Mit’hat Frashëri, mendimtari dhe patrioti i kryerendjes
Duke rendur pa kuptim
ndaj përvjetorëve, tashmë është kaluar se Mit’hat Frashëri kishte 60 vjetorin e
vdekjes. Është e vërtetë se ka çmim me emrin e tij dhe vazhdimisht i referohen,
por kur duhet të kujtohet me protokoll...harrohet, sepse e tregojmë si gjithnjë
që jemi kaotikë në protokolle. Gjithsesi, ai i ka dhënë aq shumë kulturës
shqiptare, saqë edhe këtë herë do t’ia falë...
Mit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në
Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit
dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babanë e tij
dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në
Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën
turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore.
Në 4 prill 1929 Mit'hat
Frashëri në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme
dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i
cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.
Filloi të aktivizohet në
politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura
në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai
fillon botimin e gazetës "Liria" në Selanik. Gjatë kësaj periudhe
bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte
shtypshkronjën/shtëpinë botuese "Mbrothësia". Ai mori pjesë në
Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit me
14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mit'hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit
dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit
ishte At Gjergj Fishta).
Në moshën 32-vjeçare
largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri duke kaluar
nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e
pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i botores. Më 30
mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në
Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ
Vidit, Mit'hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në
disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga
policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë
Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i
drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i
Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ai deklaron "Pa zgjidhjen
e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje
përfundimtare të kufinjve në Ballkan". Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit
Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në
dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen
dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1927, fillon të
botojë në Tiranë, revistën Dituria dhe themelon librarinë Lumo Skëndo.
Në vitin 1939, pas
pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit
politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e
Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar.
Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të
largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju
Jork, SHBA ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.
Letërsia e tij
Nisi të merrej me
krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar,
të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e
parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet
Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin
Ismail Malosmani. Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë
e Mid'hat Bey Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka
personale e Mid'hat Bey Frashërit. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke
ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë
dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të
emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën
Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill
2006.
Testamenti
Unë, Mid‘hat Frashëri, në
shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament, duke ushqyer shpresën se pas
vdekjes sime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu:
Dua që nga biblioteka
private ime të mos çkëputet gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
Gjithë sa më kanë mbetur
nga im atë dhe nga ungjërit dhe që sot formojnë muzenë time familjare, dëshëronj
që të ruhen prapë në formë të një muzeje të vogël brenda në INSTITUT.
Në palca të holla në
shtëpi, në ndonjë bankë, ose hua për të mbledhur, duke u bashkuar me shumën që
do të mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdoren të gjitha së bashku:
për të bërë shpenzimet e
para të një godine (shtëpie), e cila të shërbejë si INSTITUT ALBANOLOGJIE, një
godinë e mjaftë për të nxënë bibliotekën dhe për zyrat. Dëshira ime është që
kjo shtëpi të jetë mjaft e gjerë sa për të pasur një ose dy oda ku të mundin të
bujtin dhe të rrinë mysafirë studimtarët albanologë të huaj, që vijnë së
jashtmi. Do të donja edhe që INSTITUTI të mund të goditet në një mënyrë që të
jetë larg çdo godine tjatër dhe të mos ketë rrezik zjarri.
në qoftë se, në vdekjen
time, kam mundur të goditet vetë ndonjë shtëpi, INSTITUTI do të instalohet
atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më sipër, do të vihen në një
bankë të sigurtë, dhe interesi i tyre do të përdoret për qëllimin e institutit,
sidomos për të shtypur libra ose për të inkurajuar botimin e tyre.
Librarija ime dëshëronj
që të shitet ashtu siç është, e tërë bashkë, jo copa-copa dhe, në qoftë e
mundur, të mbanjë emërin që i kam dhënë unë.
Libravet të INTITUTIT t‘u
vihet vula ime "Biblioteka Lumo Skëndo 1879" dhe t‘u ngjitet Ex-libris.
Vula do të gjendet në tryezën time, në shtëpi, e gatijtë, kurse ex-libris është
vetëm një skicë bërë prej Eshref Frashërit.
INSTITUTI do të jetë nën
këqyrjen e një komisioni, bërë prej:
Drejtorit të Bibliotekës
dhe Muzesë së Shtetit, Tiranë (Bibliotekë dhe Muze Kombëtare);
Kryetarit të Bashkisë së
Tiranës.
Një funksionari të
Ministrisë së Arsimit;
ç) Kryetarëve të
Shoqërisë së Mjekëvet dhe Avokatëvet, kur të krijohen kësi farë shoqërish.
Kryetarit të Diktimit
Civil
Drejtorit të Institutit
Arsimor Shqiptar më të lartë të Tiranës.
Për të zbatuar
testamentin tim dhe për të ngriturit e INSTITUTIT lë si të ngarkuar prej meje
këta zotërinjtë: Njazi Tirana, Sotir Kolea, Dhimitër Berati, Med‘hi Frashëri
dhe Et‘hem Frashëri. Zotit Njazi Tirana i jap barrën që të kujdeset edhe si një
notablë i kryeqytetit.
....
11. Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshira
ime do të zbatohet benikërisht prej pasonjësve të mi në gjithë shekujt që do të
vijnë dhe lutja ime drejtuar Fuqisë së Madhe që tani s‘e kuptojmë dot, do të
jetë të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të
Kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që
çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është e mira jonë private, se nderi dhe
lavdi i shqiptarëvet të gjithë është dhe nderi dhe lavdi unë personal.
12. Nuk di ku të vendoset INSTITUTI; po, në
qoftë se goditet pakëz jashtë qytetit, do të donja që varri im të jetë në një
cep të kopshtit, më të mëngjër, duke hyrë nga porta e rrugës; mbi këtë varr dua
një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do jem ruajtësi i
INSTITUTIT, sikur do të marr dhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.
Me këto dëshira dhe shpresa po e nënshkruaj
me dorën time këtë testament. Tiranë, 29 prill 1929
Mid‘hat Frashëri
Lumo Skëndo
Comments
Post a Comment