Sero sapiunt*


Një homazh në përvjetorin e shkrimtarit të madh shqiptar Martin Camaj, që nuk u kthye kurrë në vendin e tij të origjinës. Studiuesi Behar Gjoka bën një ekskursion në veprën e tij duke kërkuar atë fillin lidhës të nivelit të lartë, që ofroi ai në mungesën fizike për letërsinë shqipe...

Nga Ben Andoni

Juve se fundi po mbaroni studimin e fundit, që lidhet me krijimtarinë e Martin Camajt. A mendoni se ka akoma hapësirë për studiuesit që të lundrojnë në veprën e tij?
“Libri ‘Rikthimi i Martin Camajt’, ka në qendër të analizës dhe shqyrtimit krijimtarinë e gjerë dhe përplot laryshi të Camajt, pra duke përfshirë poezinë, e gjithëpranuara nga leximet dhe studimet letrare, prozën, më shumë të shqyrtuar në pista përtej teksteve, si dhe dramatikën, pothuajse të heshtur. Mendoj, se  hapësira e leximit, shqyrtimit dhe interpretimit të veprës letrare të shkrimtarit, ende është në fillesat e veta, dhe duke qenë kështu, gjithnjë simbas idesë sime të njohjes së teksteve, jemi në fillim të leximit, pranimit, shqyrtimit të vlerave që përçon kjo dukuri letrare, e mëvetësishme dhe unike e letrave shqipe”.

A mund të quhet fatlume për ne dhe fatkeqe për të, emigrimi jashtë vendit? Sa e ndihmoi kjo gjendje shpirtërore, poetin për të krijuar veprën e tij?
“Termat fatlume dhe fatkeqe, në fakt në marrëdhënie me tekstet letrare në poezi, prozë, sinkretikën letrare, por edhe dramën e tij, nuk e shpjegojnë fare realitetin letrar. Qëndrojnë vetëm raport me autorin. Fatlume ishte ikja prej Shqipërisë, sepse vendi në atë kohë ishte kthyer në burg i ideve të marrëzisë së barazisë, prandaj autori e la atdheun në mungesë të lirisë së shprehjes, e jo për shkaqe ekonomike ose për dëshira djaloshare, siç edhe është pohuar nga ndokush. Fatkeqe është në një kuptim, sepse krijimtaria e tij, nuk ndikoi në gjallje, por edhe tani në amshim, është pothuajse jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar, të kuptohemi ka qasje zyrtare dhe jo të tilla për ta lënë jashtë tyre. Pra, Camaj, e sidomos vepra e tij është jashtë kohe, jashtë hapësire, është jashtë rrjedhave të mediokritetit letrar të ligjëruar me shumicë në dheun amë. Padyshim, që ikja e padëshiruar ndikoi pozitivisht në krijimtarinë e tij, sepse ai shkroi letërsi larg fanfarave të çmimeve bajate, larg vlerësimeve të akademizmit të mykur zyrtar, e mbi të gjitha u lidh me sallone të kulturës dhe letërsisë si Roma, Mynihu, por edhe Beogradin e artit dhe kulturës. Vetmia dhe dija janë dy parakushte për të sendërtuar letraren vetjake dhe të ndryshme nga ngjyresat e artit të shërbesës së realizmit socialist”.

Çfarë lloj metodike keni përdorur për të penetruar në veprën e tij?
“Tekstin e parë për Camajn, posaçërisht për novelën ‘Pishtarët e Natës’, e kam botuar në vitin 1997 tek gazeta Rilindja e Kosovës. Metodika është e ditur, lexim dhe rilexim i veprës letrare të shkrimtarit. Pas kësaj domosdoje të njohjes, zë fill ajo që në fund quhet edhe optikë personale, e cila në gjykimin tim ka të bëjë me analizën e tekstit dhe të formësimit artistik të secilës vepër të autorit. Pra, lexim dhe braktisje e leximit të leximeve të pa lexuara, që e hasim shpesh edhe në nivelet e akademizmit shqiptar e jo më të lexuesit të zakonshëm”.

Si e shikoni figuracionin e veprës së tij...?
“Pamëdyshje që shenjat letrare, pra edhe figuracioni i pranishëm në tekstet e shumta letrare të autorit, përbëjnë edhe një shkallë vështirësie të lartë, për shkak të abstraksionit të pranishëm. Në një kuptim krijimtaria e tij i përket rrafsheve të eksperimentit letrar, që do të thotë se kemi tekste krejtësisht të ndryshme nga ajo se çfarë kemi lexuar ndër shkrimtarët bashkëkohorë. Për mua, tekstet poetike ‘Nema’, ‘Bualli’, ‘Palimpsest’, teksti i sinkretikës letrare ‘Dranja’, por edhe ‘Karpa’, romani fantastik, si dhe dy tekstet dramatike ‘Lojë Mbasdreke’ dhe ‘Kandilja Argjandit’, e ngjisin Martin Camajn në majat e ligjërimit letrar modern jo vetëm në letrat shqipe”.

Për mendimin tuaj, ku 'çalon' krijimtaria e tij në formë apo në përmbajtje...
“Për të respektuar pyetjen, krijimtaria e Camaj, pra të gjithë tekstet letrare, kanë një të “metë” të madhe, se nuk kanë asnjë lidhje më mediokritetin letrar të Shqipërisë, nuk kanë asnjë lidhje më letërsinë e shërbesës së realizmit socialist, por as me atë të antishërbesës, porse aderojnë dhe aspirojnë të shënojë vlera letrare, më së tepërmi universale”.

“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se
keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky vlerësim na afron. Batë
burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë
shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”. Si një njeri që jeni aq shumë me të në këtë studim, këto fjalë të fundit të tij janë fjalë dëshpërimi apo respekti për shqiptarët...
“Gjithçka e shkruar prej Camajt të vë në mendim, madje edhe në një situatë tronditëse, se si paturpësisht dhe djallëzisht vijon të heshtet përballë kësaj vlere artistike, se si tentohet të quhet si shkrimtar i së kaluarës nga akademikët tanë. Vepra letrare e Martin Camajt, është vepra më e munguar në  të gjithë historinë e letrave shqipe, madje edhe më shumë se ajo e Fishtës dhe Konicës, që u mallkuan pa asnjë hezitim nga ideologjia dhe shkrimtarët shërbëtor të saj. Është e tillë për faktin e thjeshtë se Fishta dhe Konica, por dhe dhjetëra shkrimtarë të tjerë të ndaluar, mallkuar dhe anatemuar, e kishin krijuar dhe shpallur fytyrën e shkrimtarit, dhe më to ngjau një “vrasje” gjysmake, ndërsa me Camajn, mallkimi ishte i plotë dhe përfundimtar, sepse u dënua me heshtje bizantine, pa u dukur ende në qiellin e letrave shqipe. Mjerisht kjo situatë e mospranimit të ndihmesës së dhënë në lëmin e letrave, vijon po kaq e fuqishme edhe në amshim. Fjalët e mësipërme të “testamentit” të Camajt, janë klithma e mbrame e dhimbjes dhe krenarisë që nuk reshti së kontribuari kulturën dhe letërsinë shqipe, janë një klithmë që të përkujton vetiu gjarpërinjtë e Kutelit, një burri po kaq të sojshëm të letrave shqipe”.

Sa e ka ndihmuar formimi i gjithanshëm autorin për të krijuar?
“Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Ma do mendja se nuk gjendet vend i dytë në botë që t’i kërkohet shkrimtarit, pra gjuhës autoriale, gjuhës së letërsisë që të zbatojë rregulla fikse, norma të një kuvendimi gjuhësor dhe jashtëgjuhësor, pra duke vrarë kështu subjektiven dhe autorialen. Në këtë kuptim ka qenë shpëtimtare, për autorin dhe sidomos për ndryshueshmërinë (variantet e ndryshme shkrimore) gjuhësore dhe letrare, ikja prej atdheut të ideologjisë së monizmit. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me ngjyresat letrare bashkëkohore evropiane”.

A ka vend më shumë në letrat shqipe dhe pse nuk është i pranishëm Camaj në letërsinë shkollore...
“Që të mos ia hamë hakën edhe kësaj kohës tonë, copë e grimë, Camaj ka hyrë në programet e shkollës shqiptare në të gjithë nivelet, edhe është përmendur në ndonjë përvjetor. Porse, pranimi dhe receptimi i krijimtarisë, i vlerave të pranishme, është gati në pikën fillimtare, sepse studimet letrare dhe gjuhësore do të duhet të japin përgjigje shkencore sa i përket vlerave të letërsisë së tij jo thjesht si një vijim i ligjërimit të gegnishtes, e cila në fakt gjithnjë sipas paragjykimit dhe pasgjykimit e le jashtë rrjedhave letrare, por si pjesë me vlera të pakontestueshme e ligjërimit letrar në gjuhën shqipe. Po ashtu, shenjat eksperimentale, në poezi apo prozë, dhe në shumëçka do të duhen kundruar në optikën e dijes letrare moderne jo në pranimet e sociologjizmit vulgar të realizmit socialist. Po kaq vlerë kanë edhe sqarimi i konteksteve kohore dhe hapësinore, pra krijimtaria e Camajt i përkon letërsisë bashkëkohore, dhe sipas mendimit tim dhe shijes time është kulmi i ligjërimit modern të saj, si dhe është një urë ndërlidhëse e letrave shqipe me letërsinë evropiane”.

*Atyre u vinë mendtë me vonesë (latinisht)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk