gra - u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë
italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit, në një pellg uji të kripur dhe
benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të tjetërt shpëtuan. Ishin në
grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy skafistët, që u arrestuan
menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë, e që
akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë.
Alarmi i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit,
kur një telefonatë nga Shkodra i sinjalizon policisë një avari në gjirin e
Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5 metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit
të mbërrinin në vendngjarje. Të paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e
rendit vetëm pak orë më parë ishin sinjalizuar për një tjetër gomone, të
ngarkuar me drogë, që ishte nisur po ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se
bëhej fjalë për të njëjtën gomone.
Por sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje
dramatike që u lëshua nga një celular, pikërisht nga bordi i gomones.
Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv Top channel, një nga skafistët kërkonte
ndihmë. Nën një emocion të drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën. U
thirrën për ndihmë italianët dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e
kalibrit të rëndë, ndërsa nga baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter.
Në detin që nuk desh të qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje,
kërkimet përfunduan vetëm mëngjesin e së nesërmes.
Rreth orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në
fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas, përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë
të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre që shkundnin duar e këmbë e ulërinin
për të kërkuar ndihmë, qëndronte një kapicë kufomash. Për ta ndihma kish
mbërritur me vonesë. Përmasa e tragjedisë u rrok vetëm në orët e para të
pasdites, kur gomonia me ngarkesën makabre u rimorkiua deri në bazën ushtarake
të Sazanit. Njëzet shqiptarët, përpara se të vdisnin të cfilitur nga uji dhe
thëllimi, ishin mbërthyer me dëshpërim në litarët që përshkonin gomonen për të
shmangur rënien në det.
Mes trupave pluskonin çanta, valixhe, qese
plastike të mbushura me sende pesonale: fërtele kujtimesh. Gomonia, pothuaj
fringo e re ishte blerë në Greqi vetëm pak ditë të shkuara. Dy motorët e
fuqishëm me siguri janë shkrirë gjatë përpjekjeve për të lundruar me një
ngarkesë aq të rëndë në mes të një stuhie detare.
Vdekje e llahtarshme
Për disa prej tyre vdekja ka mbërritur brenda
pak minutash. Të tjetrët, duke kërcitur dhëmbët, i kanë parë tek vdisnin pa
mundur të bëjnë dot asgjë. Ata që mbetën, kanë shpëtuar për mrekulli.
"Mjaftojnë edhe dhjetë minuta për të vdekur kaq tragjikisht",
shpjegon Paolo Arbareli, drejtor i Institutit të Mjeksisë ligjore në
Universitetin "La Sapienza" në Romë.
Gomonia ka nisur të ketë probleme të premten
pasdite. Në më pak se 12 orë kanë vdekur njëzet vetë, çfarë ka ndodhur me ta?
"Rezistenca e njeriut ndaj të ftohtit
është e ndryshme jashtë ujit dhe brenda ujit. Temperatura e detit ulet aq shumë
sa mund të vrasë brenda një kohe të shkurtër"
E megjithatë në disa raste ndokush ia ka dalë
të mbijetojë edhe pas 48 orësh në kushte të ngjashmë .
"Po, por ka qenë me siguri një stinë
tjetër, uji ka qenë më i ngrohtë. Të kacavjerrë në trugje a copa dërrasash,
shumë ia kanë dalë të qëndrojnë edhe dy ditë e dy net me radhë. Por në këtë
rast, edhe në stere temperatura ka qenë nën zero. Uji dhe i ftohti së bashku
janë fatalë."
Deri në ç'temperaturë mund të durojë njeriu në
këto kushte?
"Në përgjithësi deri në 10-12 gradë nën
temperaturën e trupit. I rezistojmë më shumë megjithatë të ftohtit në të thatë
se atij në ujë apo në dëborë".
Comments
Post a Comment